TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Shkurt 2026, 10:19

Perëndimi midis frikës nga Lufta e Tretë Botërore dhe pamundësisë për t’u mbrojtur

Shkruar nga Giacomo Bondi
Perëndimi midis frikës nga Lufta e Tretë Botërore dhe
Donald Trump /

Ndërsa sondazhet regjistrojnë një frikë në rritje për një konflikt global brenda pesë viteve, udhëheqësit e mbledhur në Bavari duhet të përballen me një paradoks: publiku kërkon më shumë siguri, por refuzon të paguajë çmimin për të. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të epokës Trump nuk konsiderohen më një aleat i besueshëm…

Konferenca e 62-të e Sigurisë në Mynih u hap dje me një pyetje që deri vonë do të kishte qenë e paimagjinueshme: nëse Moska do të sulmonte nesër Narvën, qytetin estonez në kufi me Rusinë, a do të ndërhynin ende Shtetet e Bashkuara?

A zbatohet ende Neni 5 i NATO-s - parimi sipas të cilit një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve - pas kërcënimeve të Donald Trump ndaj Danimarkës për Grenlandën, pas akuzave për “shpërbërje” të Bashkimit Evropian dhe paqartësisë së tij ndaj Vladimir Putinit?

Askush nuk mund të përgjigjet me siguri. Dhe ky është tashmë një fakt historik.

Shifrat nga sondazhi i Politico-s, i publikuar në prag të konferencës, janë të padiskutueshme: 46 për qind e amerikanëve dhe 43 për qind e britanikëve besojnë se Lufta e Tretë Botërore do të shpërthejë brenda pesë vjetësh, pra deri në vitin 2031.

Në Francë dhe Kanada, shumica e konsideron këtë skenar të mundshëm. Vetëm Gjermania mbetet skeptike, ndonëse edhe atje perceptimi i pasigurisë ka pësuar një rritje të ndjeshme që nga marsi i vitit 2025.

Rusia shihet si kërcënimi kryesor për paqen në Evropë, por gjetja më e habitshme është një tjetër: në Francë, Gjermani dhe Britani, kërcënimi i dytë më i cituar janë vetë Shtetet e Bashkuara, duke lënë pas edhe Kinën. Në Kanada, Amerika e Trumpit konsiderohet faktikisht burimi kryesor i rrezikut për sigurinë kombëtare.

Këto nuk janë thjesht ndjenja kalimtare. Raporti i Sigurisë i Mynihut 2026, i botuar këtë javë, e cilëson si një “politikë shkatërruese” qasjen e administratës Trump. Për herë të parë në më shumë se 80 vjet, po shpërbëhet rendi ndërkombëtar i ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara në periudhën e pasluftës.

Multilateralizmi, integrimi ekonomik dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut - të gjitha shtyllat e këtij rendi - po çmontohen sistematikisht. Megjithatë, përballë këtij perceptimi të rrezikut, opinioni publik evropian refuzon të paguajë faturën e sigurisë. Këtu shpaloset edhe paradoksi më dramatik i konferencës: në teori, shumica në Francë, Gjermani, Britani dhe Kanada mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, por kur shpjegohet se kjo do të thotë më shumë borxh publik, shkurtime në shërbimet sociale apo taksa më të larta, mbështetja bie ndjeshëm.

Në Francë, ajo bie nga 40 në 28 për qind, ndërsa në Gjermani nga 37 në 24 për qind. Për gjermanët, mbrojtja është bërë një nga fushat më pak të preferuara për investimin e parave publike.

“Udhëheqësit evropianë janë të bllokuar” - thotë Seb Wride nga Public First. “Ata nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja, por as nuk munden ta përdorin këtë si argument për të investuar më shumë në vend, ndërkohë që presioni rritet dita-ditës”- shton ai.

Mbi 50 krerë shtetesh dhe qeverish janë mbledhur këtë fundjavë në Mynih, të ndarë mbi thuajse çdo çështje. Presidenti francez Emmanuel Macron e quan administratën Trump “haptazi anti-evropiane” dhe propozon ofrimin e ombrellës bërthamore franceze për një Evropë që nuk mund të mbështetet më te Uashingtoni.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kundërpërgjigjet duke thënë se “kushdo që mendon se Evropa mund të mbrohet pa SHBA-në, thjesht po ëndërron”. Ndërkohë, NATO njoftoi një riorganizim të strukturës komanduese që është shumë më tepër se një lëvizje teknike. Ai është një sinjal i qartë i tërheqjes amerikane. SHBA-ja po ia dorëzon Komandën e Norfolkut Britanisë dhe atë të Napolit Italisë, duke mbajtur vetëm komandën detare në Northwood. Megjithatë, ekziston një “elefant në dhomë” për të cilin pak kush flet hapur.

Në takimin e Ministrave të Mbrojtjes, SHBA-ja nuk dërgoi Sekretarin e Mbrojtjes, por Elbridge Colby-n, teoricienin e zhvendosjes së vëmendjes së Uashingtonit drejt Azisë. Mesazhi i tij ishte i prerë: Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për mbrojtjen e saj konvencionale.

Por rritja e shpenzimeve nuk mjafton. Duhen rezultate dhe aftësi të vërteta luftimi, jo vetëm rritje e përqindjeve të PBB-së për mbrojtjen. Dhe pikërisht këtu qëndron hendeku i vërtetë. Parandalimi modern nuk matet më me tanke, por me Inteligjencë Artificiale, sisteme autonome dhe gjysmëpërçues të përparuar - fusha ku Evropa nuk dominon.

Në këto kushte, ajo përballet me një trilemë: të ndërtojë sovranitet teknologjik (që kërkon 10 vjet kohë), të rrisë varësinë nga platformat amerikane (gjë që e vret autonominë), ose të blejë sisteme IA nga Uashingtoni (e pamundur me një administratë që kërcënon BE-në).

Pra, Colby pretendon diçka që kërkon besim te SHBA (që nuk ekziston), kohë (që po mbaron), para (që publiku nuk i jep) dhe koordinim midis 27 vendeve (që mbetet një sfidë).

Në Mynih janë të pranishëm edhe demokratë si Gavin Newsom dhe Alexandria Ocasio-Cortez, mesazhi i të cilëve është “kundërshtoni Trumpin”. Por shumë njerëz besojnë se rendi i vjetër i bazuar në rregulla ka vdekur, duke u zëvendësuar nga një botë ku fuqitë e mëdha bëjnë pazare mbi kurrizin e të tjerëve.

Kjo pasqyrohet te situata në Ukrainë, ku lufta po hyn në vitin e saj të pestë. Trump kërkon një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Putinit brenda pak muajsh, ndërsa J.D.Vance ka deklaruar prerë se “kjo nuk është lufta jonë”.

Evropa duhet të vendosë: të presë kthimin e mundshëm të demokratëve në pushtet në vitin 2028, apo të përgatitet për një botë ku siguria nuk mund t’i delegohet më Uashingtonit.

Problemi është se kjo botë e re, kërkon aftësi teknologjike, industriale dhe financiare që aktualisht nuk ekzistojnë në kontinentin tonë. Midis frikës nga lufta dhe pamundësisë për t’u vetëmbrojtur, po luhet drama e një Perëndimi që nuk po e njeh më vetveten./Përgatiti Pamfleti nga "Linkiesta"

frika e perëndimit lufta e tretë pamundësia për tu mbrojtur

Lini një Përgjigje