MAGA në Evropë: Fitorja në Poloni, paralajmërim i fortë për kontinentin
Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Poloni sollën një surprizë të madhe: kandidati i mbështetur nga Donald Trump, Karol Nawrocki, arriti një fitore të pastër ndërkohë që sondazhet e exit poll-it parashikonin humbje. Ky rezultat, i papritur për shumë analistë, është fruti i një fushate të koordinuar nga lëvizja MAGA në SHBA, e cila duket se ka kaluar Atlantikun me qëllimin për të çmontuar Bashkimin Evropian nga brenda.
Vetë Trump e priti Nawrockin në Zyrën Ovale disa ditë para votimeve. Ndërsa Kristi Noem, figurë kyçe e administratës, udhëtoi enkas në Poloni për ta mbështetur, nga aeroporti i Jasionka-s, pikë nevralgjike logjistike për ndihmat ushtarake drejt Ukrainës. Madje, mediat zbuluan se kjo lëvizje kishte edhe efekt simbolik: në po atë vend, ushtarët amerikanë kishin njoftuar se do të tërhiqeshin nga Evropa.
Kjo fitore nuk është vetëm elektorale. Ajo shënon suksesin e parë madhor të Projektit 2025: një dokument strategjik i hartuar nga lëvizja MAGA, që në thelb synon shkatërrimin e rendit aktual liberal ndërkombëtar, ku BE zë një vend thelbësor. Projekti parashikon të zëvendësojë vlerat e bashkëpunimit dhe ligjit me sovranizmin unilateral, dhe ka gjetur në Poloni terrenin ideal për të lulëzuar.
Por Evropa po reziston. Siç treguan votimet në Kanada dhe Rumani, projekti MAGA nuk ka mbështetje universale. Gjithsesi, ai po avancon me shpejtësi, duke shfrytëzuar krizën e rritjes, pasiguritë në fushën e sigurisë dhe një rryme të përgjithshme kundër elitave tradicionale.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po i shtojnë flakën zjarrit të kaosit global. Tarifat tregtare po shpallen dhe pezullohen me ritme të pakontrollueshme, duke krijuar një "luftë idiote" që godet veçanërish Evropën. Inflacioni në SHBA po rritet, dollari po humbet rolin e tij si valutë e sigurt, dhe ekonomia amerikane ndodhet në prag recesioni. Ironikisht, tarifat që synonin rritjen e prodhimit amerikan, po pengojnë pikërish proceset industriale që filluan në epokën e Biden-it.
Parimi i Trump se "mbrojtja e vendit tënd është mbi ligjin", i artikuluar së fundmi, është sinjal i qartë i asaj që po vjen: një epokë ku interesat e ngushta kombëtare do të justifikojnë gjithçka. Por kostoja është kolosale, si për SHBA-në ashtu edhe për aleatët e saj. Boshllëkun strategjik që po le Trump, Evropa duhet ta mbushë vetë, ndryshe rrezikon të zhytet në një epokë ku rendi në vend të udhëhiqet, do të imponohet./Pamfleti
Lini një Përgjigje