
Marrëveshja për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, që i dha fund mbi dy viteve lufte në Gaza, ka pasur në prapaskenë një ndërmjetës kyç: Turqinë e presidentit Rexhep Taip Erdogan. Përfshirja e Ankarasë në tryezën e negociatave, së bashku me Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, ka rezultuar thelbësore në raundin e tretë të bisedimeve që çuan drejt një marrëveshjeje të ndjeshme për paqe në një nga konfliktet më të gjata dhe më të përgjakshme të dekadës së fundit në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili e prezantoi marrëveshjen si një “përparim historik”, falënderoi edhe Turqinë mes vendeve ndërmjetëse. Në të njëjtën linjë, Erdogan, gjatë fjalimit të tij në hapjen e vitit akademik në Qendrën Kombëtare të Kulturës dhe Kongreseve në Beştepe, deklaroi se Turqia kishte qenë e angazhuar që në fazat e para të këtij procesi. Ai tha se kishte diskutuar me Trump që më 25 shtator në Shtëpinë e Bardhë dhe kishin rënë dakord për një kornizë të përbashkët për arritjen e paqes.
Sipas presidentit turk, elementët kyç të këtij konsensusi përfshijnë dorëzimin e menjëhershëm të ndihmave humanitare në Gaza, shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, ndalimin e sulmeve ajrore izraelite dhe tërheqjen e forcave sipas kufijve të dakordësuar. Erdogan theksoi se prania e Turqisë përkrah Katarit dhe Egjiptit kishte ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimin më të moderuar të Hamasit ndaj marrëveshjes, duke e orientuar këtë të fundit drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.
Por për Ankaranë, ky rol ndërmjetës nuk është vetëm simbolik. Erdogan e shfrytëzoi këtë moment për të shpallur publikisht se Turqia do të përfshihet në mënyrë aktive në rindërtimin e Gazës, duke bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar popullsinë palestineze të ringrihet. Ai e cilësoi sjelljen e Hamasit si “të mençur dhe të kujdesshme”, duke e quajtur këtë organizatë “një lëvizje rezistence”. Më tej, ai njoftoi se Turqia do të jetë pjesë e task-forcës që do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes në terren dhe se do të ndjekë me kujdes çdo detaj të realizimit të saj.
Kjo do të thotë se Ankaraja synon të zgjerojë ndikimin e saj në Gaza, duke u pozicionuar si një faktor i rëndësishëm jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në planin praktik dhe politik. Një prani e tillë do të shërbejë si kundërpeshë ndaj përpjekjeve të Tel Avivit për të kontrolluar procesin e paqes sipas kushteve të veta. Në këtë mënyrë, Turqia tenton të rrisë rolin e saj në baraspeshimin e forcave në rajon, nga Siria deri në Qipro, përballë hegjemonisë ushtarake dhe diplomatike të Izraelit.
Ndërhyrja turke në këtë proces gjithashtu e forcon frontin e vendeve që mbështesin një zgjidhje paqësore dhe i jep kauzës palestineze një peshë më të madhe në tryezën ndërkombëtare. Sipas gazetës izraelite Haaretz, Turqia ka luajtur një rol kyç duke ndërmjetësuar drejtpërdrejt mes Hamasit dhe SHBA-së përmes diplomacisë së udhëhequr nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan. Kjo diplomaci shmangu përballjen e drejtpërdrejtë me Izraelin dhe solli fryt konkret në negociata.
Erdogan, në kthimin e tij nga Azerbajxhani, konfirmoi se gjithçka ndodhi me kërkesë personale të Donald Trump, i cili e kishte ftuar ta bindte Hamasin për të pranuar kushtet e paqes. Gjatë gjithë këtij procesi, Ankaraja mbajti kontakte të vazhdueshme me udhëheqësinë e Hamasit, përfshirë ish-kreun e saj Khaled Meshaal, i cili jeton në Turqi dhe përflitet si një figurë me rol të mundshëm në të ardhmen politike të Gazës.
Në raundin final të negociatave në Sharm el-Sheikh, Turqia ishte përfaqësuar nga Ibrahim Kalın, pasuesi i Hakan Fidan në krye të MIT-it (shërbimi informativ turk). Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, roli i Turqisë në politikën rajonale është forcuar ndjeshëm dhe nga zbatimi i saj do të varet se sa larg do të shkojë ky ndikim në të ardhmen, në një kohë kur balancat e Lindjes së Mesme janë më të paqarta se kurrë. /Inside Over
Pa Amerikën, ruajtësen e paqes dhe barrikadën e madhe dhe të sigurtë ndaj forcave regresiste, xhihadiste, komuniste dhe fondamentaliste kudo në botë, nuk do të mundej, që bota të jetojë në paqe dhe prosperitet. Jo Turqia, por as e gjithë bota bashkë, nuk bëjnë dot atë që bën e vetme Amerika!