TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Korrik 2024, 12:35

Pse shpenzimet ushtarake si në kohën e Bashkimit Sovjetik nuk do ta shpëtojnë Rusinë nga kolapsi

Shkruar nga Andrei Kolesnikov

“Ç’do të ndodhte nëse socializmi do të ndërtohej në Sahara?”- pyetet në një shaka të vjetër. Përgjigja: “Në fillim, përveç planeve, nuk do të ketë asgjë. Pastaj do të ketë mungesë rëre!”.

Pse shpenzimet ushtarake si në kohën e Bashkimit Sovjetik nuk do ta

Në Rusi, tradita e talljes me planifikimin ekonomik sovjetik, është gati po aq e vjetër sa edhe përpjekjet për të përmirësuar sistemin ekonomik. “Ç’do të ndodhte nëse socializmi do të ndërtohej në Sahara?”- pyetet në një shaka të vjetër. Përgjigja:“Në fillim, përveç planeve, nuk do të ketë asgjë. Pastaj do të ketë mungesë rëre!”.

Sipas një anektode tjetër, që pëlqehej shumë edhe nga ish-kreu i Rezervës Federale të SHBA-së, Alan Greenspan, në epokën e Brezhnevit, një grup njerëzish po parakalonin në një paradë ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës. Por në vend të uniformave ushtarake, ata kishin veshur kostume zyrtare të gjera.

Një ndihmës i afrohet udhëheqësit sovjetik the i thotë në veshit:”Leonid Ilyich, ne nuk e dimë kush janë këta njerëz!”. Brezhnev i përgjigjet me qesëndi:”Qetësohu shok, këto janë armët tona më shkatërruese:ekonomistët sovjetikë!”.

Pas më shumë se 2 vite e gjysmë nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin duket se nuk është i trembur nga reputacioni i planifikuesve ekonomikë të vendit të tij. Rezultati më i habitshëm i riorganizimit të qeverisë së tij në pranverë të këtij viti, ishte padyshim zëvendësimi i tij i Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu me Andrei Belousov, një ekonomist pa përvojë ushtarake.

Një burrë jo me një kostum të gjerë, por me një kostum të shtrenjtë dhe të përshtatshëm, Belousov ishte më herët Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ndihmës i presidentit për ekonominë dhe zëvendëskryeministër. Por emërimi i tij e ka një arsye:shpenzimet ushtarake të Rusisë kanë arritur në përmasa kaq të mëdha - sipas disa vlerësimeve, gati një e treta e buxhetit të vitit 2024 i kushtohet mbrojtjes, norma me  lartë se çdo vit tjetër që nga koha e Rusisë sovjetike - saqë vetëm një ekonomist mund ta bëjë atë efikase.

Ose të paktën ky është një nga shpjegimet e Putinit, dhe një ndër rastet e rralla kur ai nuk gënjen. Një shpjegim tjetër, është se një menaxhim efektiv i teknologjisë ushtarake të Rusisë, do të bëjë të mundur arritjen e “sovranitetin teknologjik” - vetëmjaftueshmërisë së plotë - edhe tek industritë civile.

Po ashtu, pretendohet se shpenzimet e mëdha ushtarake, edhe nëse kryhen në kurriz të kapitalit njerëzor, dhe ndonjëherë përfshijnë shërbimet sociale dhe shëndetësore, janë në parim të afta që të nxitin zhvillimin e ekonomisë. Në këtë kuptim, Belousov është zgjedhja e duhur.

Si produkt i shkollës matematikore të ekonomisë sovjetike, ai ka besim të plotë në aftësinë e autoriteteve supreme për të llogaritur gjithçka, dhe se paratë e shtetit dhe ndërhyrjet e shtetit mund të zgjidhin çdo krizë. Në fakt, idetë e Belousov të kujtojnë pikërisht qasjen që ndihmoi në rënien e Bashkimit Sovjetik:rritje e paqëndrueshme e shpenzimeve në mbrojtje dhe militarizim i pamëshirshëm i ekonomisë.

Sigurisht, si një ekonomist profesionist, Belousov nuk mbron braktisjen e tregut. Por ai mbështet pikëpamjen se jo vetëm shpenzimet e mëdha të qeverisë, por sidomos shpenzimet ushtarake mund të shërbejnë si nxitës i zhvillimit. Është e drejtë që kjo qasje të përshkruhet si modeli i ri ekonomik i Putinit.

Në fakt, ai po i kthehet asaj që në thelb është një ekonomi sovjetike, por me elementë të rëndësishëm të tregut. Modeli i ri kombinon ndërhyrjen shtetërore, me një theks dominues tek kompleksi ushtarako-industrial dhe zëvendësimi i importeve, me një ekonomi tregu në fusha të ndryshme, përfshirë importet paralele të produkteve të ndryshme perëndimore për të kënaqur kërkesat e konsumatorëve.

