
Fëmijët në Gazën veriore po vdesin nga kequshqyerja, raporton organizata bamirëse kundër varfërisë ActionAid, pasi situata humanitare atje vazhdon të përkeqësohet nga dita në ditë.
Një në gjashtë fëmijë në rajon vuajnë nga kequshqyerja akute. Dr Hossam Abu Safiya, një konsulent pediatrik në Gaza, tha për ActionAid se fëmijët po vdisnin për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit.
“Ne kemi humbur një numër të konsiderueshëm fëmijësh në ditët e fundit për shkak të kequshqyerjes së gjerë. Kemi regjistruar shumë raste që janë shtruar në reanimacion. Shumica e rasteve kanë ardhur në gjendje dehidrimi të avancuar dhe natyrë të avancuar të sëmundjes dhe janë shkaktuar nga kequshqyerja", u shpreh.
ActionAid tha se disa gra shtatzëna dhe gjidhënëse ishin gjithashtu kaq të kequshqyera sa foshnjat po lindnin nën peshë dhe me probleme shëndetësore. Dr Abu Safiya tha se shumica e lindjeve në rajon janë në një situatë shumë kritike.
"Fatkeqësisht, nuk ka ushqim të duhur për nënën dhe ushqim të duhur për fëmijën. Dhe mungesa e qumështit mbështetës për fëmijët çon në përkeqësim të gjendjes shëndetësore të fëmijëve. Kemi humbur një numër të madh fëmijësh, sidomos javët e fundit. Nëse nuk ka përgjigje urgjente, do të humbasim gjithnjë e më shumë", tha ai.
Lini një Përgjigje