TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2025, 09:40

Polonia nis ndërtimin e Mburojës Lindore, 600 kilometra “fortifikime” për t’i bërë ballë agresionit rus!

Shkruar nga Marco Bresolin

Polonia nis ndërtimin e Mburojës Lindore, 600 kilometra

Varshava synon që të bëhet edhe më serioze në përgatitje, ndaj ka ndarë mënjanë 2.5 miliardë euro për të ndërtuar “Mburojën Lindore”, me të cilën synon që të blindojë 600 kilometrat në kufirin e saj në lindje dhe veri, për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm rus.

Buldozerët e parë nisën nga puna që në fund të tetorit 2024. Ato po gërmojnë kanale anti-tank, përgatisin terrenin për të vendosur barriera të reja fizike, depo municionesh, bunkerë ushtarakë dhe vendstrehime për qytetarët.

Por jo vetëm kaq: programi i sapo nisur nga qeveria polake, planifikon krahas sistemeve më të avancuara anti-dron të ndërtojë edhe llogore, dhe potencialisht fusha të minuara në 200 metrat e parë pranë kufirit me Bjellorusinë dhe në enklavën ruse të Kaliningradit.

Ne duhet të jemi gati për të zmbrapsur sulmet aksidentale apo të qëllimshme nga armiqtë tanë!”-paralajmëron gjenerali Stanislaw Czosnek, zëvendës shefi i shtabit të ushtrisë polake, ndërsa më tregon pikat kryesore të projektit.

Varshava synon që të bëhet edhe më serioze në përgatitje, ndaj ka ndarë mënjanë 2.5 miliardë euro për të ndërtuar “Mburojën Lindore”, me të cilën synon që të blindojë 600 kilometrat në kufirin e saj në lindje dhe veri, për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm rus.

Projekti do të përfundojë në vitin 2028, dhe do të përfaqësojë fortifikimin më të madh ushtarak të ndërtuar ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kryeministri Donald Tusk, shpjegoi se shpenzimet ushtarake këtë vit do të arrijnë pragun rekord prej 4.7 për qind të PBB-së, më i larti ndër vendet e NATO-s.

Për këtë arsye, ai synon që të ushtrojë presion mbi aleatët e saj në NATO, që janë ende larg normës së dakordësuar prej 2 për qind të PBB-së. Në vendkalimin kufitar midis postës polake Polowce dhe asaj bjelloruse Peschatka, kalimi është i bllokuar.

Deri më 1 qershor 2023, ishte e mundur të udhëtoje përgjatë Rrugës 66, por tani midis 2 kufijve ka një zonë tampon, dhe ushtria e Varshavës mban nën vëzhgim territorin e vendit “armik”, me 3 rreshta tetrapodësh prej betoni, një sasi të madhe telash me gjemba, dhe më pas me 3 rreshta pengesash që së shpejti do të bëhen të pranishme në të gjithë kufijtë polakë.

Më tej ndodhet gardhi metalik 5 metra i lartë që shtrihet për 186 kilometra, i ngritur në vitin 2022 për të penguar mbërritjen e emigrantëve “të cilët Bjellorusia i përdor si armë kundër nesh” përsërit vazhdimisht teksa zhyt çizmet e tij në baltë Maciej Duszczyk, zëvendësministër i Brendshëm dhe përgjegjës për çështjet e migracionit.

Por koloneli Mariusz Ochalski, nga njësia e xhenios, siguron se projekti i Mburojës Lindore shkon përtej nevojës për të ngadalësuar atë që ata e përcaktojnë si “rruga artificiale e migrimit”. Objektivi është padyshim më ambicioz: ”Ne duhet t’i kundërpërgjigjemi kërcënimeve dhe të jemi gati për të ndalur tanket ruse.

Falë ndërhyrjeve të bëra, ata nuk mund të kalojnë këtu, dhe tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë në pikat e tjera të kufirit”.

Ai e thotë këtë, duke treguar me kënaqësi tetrapodët prej betoni dhe telat me gjemba “që mbrojnë jo vetëm Poloninë, por gjithë Bashkimin Evropian”. Në anën e kundërt të telave me gjemba nuk ka asnjë gjurmë të ushtrisë bjelloruse, dhe kalimi i vjetër kufitar duket si një kioskë e braktisur në autostradat me pagesë.

A mos po e tepron Polonia me këtë alarmizëm? Nuk kam kohë as ta përfundoj pyetjen dhe përgjigja e kolonelit është e shpejtë: ”Jo!”. Masat e parashikuara nga projekti “Mburoja Lindore” do të zbatohen në varësi të distancës nga kufiri dhe fashës së sigurisë: ajo e kuqe (deri në 15 km), e verdhë (deri në 50 km) dhe jeshile (deri në 100 km).

Gjithsesi, fortifikimi nuk do të jetë homogjen përgjatë gjithë kufirit, por do t’i përshtatet karakteristikave të territorit. “Pengesat natyrore, si lumenjtë dhe pyjet, do të përdoren dhe mundësisht do të forcohen” specifikohet në projekt, i cili do të prekë edhe zonat që aktualisht janë private.

Nuk do të ketë shpronësime, por toka do të blihet si investim. Rreth 50 kilometra në veri të postës Polowce shtrihet pylli i pamasë e i virgjër Bialowieza, që mirëpret vizitorët e shumtë për shkak të historisë së tij 12.000-vjeçare, dhe klasifikimit si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Ai shtrihen në territorin e Polonisë dhe Bjellorusisë, por me ndërtimin e barrierës kundër emigrantëve në paligjshëm, pylli është ndarë në dysh. Siç raportojnë shoqatat ambientaliste, koston për këtë nuk e kanë paguar vetëm pemët qindravjecare, por edhe bizoni i famshëm i këtij pylli, që s’ka më mundësi të lëvizë lirshëm si më parë.

Përtej kufirit në Bjellorusi, emigrantët që vijnë nga Siria, Afganistani, por së fundmi veçanërisht nga Etiopia, Eritrea dhe Somalia (3 kombësitë e para të regjistruara në 2024) vazhdojnë të mbeten të bllokuar. “Ata zbarkojnë në Minsk me avion, shpesh me një vizë ruse në xhep, dhe më pas dërgohen në kufi përmes një sistemi të organizuar”- shpjegon Arkadiusz Skutnik, komandant i ushtrisë polake dhe kreu i grupit të punës që ndihmon rojet kufitare.

Vitin e kaluar, gati 30.000 persona tentuan që të kalojnë ilegalisht kufirin, shifra më e lartë në 3 vitet e fundit. Por hyrje e parregullta të regjistruara në Poloni, janë më pak se 11.000.

Sipas raportit të fundit të organizatës Human Rights Watch, vetëm 8 muajt e parë të vitit 2024, pati rreth 10.000 dëbime të paligjshme. “Gjithçka kryhet sipas ligjit - përgjigjet koloneli Andrzej Stasiule Wacz, zv/komandant i Rojeve Kufitare - dhe këto nuk janë refuzime të paligjshme, pasi ata njerëz u ndaluan pranë kufirit”./Përshtati "Pamfleti" nga  “La Stampa”

Lini një Përgjigje