
Shpresat për rifillimin e dialogut që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme kanë sjellë një lehtësim të përkohshëm në tregjet globale të naftës, me çmimet që kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi.
Edhe pse bisedimet e zhvilluara gjatë fundjavës në Islamabad mes palëve rivale përfunduan pa rezultat, një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se kontaktet diplomatike vijojnë dhe se është arritur njëfarë progresi drejt një marrëveshjeje. Në të njëjtën linjë, edhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif konfirmoi se përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit janë ende në proces.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka kontaktuar duke shprehur gatishmëri për marrëveshje, por theksoi se SHBA nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që i lejon Teheranit të zhvillojë armë bërthamore.
Që prej nisjes së konfliktit më 28 shkurt mes SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër, Teherani ka kufizuar kalimin në Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar vetëm anijet e veta ose ato që pranojnë kushtet dhe tarifat e vendosura prej tij.
Kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale, pasi përpara konfliktit rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes kësaj rruge strategjike detare.
Uashingtoni ka paralajmëruar masa kundër anijeve iraniane dhe atyre që bashkëpunojnë me Teheranin, ndërsa ka deklaruar se çdo mjet detar iranian që i afrohet bllokadës do të neutralizohet. Nga ana tjetër, Irani ka kërcënuar me kundërpërgjigje ndaj forcave detare dhe objektivave në rajonin e Gjirit.
Sipas të dhënave të gjurmimit detar, cisterna kineze “Rich Starry” ka kaluar në Ngushticë të martën, duke u bërë anija e parë që e realizon këtë që nga vendosja e bllokadës amerikane një ditë më parë. Më herët, anija kishte ndryshuar kurs përpara se t’i afrohej zonës.
Bllokada amerikane ka shtuar pasiguritë për furnizimin global me energji dhe zinxhirët e furnizimit, ndërkohë që nuk duket të ketë mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Aleatët e NATO-s, si Britania dhe Franca, kanë bërë të qartë se nuk do të përfshihen në këtë bllokadë, duke theksuar nevojën për rihapjen e rrugës detare.
Pavarësisht dështimit të raundit të fundit të bisedimeve, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se ka pasur “përparim të konsiderueshëm” dhe se SHBA ka sqaruar qartë vijat e kuqe dhe hapësirat për kompromis.
Sipas tij, qëndrimi bazë i Uashingtonit mbetet largimi i plotë i materialeve të pasuruara bërthamore nga Irani dhe krijimi i një mekanizmi të besueshëm verifikimi që garanton se vendi nuk po zhvillon armë bërthamore.
Lini një Përgjigje