E vërteta është se bota është një vend kaotik, shumë i ndërlikuar, dhe ku jo të gjithë duan të jenë miqtë tuaj. Derisa Amerika ta mësojë këtë leksion, politika e saj e jashtme do të mbetet një tragjikomedi gabimesh, të cilën ne të tjerët jemi të detyruar ta shohim, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo...
Shtetet e Bashkuara dhe politika e saj e jashtme: një përrallë po aq e vjetër sa edhe koha, ose të paktën po aq sa Katërmbëdhjetë Pikat e Woodrow Wilsonit. Po flasim për një komb që e përshkon globin si një gjigant, por që me një rregullsi alarmante pengohet tek “lidhëset” e këpucëve të tij.
Pyetja nuk shtohet nëse Amerika është pozitive në politikën e saj të jashtme, por nëse ajo po përpiqet seriozisht të ketë një politikë të tillë. Le ta nisim analizën me një fakt: Amerika është një perandori që e mohon statusin e saj.
Ndryshe nga britanikët, të cilët të paktën ishin aq të sinqertë sa të pranonin se i kishin ata në duart frerët e çështjeve globale, SHBA-ja preferon t’i fshehë ambiciet e saj me gjuhën e demokracisë, lirisë dhe natyrisht të biskotave. Po, biskotave. Sepse i trajton kundërshtarët si fëmijë në parashkollor, që kanë nevojë për një yll të artë në gjoks dhe për një fytyrë të buzëqeshur.
Në vitin 2009, i dërguari special i Obamës në Sudan, gjenerali në pension i Forcave Ajrore, J. Scott Gration, besonte se mënyra më e mirë për t’u marrë me armiqtë është t’i trajtosh ata si fëmijë: “Duhet të mendojmë dhënien e biskotave. Ashtu fëmijët, edhe vendet reagojnë ndaj yjeve të artë, fytyrave të buzëqeshura, shtrëngimeve të duarve, bisedave, marrëveshjeve”.
Shkrimtari kanadez Mark Steyn, e ka përshkruar këtë si “sezamizim” i politikës së jashtme (bazuar në shfaqjen televizive Sesame Street): “Ai mban përgjegjësinë kryesore për atë që blogeri kanadez Binky e quan de-monsterizimi i fëmijërisë. Pra ideja që nuk ka përbindësha të këqij, por thjesht krijesa të egra të vogla, dhe pse ndonjëherë mund të duken shumë qesharake”. Një shembull tjetër i kësaj do të ishte politika e SHBA-së ndaj Afganistanit. Tre filxhanët e çajit të Greg Mortensen u bënë ”Bibla” e politikës së SHBA-së në Afganistan, duke përhapur idenë simpatike por mashtruese, se gjithçka që duhet për ta kthyer një shoqëri fisnore, të shkatërruar nga lufta, në një utopi nordike, janë disa raunde të pirjes së çajit dhe disa shkolla me qëllime të mira.
S’ka gjë se imperialistët e shekullit XIX-të, burra si Lordi Curzon apo Cecil Rhodes, do të kishin qeshur me një naivitet të tillë. Ata e kuptuan se kulturat janë thelbësisht të ndryshme, dhe se jo të gjithë duan të jenë si liberal demokratët në Perëndim. Por Amerika?
Amerika preferon të besojë se bota është plot me miq të mundshëm, që thjesht nuk janë mbështetur mjaftueshëm. Ky nuk është një fenomen i ri. Dikur Roosevelt, me dëshirën e tij për të pasur marrëdhënie të mira me Stalinin, ia dorëzoi praktikisht në një pjatë argjendi Bashkimit Sovjetik çelësat e Evropës Lindore.
Siç tregon Sean McMeekin në librin e tij “Lufta e Stalinit”, administrata e Roosevelt ishte e mbushur me agjentë sovjetikë, dhe politikat e tij i dhanë mundësi Stalinit të dilte nga Lufta e Dytë Botërore si një superfuqi. Madje presidenti amerikan mendoi edhe për sovjetizimin e Indisë.
Njeriu që e urrente imperializmin britanik më shumë se ekspansionizmin sovjetik, ishte plot kontradikta. Dhe pastaj është Kina. Hapja e Nixon-it ndaj Pekinit, supozohej të ishte një skemë mjeshtërore e realpolitikës. Por në retrospektivë, është e vështirë ta shohësh atë si diçka tjetër veçse një gabim të madh.
Sepse SHBA-ja e ndihmoi Kinë që të shndërrohej në fuqinë agresive ekonomike dhe ushtarake që është sot, duke injoruar gjatë gjithë kohës faktin që Partia Komuniste Kineze nuk ka interes të luajë sipas rregullave perëndimore. E njëjta gjë vlen edhe për islamin radikal, të cilin Amerika e shihte dikur si një mjet të dobishëm kundër sovjetikëve.
Dhe gjërat nuk funksionuan mirë, apo jo? Natyrisht, problemi është se politika e jashtme e Amerikës, luhatet midis izolacionizmit dhe idealizmit, me pak hapësirë për realizmin në mes.
Ëndrra e Willsonit për “ta bërë botën të sigurt për demokracinë” ishte fisnike. Por ajo është gjithashtu një recetë për të shkuar drejt katastrofës. Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë luftëra – për këtë pyesni Saddamin apo talebanët - por nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë me paqen. Besimi se vetëm zgjedhjet do të prodhojnë si me magji demokracinë liberale, nuk është
thjesht naiv, por i rrezikshëm. Megjithatë, pavarësisht gjithë të metave, Amerika mbetet e domosdoshme. Fuqia e saj ushtarake është e pakrahasueshme dhe aleancat e saj - sado të tensionuara - janë ende baza e stabilitetit global.
Por këtu qëndron problemi: miqtë bëjnë shaka, por nuk kërcënojnë. Vrulli i administratës Trump për të zgjedhur luftën tregtare me Evropën dhe Kanadanë, është sa i çuditshëm aq edhe kundër-produktiv. Nëse Uashingtoni dëshiron që aleatët e tij të rriten, mirë. Por kjo nuk bëhet duke folur për aneksimin e Grenlandës apo kthimin e Kanadasë në shtetin e 51-të të SHBA-së.
Atëherë, a është Amerika një aktore e keqe në politikën e jashtme? Përgjigjja: mjerisht po, por jo për mungesë të fuqisë apo potencialit. Është një aktore e keqe, sepse refuzon të pranojë realitetet e botës ku banon. Britanikët mund ta kenë krijuar “si pa mendje” perandorinë e tyre, por pasi e patën atë, e luajtën lojën me një efikasitet të pamëshirshëm.
Në të kundërt, Amerika duket e vendosur që të kryejë rrugëtimin e saj nëpër histori, e armatosur me biskota, çaj dhe besimin kokëfortë se bota thjesht mezi pret që të ribëhet sipas imazhit të saj.
E vërteta është se bota është një vend kaotik, shumë i ndërlikuar dhe jo të gjithë duan të jenë miqtë tuaj.
Derisa Amerika ta mësojë këtë leksion, politika e saj e jashtme do të mbetet një tragjikomedi gabimesh, të cilën ne të tjerët jemi të detyruar ta shohim, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo./Në Shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje