Papa amerikan ka reaguar për komentet e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump ku tha se Evropa ishte në rënie dhe kishte udhëheqës "të dobët".
Papa Leo XIV ka reaguar për komentet tronditëse të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në intervistën e tij, ku tha se Evropa po kalbet dhe kishte udhëheqës të dobët.
Papa këmbënguli se Evropa duhet të ketë një rol në çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë dhe kritikoi atë që ai e quajti përpjekje të administratës Trump për të “shpërbërë” aleancën e gjatë SHBA-Evropë.
"Mendoj se për fat të keq disa pjesë të kësaj që kam pare, kanë bërë një ndryshim të madh në atë që për shumë, shumë vite ishte një aleancë e vërtetë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Vërejtjet që bëhen për Evropën edhe në intervistat e fundit, mendoj se po përpiqen të shpërbëjnë atë që... duhet të jetë një aleancë shumë e rëndësishme sot dhe në të ardhmen",tha Papa.
Ai foli me gazetarët pas takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është në një turne tjetër për të mbledhur mbështetjen evropiane për Kievin. Papa amerikan tha se ata diskutuan nevojën për një armëpushim dhe përpjekjet e Vatikanit për të lehtësuar kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë nga autoritetet ruse.
Sipas AP, i pyetur nga një gazetar nëse mendon se plani i paqes i SHBA-së për Ukrainën është i drejtë, Papa tha se "preferon të mos komentojë për këtë".
"Pra, është një program që Presidenti Trump dhe këshilltarët e tij e kanë hartuar. Ai është Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë, por ka një numër gjërash në të që mendoj. Ndërsa ndoshta shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara do të ishin dakord, mendoj se shumë të tjerë do t'i shihnin gjërat në një mënyrë tjetër.", theksoi Ati i Shenjtë.
Zelensky ka thënë se ka tre dokumente në marrëveshjen e paqes që po diskutohen me partnerët amerikanë dhe evropianë, një dokument kornizë prej 20 pikash, një dokument të dytë me garanci sigurie dhe një dokument të tretë në lidhje me rimëkëmbjen e Ukrainës.
Ndërkohë ditën e djeshme, presidenti manjat i SHBA, Donald Trump ka nisur një tjetër seri kritikash ndaj udhëheqësve europianë, të cilët i quajti “të dobët” dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat aktuale.
“Mendoj se janë të dobët. Besoj se ata duan të jenë politikisht korrekt. Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë. Europa nuk di çfarë të bëjë”, deklaroi ai në një intervistë për Politico. Sipas Trump, në pozicionin më të fortë negociues ndodhet Rusia, të cilën e përshkroi si “një vend shumë më i madh” dhe theksoi se lufta në Ukrainë “nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”.
Duke folur më tej për udhëheqësit e kontinentit, ai tha se i njeh mirë shumicën prej tyre dhe se mes tyre ka udhëheqës të mirë, të këqij, inteligjentë e madje edhe “disa vërtetë budallenj”. Megjithatë, sipas tij, “Europa nuk po bën një punë të mirë në shumë aspekte”. Në lidhje me Ukrainën, Trump akuzoi vendet europiane se “flasin shumë dhe nuk prodhojnë”, ndërsa lufta vazhdon pa fund.
Në të njëjtën intervistë, Trump u rikthye të komentonte edhe situatën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me presidentin Volodymyr Zelensky. Sipas tij, Ukraina po humbet territor të rëndësishëm dhe Zelensky duhet të pranojë realitetin. “Duhet të vihet në lëvizje dhe të fillojë t’i pranojë gjërat, sepse po humbet konfliktin”, u shpreh ai. Trump theksoi se humbjet territoriale kanë nisur shumë përpara mandatit të tij.
“Kanë humbur një brez të tërë bregdetar, një brez të madh. Kanë humbur shumë territor, dhe territor të mirë. Nuk mund të quhet fitore”.
Ai po ashtu deklaroi se ka ardhur koha që në Ukrainë të mbahen zgjedhje.
Trump thuri elozhe për Rusinë, ndërkohë, duke e konsideruar një vend më të madh dhe në një pozitë shumë të mirë për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë. Mes tjerash flet përsëri për liderët europianë dhe thotë se i pëlqen grupi aktual, por ka disa prej tyre që janë “me të vërtetë të trashë”. “Flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë. Lufta vazhdon dhe nuk përfundon”, thotë Trump./ Pamfleti
Lini një Përgjigje