TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shkurt 2024, 13:04

Plani i Kinës për ta organizuar tregtinë botërore sipas kushteve të veta

Shkruar nga James Kynge & Keith Fray
Plani i Kinës për ta organizuar tregtinë botërore sipas
Presidenti i Kinës Xi Jinping /

Kina po i përshpejton përpjekjet e saj për të ndërtuar një arkitekturë tregtare alternative, e cila të jetë e izoluar nga ndikimi i SHBA-së dhe e përqendruar më shumë tek vendet në zhvillim. 

Që gjatë periudhës së “muajit të mjaltit”, e cila i parapriu anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, një pushim që ashtu siç e thotë edhe një shprehje e vjetër kineze, Uashingtoni dhe Pekini “ndanin të njëjtin shtrat, por shihnin ëndrra të ndryshme”.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e përshëndeti anëtarësimin e Kinës si një “largim të qeverisë së Pekinit nga pjesa më e madhe e jetës së njerëzve” dhe si një promovim të reformave politike. Por udhëheqësi i atëhershëm i Kinës, Jiang Zemin, kishte një pikëpamje të ndryshme.

Ai paralajmëroi se motivi i vërtetë i Amerikës ishte “shkatërrimi dhe përçarja e vendeve socialiste”. Më shumë se 20 vjet më vonë, ai fërkim i hershëm ka krijuar shumë metastaza. OBT, e cila mban këtë javë konferencën e saj të radhës në nivel ministrash, ka rënë viktimë e ndarjeve të forta midis SHBA-së dhe Kinës, teksa po përshkallëzohen tensionet midis tyre.

Dhe ndërsa po tronditet struktura aktuale e tregtisë botërore, Kina po i përshpejton përpjekjet e saj për të ndërtuar një arkitekturë tregtare alternative, e cila të jetë e izoluar nga ndikimi i SHBA-së dhe e përqendruar më shumë tek vendet në zhvillim.

Në këtë aspekt, strategjia kryesore e Pekinit, është të përfitojë nga lidhjet me “Jugun Global” të nxitura përmes nismës së saj të Brezit dhe Rrugës (BRI) prej 1 trilionë dollarësh, një program investimi i nisur që në vitin 2013, dhe që ka si pjesëmarrës më shumë se 140 vende në Azi, Afrikë, Amerikën Latine dhe gjetkë.

Arkitektura në ndërtim e sipër sillet rreth një rrjeti që ka në qendër “marrëveshjet e tregtisë së lirë dypalëshe dhe rajonale (MTL)”, të cilat lejojnë tregtinë me tarifa të ulëta duke promovuar edhe flukset e investimeve direkte, thonë zyrtarët kinezë dhe ekspertët e tregtisë.

Ky rrjet - që përfshin 28 vende dhe territore, të cilat blejnë afro 40 për qind të eksporteve të Kinës - nënkupton se do të rrëzohet de fakto mandati i OBT-së për ta mbajtur botën të hapur për tregtinë e liberalizuar, dhe se Kina do të ketë të paktën një sistem rezervë të pjesshëm.

Asnjë nga MTL-të e Kinës, nuk përfshin SHBA apo vende brenda BE-së. “Kina e ndjeu se duhej të ndërtonte një sistem alternativ që i shërbente interesave të saj”- thotë Henry Gao, profesor i së drejtës në Universitetin e Menaxhimit në Singaporit dhe këshilltar në Organizatën Botërore të Tregtisë.

“Dhe kjo alternativë bazohet kryesisht në BRI, tek e cila Kina po përpiqet në mënyrë progresive të zhvendosë eksportet e saj nga tregjet tradicionale si SHBA dhe BE”- shton Gao.

Përpjekja e Kinës për të mbrojtur tregtinë e saj, pasqyron ankthin e vjetër të Pekinit për degradimin e sistemit tregtar global të pas Luftës së Dytë Botërore, një kërcënim që vetëm sa është përshkallëzuar që nga viti 2018, kur presidenti i atëhershëm i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa të larta për tregtinë e Amerikës me Kinën.

Vlerat e tregtisë globale, parashikohet të kenë rënë me 5 për qind vitin e kaluar, pasi sipas UNCTAD, një organ zhvillimi i OKB-së, u rrit ndjeshëm pasi numri i “masave kufizuese tregtare”, ku përfshihen tarifat dhe masat jo-tarifore. Tendenca kryesore për sistemin tregtar global, është shfaqur në formën e një prishjeje të sistemit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së që nga viti 2019.

Mosfunksionimi i organit të apelit në OBT-së - gjykata më e lartë e apelit për tregtinë botërore - ka bërë që shumë mosmarrëveshje tregtare me vlera miliarda dollarësh të lihen në harresë, duke e bërë tregtinë më të kushtueshme dhe më të komplikuar.

Shumica e analistëve nuk parashikojnë skenarë drastikë, siç është shpërbërja e OBT-së.

Por disa ekspertë, po thonë se sfidat e shumta me të cilat përballet kjo organizatë - përfshirë subvencionet e mëdha industriale në disa vende të mëdha tregtare dhe krijimi i arkitekturave paralele të MTL-së si ato që po ndërton Kina - mund ta dobësojmë shumë.