Është një eksperiment interesant, por edhe me një histori të gjatë dhe të rrezikshme. Në epokën sovjetike, udhëheqja në Moskë ka pasur thuajse gjithmonë një rol vendimtar në suksesin dhe dështimin e përpjekjeve për të transformuar ekonominë e vendit.

Edhe pse reformat ekonomike u diskutuan nën kohën e Nikita Khrushchev (1953-1964), në epokën e Brezhnev dhe me kryeministër Alexei Kosygin, u bënë përpjekjet e para për të ringjallur ekonominë socialiste. Përpjekja nisi me një artikull provokues të vitit 1962 në gazetën “Pravda” nga ekonomist i njohur Evsei Liberman.

Ai argumentoi nevojën për ta rritur autonominë e ndërmarrjeve, kryesisht në lidhje me mënyrën se si ato përdorin fitimet e tyre. Tre vite më vonë, Kosygin publikoi raportin e tij të famshëm, ku propozoi zyrtarisht që ndërmarrjeve t’u jepej një pavarësi e kufizuar, liri më e madhe për të pasur të ardhurat e tyre dhe madje edhe liri për të zgjeruar gamën e tyre të produkteve në përgjigje ndaj kërkesës.

Por kjo reformë nuk e shpëtoi dot ekonominë sovjetike. Ajo u rrit gjatë gjysmës së dytë të viteve 1960 dhe shifrat zyrtare ishin shumë të larta. Por kjo rritje u provokua nga presionet inflacioniste:ajo pak liri që iu dha, i  nxiti ndërmarrjet të shtonin shumëllojshmërinë e produkteve dhe rrjedhimisht të rrisnin pak çmimet.

Realiteti ishte se në mungesë të tregut dhe pronës private, reformat e Kosygin ishin të dënuara të dështonin. Pa një ekonomi të hapur, asnjë llogaritje e planifikuesve nuk mund të mbante në një linjë ofertën dhe kërkesën. Por ashtu si në rastin e Rusisë së Putinit sot, superfuqia sovjetike ishte e lidhur me naftën dhe gazin, të cilat i përdori për të financuar importet ushqimore dhe industriale.

Vullneti për ndryshim u dobësua. Por siç e zbuluan shpejt sovjetikët, një qasje e tillë nuk mund të mbahet vazhdojë për shumë kohë. Kremlini i sotëm duhet ta kuptojë se petrokracia sovjetike, u rrënua brenda një dekade. Në vitin 1979, me pushtimin sovjetik të Afganistanit dhe garën e armëve bërthamore të Moskës me Uashingtonin, ekonomia sovjetike po grumbullonte deficite në pothuajse çdo sektor të mundshëm.

Në vitet 1940, planifikuesi ekonomik Nikolai Voznesensky, i cili menaxhoi ekonominë sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore, u bë i preferuari i Josif Stalinit. Në fund të konfliktit, ai shkroi një monografi shumë popullore, “Ekonomia Ushtarake e BRSS gjatë Luftës Patriotike”, përpara se të spastrohej nga Stalini në vitin 1949.

Nëse Belousov, i preferuari aktual i Putinit, është i destinuar të shkruajë një monografi të ngjashme triumfuese mbi Ekonominë Ushtarake të Federatës Ruse gjatë “operacionit special” kjo mbetet një çështje e hapur. Suksesi nuk është i garantuar.

Dhe herët a vonë, ekonomistëve rusë do t’u duhet ta kalojnë ekonominë ruse nga modeli i ndërhyrjes ushtarake në një formë normaliteti, ose siç thoshin me shaka reformatorët në fillim të viteve 1990 “të bëjnë një vezë nga një omëletë”. Në fund të shekullit XX, militarizimi i ekonomisë nga Moska, dhe besimi tek fuqia magjike e investimeve të mëdha shtetërore, e përshpejtoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.

Deri më tani, Putin ka shmangur të njëjtin fat për Rusinë e sotme, duke ruajtur mbetjet e një tregu të hapur, dhe duke i lënë agjencitë e tij financiare në duar e teknokratëve. Por tani që ekonomistët e shkollës së vjetër po udhëheqin sërish paradat ushtarake, mbetet e paqartë se sa gjatë mund të vazhdojë të mbijetojë ky model ekonomik./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Shënim: Andrei Kolesnikov, anëtar i institutit “Carnegie Russia Eurasia Center”.

bashkimi sovjetik rusia shpenzime ushtarake kolaps

Lini një Përgjigje