Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se Partia Demokratike është pro projektligjit për rritjen e pagës mesatare.
Ai e ka konsideruar atë një vendim shumë të vonuar dhe të pastudiuar.
“Me inflacionin në rritje, me çmime të çmendura që nuk bien këtu në Shqipëri as kur bien çmimet në botë, rritja e pagave, ndonëse është lëvizja e duhur, nuk do të ndihet aq shumë nga përfituesit. Ne vazhdojmë të blejmë me çmime shumë të larta, në një treg të deformuar nga oligarkët e qeverisë. Kështu që një pjesë të mirë të rritjes do ta gllabërojë inflacioni dhe çmimet e larta. Pjesën tjetër do ta gllabërojë korrupsioni i qeverisë dhe njerëzit do ta ndiejnë pak ose aspak këtë rritje. Për shkak të korrupsionit, njerëzit do të marrin shërbime me cilësi më të ulët, me çmime më të larta”- tha Bardhi, duke shtuar se me korrupsionin, është e kuptueshme që të vijnë radhë edhe varfëria, informaliteti dhe pasiguria e qytetarëve në vend.
Sipas Bardhit, “që një rritje e tillë pagash ndodh për herë të parë në Shqipëri, kjo është një mashtrim gjigand” që i shkon përshtat vetëm Edi Ramës.
I ndalur tek mesazhi i kryeministrit Edi Rama se familjet dhe bizneset e vogla janë ndihmuar nga dora e qeverisë duke mos e paguar të plotë faturën e energjisë, Bardhi tha se: “Ka një thënie të famshme, që na kujton gjithnjë se nuk është qeveria ajo që paguan pagat. Është konsumatori ai që i paguan. Qeveria vetëm i menaxhon. Faktet tregojnë se në këto 10 vite, i ka menaxhuar keq.”,
Lini një Përgjigje