
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro ka shkaktuar zemërim në Uashington, pasi akuzoi SHBA-në për vrasjen e qytetarëve kolumbianë gjatë një sulmi të kohëve të fundit ndaj një anije në Detin e Karaibeve.
“Një teatër i ri lufte është hapur: Karaibet”, ka shkruar Petro në llogarinë e tij zyrtare në X të mërkurën në mbrëmje, raporton “The Guardian”.
Sipas SHBA-ve, sulmet që kanë ndodhur në ujërat ndërkombëtare synonin trafikantët e drogës dhe kanë vrarë 21 persona në katër raste të ndryshme. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka ofruar prova apo identitetet e viktimave.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi deklaratën e Petros si "të pabazë dhe të neveritshme", duke kërkuar që ai ta tërheqë publikisht.
SHBA tha se mbetet e angazhuar për bashkëpunim me Kolumbinë në çështje të sigurisë rajonale.
Ndërkohë, në SHBA, Senati ka rrëzuar një propozim për të ndaluar Presidentin Trump të përdorë forcën ushtarake kundër varkave në Karaibe.
Petro kërkoi mbledhjen urgjente të ministrave të jashtëm të vendeve të Karaibeve për të diskutuar rreth situatës.
Lini një Përgjigje