
Sondazhet e tregojnë Bullgarinë si kërcënimin më të madh të perceptuar nga qytetarët, e ndjekur nga Rusia në vendin e dytë.
Qytetarët maqedonas votuan të mërkurën në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme. Nën një proces zgjedhor të mirë-administruar, humbësit i uruan fituesit, duke treguar pjekurinë demokratike të vendit tonë.
VMRO-DPMNE arriti një fitore të thellë, dhe kandidatja e saj presidenciale Gordana Siljanovska Davkova u bë presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut. Ajo mposhti me lehtësi presidentin aktual Stevo Pendarovski, duke marrë 65 për qind të votave përkundrejt vetëm 29 për qind të presidentit në largim.
Pjesëmarrja ishte 47.5 për qind, disa pikë mbi pragun minimal kushtetues, pavarësisht përpjekjeve të BDI-së për të minuar procesin duke flirtuar me mundësinë e bojkotimit të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Po ashtu, me një pjesëmarrje prej gati 1 milion votuesish, ose 55.36 për qind, në zgjedhjet parlamentare, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE shënoi një fitore të madhe me 43.2 për qind të votave, duke siguruar 58 vende nga gjithsej 120 që ka parlamenti.
Socialdemokratët pësuan humbjen më të rëndë në historinë e tyre, duke fituar vetëm 15.3 për qind, ose rreth 1/3 e votave në krahasim me rivalin e tyre kryesor. Edhe pse morën më shumë vota se sa koalicioni “Fronti Evropian” i BDI-së me 13.8 për qind, për shkak të sistemit zgjedhor të vendit, ata u bënë forca e tretë politike në parlament me 18 vende, një më pak se BDI me 19 deputetë.
Koalicioni i opozitës shqiptare etnike VLEN fitoi 13 vende me 10.7 për qind të votave. Lëvizja e re politike ZNAM dhe Levica (e majta) ndanë pjesën tjetër të mandateve, duke fituar secila nga 6 mandate. Në bazë të deklaratave të liderëve partiakë, koalicioni qeverisës më i mundshëm do të jetë fituesja kryesore VMRO-DPMNE, së bashku me VLEN dhe ZNAM, duke pasur një shumicë komode prej 77 deputetësh.
Tranzicioni i pushtetit, mund të mos jetë aq i qetë sa vetë dita e zgjedhjeve. Ali Ahmeti i BDI-së, në pushtet për më shumë se 2 dekada, ka ngritur pikëpyetjen nëse fitorja e thellë e VMRO-DPMNE-së do të thotë se BDI nuk do të jetë më pjesë e qeverisë së ardhshme, duke aluduar në mënyrë të nënkuptuar nevojën që ka Maqedonia e Veriut për stabilitet dhe të ardhme, dhe e duke barazuar në fakt vendin e partisë së tij në pushtet me stabilitetin e shtetit.
Arsyet e këtij ndryshimi politik shumë të madh në vend janë tejet komplekse. Qeveria në ikje, nuk arriti që të garantojë llogaridhënie dhe drejtësi, premtimi kryesor i saj ndaj qytetarëve që e votuan dhe e sollën dikur në pushtet. Kapitali politik i investuar në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit, nuk u shpërblye nga BE-ja.
Fillimisht për shkak të Francës, dhe më pas nga kërkesat e pahijshme të Bullgarisë, duke e bërë Brukselin bashkëfajtor, të paktën në këtë çështje. I ashtuquajturi ‘propozim francez’ që pranoi qeveria e Shkupit në vitin 2022, i krijuar enkas për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, është perceptuar si i pa balancuar dhe është kundërshtuar fuqishëm nga një shumicë e madhe maqedonasish etnikë.
Kjo e ka shtuar euroskepticizmin dhe dëmtuar shumë narrativën evropiane. Si pasojë e premtimeve të shkelura, sipas një sondazhi të fundit të IRI, vetëm 34 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut besojnë sot se BE-ja është serioze në synimin e saj për t’u ofruar anëtarësimin vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, perceptimi se BDI-ja përfaqësuese e shqiptarëve etnike, e ka rritur peshën dhe numrin e votave të saj, duke u bërë një partnere dominuese e koalicionit qeveritar, luajti gjithashtu një rol në rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit.
Perspektivat për ndryshime sistematike dhe reforma themelore, varen shumë nga aftësia e qytetarëve për të mbetur të angazhuar edhe pas ditës së zgjedhjeve, por edhe nga besueshmëria e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian. Mbetet të shihet nëse qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, do të arrijë ta kalojë me sukses procesin e shoqëruar me shumë mosmarrëveshje dypalëshe.
Së pari, pavarësisht retorikës elektorale dhe kritikave të saj ndaj Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, do të ishte një lëvizje e mençur që qeveria e re të mbajë një qëndrim të ngjashëm me atë të partneres së tyre greke në gjirin e Partive Popullore Evropiane, Demokracia e Re:Nuk na pëlqen, mund të kishte bërë më mirë, por latinët thoshin ”Pacta sunt servanda”, marrëveshjet që nënshkruhen duhen respektuar.
Së dyti, duhet gjetur një zgjidhje mbi përplasjet me Bullgarinë, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe të ndryshojë plotësisht dinamika aktuale humbje-humbje në marrëdhëniet maqedonase-bullgare.
Sondazhet e tregojnë Bullgarinë si kërcënimin më të madh të perceptuar nga qytetarët, e ndjekur nga Rusia në vendin e dytë. Me një legjitimitet kaq të fortë politik të qeverisë së ardhshme, nuk do të vlejë shumë presioni i BE për të kapërcyer pengesën e ndryshimeve kushtetuese gjatë konferencës së dytë ndërqeveritare midis Shkupit dhe Brukselit.
VMRO-DPMNE-së duhet të tregojë se e kanë përmirësuar balancat dhe e ka bërë më të parashikueshëm rrugën e anëtarësimit evropian të vendit. Me një vullnet të mirë dhe respekt të ndërsjellë që i përshtatet dy demokracive fqinje evropiane, ndoshta ky nuk është një mision i pamundur. Megjithatë, është shumë më e lehtë, dhe mjerisht ka më shumë gjasa të kemi një kaos edhe më të madh sesa të zgjidhim atë ekzistues. /Përshtati 'Pamfleti', marrë nga: “European Western Balkans”
Shënim: Nikola Dimitrov, politikan dhe diplomat maqedonas. Ka shërbyer si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut në vitet 2017-2020, dhe zëvendëskryeministër në vitet 2020-2022.
Lini një Përgjigje