“Kërcënimet e shumta, sugjerojnë se e ardhmja për OBT-në nuk është aspak e garantuar, edhe pse s’ka gjasa të ndodhë një kolaps apo largim i papritur i ndonjë anëtari me shumë peshë”- shkroi Mark Linscott, ish-ndihmës përfaqësues i tregtisë së SHBA-së, në një dokument për Këshillin Atlantik, një institut kërkimor me qendër në Uashington.

“Nëse do të vazhdojnë politikat industriale, mund të bjerë autoriteti i OBT-së”- shtoi ai. Nënshkrimi i MTL-ve dypalëshe dhe rajonale, janë një prioritet për udhëheqësin autoritar të Kinës, Xi Jinping. “Kina do të përpiqet të ndërtojë një mjedis më të hapur dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e vendit. Ajo do të zgjerojë rrjetin global të zonave të tregtisë së lirë me standarde të larta”- tha Xi në një fjalim në shtator të vitit të kaluar.

Një zyrtar kinez i tregtisë, që nuk pranoi t’i përmendet emri, e rikonfirmon edhe më me forcë këtë qëndrim. “Kina luan rolin kryesor në tregtinë e lirë, ndërsa SHBA dhe BE po bëhen më proteksioniste. Ne duhet të përshpejtojmë nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe të sigurojmë cilësinë e tyre, që të krijojmë një hapësirë ​​të mjaftueshme për zhvillimin e Kinës”-thotë zyrtari kinez.

Llogaritjet e “Financial Times”, zbulojnë një përparim domethënës në këtë aspekt. Eksportet e mallrave të Kinës në të gjitha vendet dhe territoret e mbuluara nga rrjeti i saj i MTL-ve, përbënin rreth 38 për qind të eksporteve të saj në mbarë botën në 12 muajt deri në fund të tetorit të vitit të kaluar.

Duke pasur parasysh se gjatë kësaj periudhe, Kina - si eksportuesja më e madh në botë - dërgoi rreth 3.43 trilion dollarë në mbarë botën, rrjeti i saj i MTL-ve arkëtoi në total afro 1.3 trilion dollarë. Për në këtë kontekst, Kina eksporton më shumë në rrjetin e saj të MTL-ve sesa eksportuesit e katërt dhe të pestë më të mëdhenj në botë, Holanda dhe Japonia, shënuan në të gjithë botën gjatë vitit 2022.

Krijimi i rrjeti të gjerë MTL-ve nga Kina, mori një shtysë pasi kriza financiare e vitit 2008, nguliti në Pekin një ndjenjë të thellë ankthi mbi stabilitetin e ekonomisë botërore. Një MTL Kinë-Singapor në fund të vitit 2008, u pasua në vitin 2010 nga një marrëveshje ngjashme Kinë-Asean me të 10 vendet që përbëjnë grupimin e madh ekonomik të Azisë Juglindore.

Por ishte pasi SHBA-ja e përjashtoi Kinën nga bisedimet për t’u bashkuar me Partneritetin Trans-Paqësor, një marrëveshje e madhe tregtare shumëpalëshe që u nënshkrua në vitin 2016, Pekini krijoi Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal (RCEP) me 15 vende, një marrëveshje e tregtisë së lirë rajonale e cila hyri në fuqi në vitin 2022.

Anëtarët e RCEP kontribuojnë me rreth 1/3 PBB-së botërore. Por Pekini nuk po ndalet vetëm me kaq. Aktualisht është duke negociuar 10 marrëveshje të reja, të cilat, duke mos përfshirë ato që janë përmirësime të MTL-ve tashmë në fuqi, do të përbëjnë rreth 4.3 për qind shtesë të eksporteve të saj globale.

Ndërkohë, po kryhen studimet e fizibilitetit edhe për 8 MTL të tjera, që nëse përfundohen, do të përbëjnë afërsisht 2.6 për qind eksporte kineze shtesë nëpër botë. Në terma afatgjatë, fokusi i Pekinit do të jetë në drejtimin e mëtejshëm të tregtisë së tij drejt botës në zhvillim, duke përdorur lidhjet e tij me më shumë se 140 vende të mbuluara nga BRI dhe duke nënshkruar MTL me to aty ku është e mundur, thonë ekspertët kinezë.

Në një shkallë të theksuar, shtrirja e MTL-ve të Kinës ndjek edhe interesat e saj gjeopolitike. Një prioritet është një projekti i MTL me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), një bashkim i shteteve arabe Bahreinit, Kuvajtit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

GCC përfaqëson një interes jetik strategjik për Kinën. Kina eksportoi jo vetëm 112.5 miliardë dollarë produkte në këtë rajon vitin e fundit, por po mbështetet tek eksportuesit e karburanteve fosile për rreth 40 për qind të importeve të saj të naftës.

Përtej kësaj, kompanitë kineze të teknologjisë si Huawei, një gjigant i telekomunikacionit i sanksionuar nga SHBA, kanë ndihmuar në instalimin e infrastrukturës bazë në disa vende të këtij rajoni. Një rajon tjetër ku po fokusohet që Kina është kontinenti afrikan. Hartimi në vitin 2018 i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Kontinentit Afrikan (AfCFTA), të cilën e kanë nënshkruar 54 vende afrikane, krijon një mundësi të madhe për Kinën./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

Marrë me shkurtime

plani i kinës tregtia botërore

Lini një Përgjigje