
Egjipti është shprehur tashmë kundër çdo lloj “zhvendosjeje të detyruar” të palestinezëve nga Gaza në shkretëtirën e Sinait, dhe ka refuzuar çdo gjë që shkel “të drejtat e patjetërsueshme të palestinezëve”, qofshin të përkohshme apo afatgjata.
Donald Trump po kërkon të “spastrohet” Gaza, e reduktuar tashmë në një grumbull rrënojash, dhe që popullsia e saj transferohet në Egjipt dhe Jordani. Siç pritej, kjo ngjalli një reagim negativ në të dyja vendet, dhe u cilësua si një lëvizje “armiqësore” ndaj dy aleatëve të SHBA-së, e cila sipas tyre synon ”likuidimin e kauzës palestineze”.
“Unë do të preferoja të bashkëpunoja me disa vende arabe, dhe të ndërtoja banesa në një vend tjetër, ku ndoshta ata mund të jetojnë sërish në paqe”- specifikoi presidenti amerikan, duke shtuar se lëvizja e banorëve të Gazës në Egjiptin dhe Jordaninë fqinje mund të jetë e përkohshme ose e përhershme.
Jordania ka tashmë 2.3 milionë refugjatë palestinezë, dhe ka refuzuar në mënyrë të përsëritur çdo lloj plani për ta bërë mbretërinë një “atdhe alternativ”. “Refuzimi i zhvendosjes së Palestinezëve prej nesh është i vendosur dhe nuk do të ndryshojë. Jordania është për jordanezët dhe Palestina është për palestinezët!”- tha të dielën Ministri i Jashtëm Ayman Safadi.
Ideja trumpiane përfaqëson “një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin“ e të dyja shteteve arabe dhe shihet si një “mesazh presioni” për Amanin dhe një “dhuratë e helmatisur” për Kajron.
Sepse dyshohet se një plan i tillë, do të sillte një zhvendosje më të gjerë drejt Jordanisë të palestinezëve, veçanërisht nga Bregu Perëndimor i pushtuar, dhe do të synonte “të zgjidhte çështjen palestineze në kurriz të vendeve arabe”.
Ndoshta nëse do të ndodhte kjo, do të shembeshin regjimet jordaneze dhe egjiptiane. Ndërsa për palestinezët, çdo lloj përpjekje për t’i larguar ata nga Gaza do të ngjallte kujtesën e errët të asaj që bota arabe e quan Nakba ose “katastrofa”, që i referohet shpërnguljes së tyre masive gjatë themelimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.
Propozimi i Trump, vjen pas vendimit të tij për të ngrirë të gjithë ndihmën ndaj shteteve të tjera, me përjashtim të asaj për Egjiptin dhe Izraelin. Prandaj, ideja e Trump shihet nga Kajro dhe Amani si “jo realiste” dhe si pasqyrim i “pozicionit të së djathtës ekstreme izraelite”, i përshtatur si “një pretekst humanitar”.
Egjipti është shprehur tashmë kundër çdo lloj “zhvendosjeje të detyruar” të palestinezëve nga Gaza në shkretëtirën e Sinait, dhe ka refuzuar çdo gjë që shkel “të drejtat e patjetërsueshme të palestinezëve”, qofshin të përkohshme apo afatgjata.
Në Jordani ka nga ata si Saleh al-Armouti, deputet nga Fronti i Veprimit Islamik, partia kryesore opozitare në vend, që e shohin propozimin e Trump një “shkelje të sovranitetit të Jordanisë” dhe një “shpallje lufte”. Nga ana e tij, mbreti Abdullah II, ka vendosur vija të kuqe, përfshirë shmangien e “judaizimit të Jeruzalemit, me zhvendosjen e palestinezëve dhe asnjë atdhe alternativ”.
Pavarësisht mbështetjes së zëshme publike për të drejtat palestineze, gati të gjitha shtetet arabe e kanë parë prej kohësh këtë popullsi me “frikë dhe përbuzje”. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Egjiptin dhe Jordaninë, të cilat do të vazhdojnë të refuzojnë të pranojnë palestinezët që gjenden përtej kufirit.
