Dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë mbetën të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, pas një shkëmbimi zjarri që u shënua sot në lagjen Moulins të qytetit të Nicës, në jug të Francës. Lajmi u konfirmua nga prefekti i Alpes-Maritimes, Laurent Hottiaux.
Sipas autoriteteve franceze, të shtënat ndodhën pranë sheshit “Amaryllis”, ndërsa në zonë vijon një operacion i gjerë policor për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
“Të gjitha shërbimet policore janë mobilizuar për të gjetur autorët, të cilët aktualisht janë në arrati, dhe për t’i vënë përballë drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi prefekti Hottiaux në platformën X.
Ai u bëri thirrje banorëve të shmangin zonën dhe të mos pengojnë operacionet e sigurisë.
Kryetari i bashkisë së Nicës, Éric Ciotti, reagoi duke e cilësuar ngjarjen “një tjetër shkëmbim zjarri të tmerrshëm”, ndërsa kërkoi më shumë mbështetje nga shteti francez për luftën kundër trafikut të drogës.
“Lufta kundër trafikut të drogës nuk mund të përfundojë me një disfatë për Republikën. Nica pret një përgjigje të përshtatshme, veçanërisht në aspektin e personelit policor, që qytetit i ka munguar prej vitesh”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të larta në Nicë, ku gjatë ditëve të fundit janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, të lidhura sipas autoriteteve me përplasjet mes grupeve të trafikut të drogës.
Vetëm një ditë më parë, prefekti i Alpes-Maritimes kishte njoftuar kërkesën për përforcime të konsiderueshme të policisë në zonat më problematike të qytetit, me synim rikthimin e sigurisë.
Lagjja Moulins është përballur vazhdimisht me episode të dhunshme. Në tetor të vitit të kaluar, persona të armatosur hapën zjarr nga një automjet në një shesh të zonës, duke vrarë dy persona që, sipas hetimeve, nuk kishin lidhje me trafikun e drogës.
Po ashtu, në korrik 2024, shtatë anëtarë të së njëjtës familje, mes tyre tre fëmijë dhe një adoleshent, humbën jetën në një zjarrvënie që kishte si objektiv një apartament të lidhur me trafikun e drogës.
Lini një Përgjigje