
Fragmentimi i madh politik midis shteteve anëtare po bllokon arritjen e autonomisë. Do duhen dekada për të mbyllur hendekun e madh me SHBA-në.
Imagjinoni një botë, ku Evropa Perëndimore do të ishte vërtet në gjendje të përballej në të njëjtën kohë me Putinin dhe Trump. Sikur të ishte vërtet kështu! Por në botën reale, ka pak gjasa që evropianët të bashkojnë mjaftueshëm veprimet e tyre për t’i bërë ballë njërit ose tjetrit.
Por jo të dyve njëkohësisht. Sipas mënyrës klasike, ato do ndahen. Për shembull disa nga vendet e Evropës Lindore dhe shtetet baltike, do të kenë prioritet kundërvënien ndaj Rusisë. Të tjerët, si Franca, janë më të shqetësuar për të forcuar pavarësinë e tyre nga SHBA.
Pastaj është edhe një grupim i tretë që nuk dëshiron përplasje me asnjërin. Brishtësia aktuale e mbrojtjes evropiane, ilustrohet në mënyrë të përkryer nga avioni luftarak F-35. E shitur tek ne nga kompania amerikane Lockheed Martin, në prodhimin e saj janë përfshirë 8 vende dhe ai përdoret nga 14 vende anëtare të NATO-s.
Të gjitha ato bashkëpunojnë midis tyre për çështje si trajnimi dhe mirëmbajtja. Por sipas revistës gjermane “Stern”, kontrata me Gjermaninë parashikon që amerikanët kanë të drejtë të tërheqin në çdo kohë mbështetjen për dorëzimin e avionit dhe mirëmbajtjen e tij, nëse presidenti i SHBA-së mendon se kjo i shërben interesave të sigurisë kombëtare.
Midis zyrtarëve evropianë të sigurisë, flitet se amerikanët mund të përdorin edhe një mekanizëm të quajtur “çelësi vrasës” për të çaktivizuar menjëherë avionët, nëse presidenti i tyre kaotik e sheh të arsyeshme ta bëjë këtë.
Ndërsa s’ka asnjë provë të besueshme se ekziston një gjë e tillë, SHBA-ja zotëron edhe shumë mjete të tjera për të penguar përdorimin e këtyre avionëve, përfshirë refuzimin për t’i mirëmbajtur ose për t’i furnizuar me pjesë këmbimi.
Ndërkohë, Ministritë e Mbrojtjes në Evropë janë të përkushtuara ndaj programit të prodhimit të këtij lloj avioni, pasi i lejon të qëndrojnë nën ombrellën bërthamore të SHBA-së. Franca, e vetmja fuqi bërthamore në BE, nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar një mbrojtjes në shkallë të plotë për anëtarët e tjerë të BE-së, siç ka bërë deri më sot SHBA-ja.
Atëherë, ku mbetet Evropa? Deri tani është rënë dakord për rritjen e shpenzimeve ushtarake. BE-ja do të ndjekë shembullin e Gjermanisë, dhe do ta përjashtojë pjesërisht buxhetin e mbrojtjes nga rregullat fiskale.
Por e vërteta është se asnjë nivel investimesh në mbrojtje, nuk do ta largojë BE-në shumë shpejt nga varësia e saj nga SHBA-ja. Do të duhet të kalojnë dekada për të mbyllur hendekun e madh që ekziston në teknologjinë e mbrojtjes.
Ndërtimi i industrive të tëra nga e para kërkon kohë. Duhen krijuar kompani të reja, zinxhirë furnizimi dhe përvetësuar njohuritë e nevojshme. Evropa është shumë larg teknologjisë së mbrojtjes të shekullit XXI-të, dhe ekspertiza e saj në këtë sektor është dobësuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Një shembull i asaj që ndodh kur humb njohuritë industriale, mund të shihet në sektorin bërthamor civil. Gjermania ndërtonte dikur termocentralet më të mira bërthamore në botë, por ndryshoi qasje, dhe në vitin 2023 mbylli termocentralet e saj të fundit.
Po atë vit, vendi kishte vetëm 8 profesorë aktivë në kërkimin bërthamor, dhe sa për krahasim 173 profesorë në studimet gjinore. Kur e shkatërron një industri, ajo nuk mund të ringrihet sa hap e mbyll sytë. E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtjen.
SHBA është shumë përpara nesh falë dekadave të investimeve në teknologjitë e epokës dixhitale. Që nga “Projekti Manhattan” e në vazhdim, investimet dhe inovacioni ushtarak amerikan ka qenë pionier i të gjitha projekteve civile: transistori në vitin 1947, qarku i integruar një dekadë më vonë dhe teknologjitë e komunikimit në vitet 1960, që u shndërruan në teknologjinë dixhitale të internetit.
Kur SHBA-ja po investonte në Inteligjencën Artificiale, evropianët shqetësoheshin për Marrëveshjen e Gjelbër. Ne i shpenzuam përfitimet e mëdha nga paqja për ndihma sociale. Për pasojë, ushtria gjermane përdor ende sot faksin. Dhe ne jemi po aq dobët në ndërtimin e raketave balistike, satelitëve me AI dhe luftës elektronike.
Prandaj është qesharake të mendohet se mund të arrijmë brenda 5 viteve aftësitë mbrojtëse të Rusisë. Edhe me investimet e duhura, duke pasur parasysh dobësinë e industrisë sonë, duhet t’i shpenzojmë ato për importin e armëve nga SHBA.
Në këtë pikë, kemi problemin shekullor të Evropës: politikë. Nuk ka shenja se shumica politike në Berlin apo Paris, janë të gatshme të shkëmbejnë shpenzimet e mirëqenies sociale për të paguar mbi importimin e armëve nga SHBA.
Italia dhe Spanja po heqin tashmë dorë nga riarmatimi, sepse janë shumë larg Rusisë, por edhe sepse kanë shumë më pak hapësirë fiskale. Thelbi i pozicionit të tyre aktual është fakti se BE-ja nuk është një aleancë ushtarake. Mbrojtja është e përjashtuar haptazi nga tregu i përbashkët.
Britania e Madhe nuk është më pjesë e BE-së, megjithatë ajo është e domosdoshme në ndërtimin e çdo arkitekture sigurie evropiane funksionale. Por kaotike si kurrë më parë, Evropa krijoi pa Londrën një fond prej 150 miliardë eurosh me pjesëmarrjen e Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Kjo na tregon se ata janë ende në qasjen e “punëve si zakonisht”. Një pengesë tjetër për ndërtimin e një mbrojtjeje të fortë, është demografia e Evropës dhe mungesa e të rinjve të gatshëm për t’iu bashkuar ushtrisë. Aktualisht në disa vende të BE-së, ka një mbështetje në rritje për të rivendosur shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Dhe është interesante që pjesa më e madhe e këtij presioni, vjen nga politikanët e së majtës, që vetë e shmangën shërbimin ushtarak kur ishte në fuqi, duke zgjedhur shërbimet sociale. Por edhe nëse do rikthehet shërbimi i detyruar, kjo nuk do t’i jepte Evropës trupat e specializuara që i nevojiten për të drejtuar tanke dhe avionët F35.
Kam dëgjuar për një të ri që donte t’i bashkohej një dekadë më parë ushtrisë gjermane, por u refuzua me arsyetimin se ishte i mbi-kualifikuar. Iu tha se më të favoriz, ishin ata që vinin nga mjedise sociale të vështira.
Gjendja jonë aktuale daton që nga udhëheqja e asaj që cilësohej nga liberalët pro-evropianë si lidere e botës perëndimore, Angela Merkel. Ajo la një trashëgimi të gjatë problemesh të pazgjidhura, përfshirë atë të një Bundeswehr-i të rrënuar.
Por nga të gjitha vendimet e tmerrshme që mori Merkel, deri tani më e rëndësishmja dhe pasojat e të cilave po i ndiejmë tani, ishte refuzimi i saj për të pranuar forcimin e institucioneve të BE-së gjatë krizës financiare të eurozonës në vitin 2012.
Kriza e borxhit sovran, çoi në një rritje të normave të interesit në disa vende evropiane. Për pasojë, BE-ja mbeti e bllokuar në një varësi nga dollari amerikan, nga tregjet financiare të SHBA-së dhe nga mbrojtja e SHBA-së. Nëse BE-ja do të kishte nisur procesin e gjatë drejt një bashkimi fiskal në vitin 2012, mund të ishte pajisur më mirë për t’iu përgjigjur goditjeve gjeopolitike të kësaj dekade.
Mario Draghi, në atë kohë president i Bankës Qendrore Evropiane, arriti të frenonte rritjen e normave të interesit, por u humb beteja për një bashkim politik. Në vitet që pasuan, BE-ja është bërë më e fragmentuar. Dhe në vitin 2022, kur Putin pushtoi Ukrainën, po zbehej debati për integrimin e mëtejshëm.
Tani që Trump është rikthyer në krye të SHBA-së, udhëheqësit e BE-së e kuptuan më në fund se kombinimi i investimeve të pamjaftueshme në mbrojtje dhe mbështetja e tepërt tek SHBA, i ka lënë ata të ekspozuar ndaj goditjeve globale.
Kjo më kujton historinë e një besimtari të devotshëm të krishterë, që ishte bllokuar në një përmbytje. Ai refuzoi përpjekjet e njëpasnjëshme të shpëtimit me varka dhe më pas një helikopter, duke iu lutur gjatë gjithë kohës Zotit që të vinte ta ndihmonte.
Burri u mbyt dhe kur shkoi në Parajsë, e pyeti Zotin përse kishte refuzuar ta ndihmonte. Zoti u përgjigj: “Çfarë doje nga unë? Unë të dërgova 2 varka dhe 1 helikopter”. BE-ja nuk është mbytur ende. Gjendet në një pikë ku mund të zgjedhë midis evakuimit nga një “helikopter” i prodhuar në SHBA, apo në një ‘varkë” të prodhimit evropian. Mendoj se disa evropianë do të zgjedhin “varkën”. Të tjerët “helikopterin”, ndërsa disa nuk do të zgjedhin fare./Pamfleti nga "Unherd"
Lini një Përgjigje