
Takimi mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ka përfunduar. Sipas mediave greke ky takim zgjati për 1 orë e 20 minuta, ku u diskutuan çështje si kriza në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe kërkesa e Greqisë për të blerë avionët F-35.
Mitsotakis e ka pritur Blinkenin në rezidencën e tij në Kretë, ku dhe i ka treguar gjirin e Soudës dhe bazën amerikane, ndërsa sipas informacioneve të mediave greke, kryeministri e ka qerasur me raki dhe i ka dhuruar çorape.

“Marrëdhëniet dypalëshe Greqi-SHBA janë në pikën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë”, tha Kyriakos Mitsotakis në një deklaratë të shkurtër para kamerave, gjatë takimit të tij me Sekretarin e Shtetit amerikan.
Mitsotakis i uroi mirëseardhjen Anthony Blinken në shtëpinë e tij në Chania, duke theksuar se ishte një kënaqësi e vërtetë të mirëpriste zyrtarin amerikan në gjirin Souda, dhe se ishulli i Kretës e simbolizon më së miri partneritetin mes dy vendeve.

“Në këto kohë të vështira dhe sfiduese për rajonin, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të qëndrojmë krah për krah, jo vetëm për të punuar për të forcuar më tej marrëdhëniet tona, por edhe për të vepruar si aleatë dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Përsëri, kam kënaqësi të vërtetë t’ju mirëpres këtu”, tha Mitsotakis.
Ndërsa Blinken u shpreh se mes Greqisë dhe SHBA-së marrëdhëniet nuk kanë kurrë më parë më të forta se tani.
“Jam plotësisht dakord me atë që thatë për marrëdhëniet dypalëshe. Në 30 vjet që kam bërë këtë punë nuk kujtojë asnjë periudhë tjetër kur miqësia, marrëdhëniet mes SHBA dhe Greqia të jenë më të forta”, u shpreh Blinken.
Në mbyllje, Blinken theksoi se ka shumë çështje që do të diskutojnë, por bashkëpunimi dhe aleanca e Greqisë do të thotë shumë për Shtetet e Bashkuara.

Pas takimit privat mes Mitsotakis dhe Blinken, pasoi një takim pune, ku morën pjesë ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, zv. ministrja e Punëve të Jashtme, Alexandra Papadopoulou, ambasadori i SHBA-së në Athinë, George Tsounis dhe zv. Stafi i Departamentit të Shtetit, Tom Sullivan.

Vizita e Blinken në Greqi u zhvillua si pjesë e turneut të tij në vendet e Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor, mes frikës për një zgjatje të luftës në Gaza.
Në total, turneu përfshin Izraelin dhe Bregun Perëndimor, Turqinë, Greqinë, Jordaninë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.

Lini një Përgjigje