Dihet se një zgjidhje e mundshme e konfliktit izraelito-palestinez, varet nga kuptimi arab i historisë, dhe mbi të gjitha nga ngurrimi i shteteve arabe për t’u ardhur në ndihmë palestinezëve. Deri më tani, ato nuk kanë lejuar rivendosjen e palestinezëve në territorin e tyre.
Edhe nëse kthehemi pas në histori, shfaqen shembuj të ndryshëm të neverisë arabe ndaj palestinezëve, si në kohën e operacionit izraelit në Liban në vitin 1982 dhe masakrës në kampin palestinez të refugjatëve Shatila, të kryer nga forcat libaneze. Dhe ajo ishte vetëm një nga shumë masakra.
Tall Al-Za’tar, kampi i madh i refugjatëve palestinezë në Bejrutin Lindor, u rrethua nga forcat libaneze dhe u shndërrua në gërmadhë në ditët e para të luftës civile libaneze në vitin 1975. Vetëm 3 vjet pas masakrës së Shatilës, në vitin 1985, nisi ajo që u quajt “Lufta e kampeve”.
Ishte Falanga shiite libaneze, e mbështetur nga Siria dhe Irani, ajo që rrethoi kampet Shatila dhe Bourj El-Barajneh për gati 3 vjet duke shkaktuar një numër të pallogaritshëm vdekjesh dhe lëndimesh në radhët e palestinezëve. Po ashtu dihet se bashkëpunimi mes Teheranit dhe Hamasit është pragmatik.
Ai është pjesë e strategjisë më të gjerë të Iranit, që përfshin eksportimin e parimeve të revolucionit të Khomeinit në Lindjen e Mesme, me pushtimin e vendeve të shenjta të Islamit
(Al-Aksa, Meka dhe Medina) dhe nënshtrimin e Arabisë Saudite dhe të gjithë botës. Hezbollahu në Liban, Khataib Hezbollah në Irak, Xhhihadi Islamik dhe Huthit në Jemen, janë zgjatimet e Iranit në Lindjen e Mesme me qëllimin e saktë shkatërrimin e shtetit hebre dhe dëbimin e SHBA-së nga rajoni. Palestinezët e kujtojnë shumë mirë “Luftën e kampeve”, dhe e dinë se në Teheran nuk ka ndonjë simpati për ta nga Ajatollahu.
Pas sulmeve të 7 tetorit 2023, Khamnei nuk ka thënë asnjë fjalë në mbështetje të popullatës palestineze. Ai ka drejtuar kërcënime dhe fjalë urrejtjeje ndaj shtetit hebre, të përcaktuar si “entitet sionist”. Objektivi që Teherani ka në zemër nuk është kauza palestineze, por shkatërrimi i shtetit të Izraelit.
Që të katërta luftërat arabo-izraelite, u zhvilluan nga qeveritë arabe për interesat e tyre kombëtare dhe jo për të promovuar realisht krijimin e një shteti palestinez. Kjo është e shkruar në histori. Për këtë mjafton të kujtojmë luftën jordanezo-sioniste gjatë fazës përfundimtare të mandatit britanik; krizën e Kanalit të Suezit, kur Nasseri u kurorëzua hero i botës arabe, falë aftësisë së tij për të kundërshtuar imperializmat e vjetra, por më pak Izraelin.
Por edhe kolapsin e frontit pan-arab në Luftën Gjashtëditore (1967); dhe së fundmi, Luftën e Yom Kipurit (1973) të cilën Egjipti i Anwar Sadat dhe Siria e Hafez Al Asadit e nisën për të rimarrë respektivisht vetëm Sinain dhe Lartësitë Golan. Asokohe OPEC, kërcënoi se do të bllokonte furnizimet me naftë për vendet perëndimore, deri në çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara në vitin 1967.
Por në fund u tërhoq, duke e mbajtur në fuqi embargon për vetëm 5 muaj. Marrëveshja e paqes midis Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1979, ishte guri i varrit i pan-arabizmit dhe në boshllëkun e lënë nga ai ideal unitar, laik dhe socialist, që i kishte bërë masat të ëndërronin, u shfaq në skenë një tjetër ideologji e madhe, Islami politik, që nisi të përdorte atë që konsiderohet si forca e vërtetë dhe e vetme e popujve arabë, Islamin.
