Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov zhvilluan një bisedë të shkurtër të enjten gjatë samitit të G20-s që po mbahet në Nju Delhi të Indisë.
Ky është takimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve pas disa muajsh, dhe vjen pasi tensionet midis Uashingtonit dhe Moskës janë rritur për shkak të luftës Ukrainë-Rusi.
Ndërkohë që zyrtarët amerikanë thanë se Blinkeni dhe Lavrovi biseduan për rreth 10 minuta në margjinat e konferencës së G20-s dhe diskutuan për tri pika, si ajo që SHBA-ja do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa duhet për t’i dhënë fund luftës, se Rusia duhet ta ndryshojë vendimin e saj pas pezullimit të pjesëmarrjes në traktatin bërthamor, dhe se Moska duhet ta lirojë të arrestuarin amerikan, Paul Whelan.
Zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se Blinkeni nuk pret që të ketë ndonjë ndryshim në sjelljen e Rusisë në një të ardhme të afërt. Rusia ende nuk e ka komentuar takimin, por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Blinkeni kishte kërkuar të fliste me Lavrovin.
Lavrov dhe Blinken për herë të fundit janë takuar në janar të vitit 2022 në Gjenevë, kur kryediplomati amerikan paralajmëroi kundër pushtimit. Blinken më pas anuloi një takim të ri me Lavrovin kur u bë e qartë se Rusia kishte vendosur ta sulmonte Ukrainën, gjë që ndodhi më 24 shkurt 2022.
Lini një Përgjigje