
Ish këshilltari i Donald Trump, Peter Navarro, është paraqitur në burg për të kryer dënimin e caktuar ndaj tij prej katër muajsh burg. Ai u shpall fajtor për shpërfillje të Kongresit, duke u bërë zyrtari i parë i lartë që shërbeu gjatë administratës së Trump që burgoset për një krim që ka lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan.
Navarro u dënua me katër muaj burg për kundërshtimin e një fletëthirrje për të dëshmuar dhe dorëzuar dokumente para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e vitit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.
Ai ka mbajtur qëndrimin se nuk mund të bashkëpunonte me komisionin pasi ish Presidenti Trump kishte imunitetin e degës ekzekutive. Por gjykatat e kanë hedhur poshtë këtë argument, duke thënë se Navarro nuk mund ta provonte pretendimin e tij.
“Kur të paraqitem sot në atë burg, sistemi i sotëm i drejtësisë do t’i ketë bërë një goditje gjymtuese ndarjes kushtetuese të pushteteve dhe privilegjit të ekzekutivit”, tha Navarro për gazetarët. Pas votimit në Florida të martën, zoti Trump u pyet për rastin e zotit Navarro.
“Ai është një njeri i mirë. Ai u trajtua shumë padrejtësisht”, tha zoti Trump, duke e quajtur atë një “patriot të madh” dhe vlerësuar punën e tij në negociatat tregtare me Kinën.
Lini një Përgjigje