TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Mars 2024, 12:35

Pse koha nuk është në anën e Rusisë?!

Shkruar nga Alexander J.Motyl
Pse koha nuk është në anën e Rusisë?!
Presidenti rus, Vladimir Putin

Një presidencë e dytë e Trumpit, do t’i ndërlikonte shumë gjërat për Ukrainën, por nuk do ta ndihmonte Rusinë të fitonte. Putini dhe regjimi i tij kanë shumë armë, por nuk mund të ushqehen me to. Ata janë të aftë të vrasin ukrainasit dhe të burgosin rusët opozitarë, por s’mund ta shpëtojnë një regjim nga të metat e tij fatale.

Ekspertët dhe analistët kanë ndryshuar gati brenda natës qasjen e tyre. Deri vonë, Ukraina qartazi po fitonte ndërsa Rusia po humbiste. Më pas dhe krejt papritur, pasi Ukraina e pranoi në nëntorin e vitit të kaluar se kishte dështuar kundërsulmi i saj i nisur që në fillim të verës. Për të gjithë u bë e qartë se Ukraina nuk mund të fitonte dhe se Rusia nuk mund të humbiste.

Tani që të gjithë, nga Papa Françesku tek kryeministri autoritar i Hungarisë, Victor Orbán, senatori republikan amerikan J.D.Vance dhe deri tek Vladimir Putin, janë absolutisht të bindur se një fitore ruse është e pashmangshme, dhe se Ukraina do të bënte mirë të negocionte që tani përpara se të humbasë akoma më shumë territore apo edhe sovranitetin e saj.

Argumenti disfatist, mbështet në thelb pikëpamjen se koha është në anën e Rusisë. Meqenëse ka më shumë nga gjithçka, Rusia ka luksin të vazhdojë sulmet, të humbasë mijëra ushtarë dhe thjesht të presë derisa Ukrainës t’i mbarojnë municionet dhe të bjerë morali i trupave të saj.

Më vonë Ukraina do të nervozohet, dhe ndonëse Rusia mund të jetë po aq e emocionuar, duke pasur më pak nga gjithçka, Kievi thjesht do të duhet të tërhiqet ose siç e tha Papa në mënyrë aq eufemistike “të ketë guximin të ngrejë flamurin e bardhë”.

Por kjo pikëpamje është e gabuar, dhe ka disa arsye pse koha është në fakt në anën e Ukrainës. Rusia po pëson humbje të mëdha në fushën e betejës. Sipas vlerësimeve aktuale të SHBA-së, rreth 300.000 rusë janë vrarë ose plagosur. Britania e Madhe thotë se kjo shifër është 355.000.

Vetë ukrainasit pretendojnë se shifra reale është 425.000. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi së fundmi se 180.000 rusë dhe 31.000 ukrainas kanë humbur deri tani jetën në këtë luftë. Cilado qoftë shifra e saktë, është e qartë se Rusia po përgjaket dhe forcat e saj të armatosura po degradohen në mënyrë të frikshme.

Ndaj nuk është çudi, siç e pranojnë hapur edhe blogerët rusë më patriotë, që ka jo pak pakënaqësi midis ushtarëve rusë të vijës së parë të frontit. Dezertimet janë në rritje, dhe do të ishin edhe më të larta po të mos ishin pasojat jashtëzakonisht ndëshkuese që vijnë pas dështimit për t’u arratisur.

Dhe nuk është e habitshme që nënat, gratë, motrat dhe të dashurat e ushtarëve po kërkojnë haptazi që burrat e tyre të kthehen në shtëpi. Rusët mund të jenë ose jo pasivë nga natyra, dhe të mos kenë dëshirë të ndjekin shembullin e ish-kryeopozitarit të ndjerë Alexei Navalny.

Por si të gjithë njerëzit kudo, edhe ata kanë një kufi mbi atë që mund të durojnë. Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e Navalny-t, por edhe në demonstratat e “mesditës kundër Putinit” më 17 mars.

Po ashtu, qindra mijëra njerëz që mbështetën kandidimin presidencial të Boris Nadezhdin dhe mijëra bashkirët që dolën në rrugë, janë që të gjitha dëshmi e fakti se diçka po ndryshon në zemrat dhe mendjet e rusëve. Skeptikët duhet të mos harrojnë se lëvizjet masive që e tronditën Bashkimin Sovjetik në fundin e viteve 1980, nisën që të gjitha me tubime të vogla të disidentëve dhe të mbështetësve të tyre.

Në çdo rast, sa më shumë të zgjasë lufta, aq më shumë ushtarë rusë do të vdesin, aq më të zemëruara do të bëhen gratë e tyre, dhe aq më shumë ka gjasa që popullata të thotë:”Mjaft me kaq!”. Arsyeja e dytë është ekonomike. Në kundërshtim me pikëpamjet e shumë analistëve perëndimorë, si dhe të revistës ‘The Economist’ (e cila argumentoi së fundmi se “ekonomia e Rusisë sfidon edhe një herë fatin e shkuarjes drejt kolapsit”), ekonomia ruse po shkon drejt një krize të rëndë.

Siç e ka treguar ekonomisti rus Vladimir Milov dhe ai i Universitetit Yale, Jeffrey Sonnenfeld, PBB-ja ruse është rritur 2 vitet e fundit vetëm sepse sasi të mëdha parash janë investuar në sektorët e lidhur me ushtrinë.

Ndërkohë sektorët që kanë të bëjnë me nevojat e qytetarëve të përditshëm janë të nën-financuar dhe po përjetojnë rritje negative. Si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, shumat që investohen në sektorët e mëparshëm janë në rënie. Rusia ka tashmë një deficit të madh buxhetor, të cilin mund ta mbulojë vetëm duke shtetëzuar industritë fitimprurëse dhe duke rritur taksat.

Masa e parë do të dëmtojë më tej ekonominë, ndërsa e dyta do të varfërojë popullin në përgjithësi. Siç kanë argumentuar Sonnenfeld dhe bashkëpunëtori i tij Steven Tian ​​”qëndrueshmëria ekonomike e Rusisë...nuk është gjë tjetër veçse një fasadë Potemkiane, e mbështetur jo përmes produktivitetit të mirëfilltë ekonomik, por më tepër përmes gjetjes së çdo qindarke të mundshme për ta përdorur për luftën”.

Milov thekson se fitimet vetëm sa po pasurojnë më tej të pasurit, por edhe Putinin dhe miqtë e tij. S’ka asnjë arsye të besohet se ekonomia do të zhdukë papritur ngjashmëritë e saj me një perandori mafioze, ndaj ne mund të presim që ekonomia ruse të vazhdojë të dobësohet, njerëzit e thjeshtë të vazhdojnë të varfërohen dhe ‘macet e dhjamosura e të korruptuara’ të vazhdojnë të shëndoshen dhe të korruptohen.

E theksoj edhe një herë, sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më keq do të bëhen gjërat për popullin e Rusisë dhe për regjimin e Putinit. Çuditërisht, nën dritën e numrit të madh të të vdekurve dhe të plagosurve dhe gjendjes së keqe ekonomike në rritje, Putini nuk ka asgjë tjetër veçse detyrimin për t’u mbështetur masat e reja shtypëse për të nxitur pajtueshmërinë e shoqërisë ruse me veprimet e tij.

Rezultati përrallor që mori në zgjedhjet presidenciale - supozohet se mori 88 për qind të votave - është tepër i lartë për t’i dhënë atij një legjitimitet të vërtetë. Prandaj ndodhi vrasja e Navalny-t dhe goditja e opozitës me të gjitha format. Ky lloj imponimi mund të funksionojë në një periudhë afatshkurtër, por Putini e di se koha nuk është në anën e tij.

Po kështu edhe përpjekjet e tij të fundit për ta bindur botën se ai dëshiron vërtet një armëpushim. Dhe ironia është se ai e thotë këtë. Një armëpushim do të çimentonte përfitimet territoriale të Rusisë, dhe do t’i jepte mundësi Putinit të lëpijë plagët, të riarmatoset, dhe të shtyjë ditën kur gjithçka do të jetë e dukshme për të gjithë.

Putini duhet të blejë kohë, pikërisht sepse koha është ajo që i duhet, dhe është ajo që ai nuk e ka. Përkundrazi, koha është në anën e Ukrainës. Ajo duhet të mbijetojë në muajt e ardhshëm, kur Rusia mund të përshkallëzojë sulmet e saj, dhe kur gjërat mund të ndërlikohen shumë.

Meqenëse Rusisë i mungon kapaciteti për ta mposhtur në një kohë kaq të shkurtër, Ukraina do të mbijetojë dhe do të vazhdojë të shkatërrojë flotën e Detit të Zi, të rrëzojë avionët ushtarakë rusë dhe të përgatitet për një sulm vdekjeprurës në Urën e Kerçit.

Edhe nëse Kongresi Amerikan nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët mbi një paketë të re ndihme prej 60 miliardë dollarësh, dhe perspektiva për vazhdimin e ndihmës duket tani më e mirë se disa javë më parë, ekzistojnë disa alternativa.

Asetet e Rusisë të ruajtura në vende të huaja, mund të sekuestrohen dhe të shkojnë për viktimën e agresionit të saj. Evropianët mund të jenë në gjendje të plotësojnë disa nga boshllëqet që do të ketë krijuar Kongresi i SHBA-së.

Një presidencë e dytë e Trumpit, do t’i ndërlikonte shumë gjërat për Ukrainën, por nuk do ta ndihmonte Rusinë të fitonte. Putini dhe regjimi i tij kanë shumë armë, por nuk mund të ushqehen me to. Ata janë të aftë të vrasin ukrainasit dhe të burgosin rusët opozitarë, por s’mund ta shpëtojnë një regjim nga të metat e tij fatale./ Përshtati nga  “The Hill”, Pamfleti

Shënim: Alexander J.Motyl, profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Newark.

vladimir putin

Lini një Përgjigje