Që gjatë Intifadës së Parë (1987-1993) konflikti në fakt u bë izraelito-palestinez, dhe roli i qeverive arabe u bë gjithnjë e më dytësor me Marrëveshjet e mëvonshme të Oslos. Më pas Organizata për Çlirimin e Palestinës njohu të drejtën e shtetit hebre për të ekzistuar.
Edhe Jordania nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin (1994). Pas viteve të dhunshme të Intifadës së dytë (2000-2008), situata për mirë a keq u stabilizua, duke e zbehur mundësitë e një zgjidhjeje me dy shtete, dhe duke lehtësuar “normalizimin” e marrëdhënieve të Izraelin me 4 shtete arabe: Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Sudan he Marok.
Gjëja e fundit që do të dëshironin shtetet arabe, sidomos ato në rajon, përreth Palestinës dhe Izraelit, ishte një lëvizje e pavarur palestineze, e lëre më pastaj një shtet. Lufta e 1967-ës dhe shfaqja e OÇP si “përfaqësuesja e vetme legjitime e popullit palestinez”, e ndryshuan skenarin. Para atij momenti, palestinezët ishin në aspektin politik një funksion i shteteve të tjera arabe dhe të varur nga ushtria arabe.
Ushtria Çlirimtare e Palestinës, ishte nën komandën e shteteve arabe, veçanërisht Jordanisë dhe Sirisë. Trauma e shkaktuar nga 1967-a ndryshoi gjithçka. OÇP-ja doli në skenë si zëri i palestinezëve. Lufta detyroi largimin e qindra mijëra palestinezëve, shumë prej të cilëve përfunduan në Liban dhe Jordani.
Në Liban, ata u shfaqën si një entitet gjithnjë e më i pavarur, duke i shpëtuar kontrollit të qeverisë libaneze. Në vitin 1969, Marrëveshja e Kajros u dha palestinezëve nën drejtimin e OÇP autonomi virtuale në zonat që ata ishin vendosur. Ata menaxhonin kampet dhe Libanin jugor, dhe natyrisht kjo ishte një shkas për pushtimin izraelit të vitit 1982.
Lufta e vitit 1967, solli dy ndryshime dramatike për shtetet arabe: së pari, i dha fund ëndrrave të Izraelit për pushtim me forcën e armëve, dhe së dyti shënoi ngritjen e OÇP si një forcë disi e pavarur. Ato u bashkuan për ta zhvendosur luftën për kontrollin palestinez të territorit në vetë tokat arabe: Liban në vitin 1969 dhe Jordani në 1970-ën.
Kjo çoi në Shtatorin e Zi, përpjekjen e OÇP së vitit 1970 për ta përmbysur monarkinë jordaneze. Përpjekja dështoi jo vetëm për shkak të aftësive të ushtrisë jordaneze, por edhe sepse sirianët ua mohuan palestinezëve mbështetjen ajrore që i kishin premtuar. Dhe kjo i lejoi jordanezët të fitonin.
Forca ajrore siriane, ishte nën komandën e një gjenerali të quajtur Hafez Al-Assad (diktatori i mëvonshëm i Sirisë), urrejtja dhe frika e të cilit për çdo gjë palestineze ishin shumë të forta. Vendet arabe i frikësoheshin rritjes së nacionalizmit laik palestinez, i parë si një kërcënim ekzistencial për Jordaninë dhe Sirinë.
Për të dyja vendet, OÇP përfaqësonte një rrezik të madh. Gjithçka tjetër ishte dytësore. Tani ata kanë frikë nga forcimi i Vëllazërisë Myslimane. Kur vitin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit i administratës Biden, Tony Blinken, propozoi që Egjipti t’u jepte strehim të përkohshëm qytetarëve të Gazës, Kajro refuzoi për shkak të armiqësisë ndaj Hamasit dhe palestinezëve për mbështetjen e tyre ndaj Vëllazërisë Myslimane.
Në botën arabe, kur dikush të quan “vëlla”, është momenti kur duhet të kesh frikë se mos ta punon pas shpine. Palestinezët janë etiketuar gjithmonë nga shtetet në rajon si “vëllezërit arabë", por pengesat kryesore që ata hasin në rrugën e krijimit të shtetit të tyre, vijnë pikërisht nga “vëllezërit” e tyre./Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje