
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurin, Josep Borrell tha se partneriteti i Kinës me Rusinë ka kufij dhe Evropa duhet të mirëpresë të gjitha përpjekjet e Pekinit për t’u distancuar nga lufta e Moskës në Ukrainë.
Deklaratat e tij erdhën pas samitit të kësaj jave ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping. Të dy udhëheqësit deklaruan një partneritet “të pakufishëm” në shkurt të vitit 2022, vetëm disa ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën.
Megjithatë, Borrell tha se Kina, ndonëse ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, ajo nuk ka krijuar një aleancë ushtarake me Moskën dhe nuk ka dërguar armë për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.
“Duket se kjo miqësi e pakufizuar ka disa kufij. Kina, për ne, nuk ka kaluar asnjë vijë të kuqe”, tha Borrelli.
Ai shtoi gjithashtu se së shpejti do të vizitojë Kinën, megjithëse data e udhëtimit ende nuk është caktuar.
Borrell tha ndër të tjera se propozimet e Pekinit për t’i dhënë fund luftës tregojnë se ai nuk dëshiron të rreshtohet plotësisht me Rusinë dhe se BE-ja duhet ta mirëpresë këtë, madje edhe nëse zyrtarët perëndimorë e kanë bërë të qartë se nuk e shohin iniciativën e Pekinit si një plan paqeje të plotë. Kjo sipas tij për faktin se Kina dëshiron të luajë rolin e “lehtësuesit” dhe jo të ndërmjetësuesit.
Lini një Përgjigje