
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se skadimi i Traktatit të Ri START shënon një kthesë të rëndë për rendin ndërkombëtar të sigurisë. Me fundin e këtij traktati, SHBA-ja dhe Federata Ruse mbeten për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh pa asnjë kufizim ligjërisht të detyrueshëm mbi arsenalet e tyre bërthamore.
Në deklaratën e tij, Guterres theksoi se skadimi i New START në mesnatë përbën një moment kritik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, duke i dhënë fund një sistemi kontrolli që ka funksionuar që nga vitet e Luftës së Ftohtë.
"Skadimi i Traktatit të Ri START, shënon një moment të rëndë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", tha Guterres.
Sipas tij, dy shtetet zotërojnë pjesën më të madhe të armëve bërthamore në botë dhe mungesa e çdo mekanizmi verifikues mbi arsenalet strategjike krijon një nivel të ri pasigurie globale, veçanërisht në kushtet e tensioneve gjeopolitike dhe zhvillimeve teknologjike të përshpejtuara.
Guterres rikujtoi se kontrolli dypalësh i armëve bërthamore, nga marrëveshjet SALT deri te New START, ka shërbyer si faktor stabilizues, duke çuar në reduktimin e mijëra koka bërthamore dhe në uljen e rrezikut të përplasjeve aksidentale.
Ai paralajmëroi se shpërbërja e këtij sistemi ndodh në një fazë kur rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është rritur ndjeshëm, duke e bërë situatën më të rrezikshme se në dekada.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mungesa e kufijve të verifikueshëm mbi arsenalet strategjike thellon paqartësinë dhe dobëson arkitekturën globale të sigurisë, duke rritur rrezikun e gabimeve me pasoja shkatërruese.
Ai theksoi se ky moment duhet të shihet edhe si një mundësi për rifillimin e përpjekjeve për kontrollin e armëve, duke u bërë thirrje SHBA-së dhe Rusisë të kthehen pa vonesë në negociata dhe të bien dakord për një marrëveshje pasardhëse.
Traktati i Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike u nënshkrua më 8 prill 2010 në Pragë dhe hyri në fuqi më 5 shkurt 2011, duke zëvendësuar START I të vitit 1991 dhe marrëveshjen SORT të vitit 2002, sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve me seli në SHBA.
Lini një Përgjigje