Melania Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim për lidhje me Jeffrey Epstein, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe shpifëse.
Në një deklaratë të rrallë publike nga Shtëpia e Bardhë të enjten, Zonja e Parë e SHBA-së reagoi drejtpërdrejt ndaj raportimeve që e përfshijnë në këtë çështje. “Gënjeshtrat që më lidhin me të përçmuarin Jeffrey Epstein duhet të ndalen sot”, deklaroi ajo.
Melania Trump theksoi se nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie personale me Epstein. Ajo sqaroi gjithashtu se me bashkëpunëtoren e tij të afërt, Ghislaine Maxwell, ka pasur vetëm kontakte të rastësishme.
“Nuk kam pasur kurrë asnjë njohje personale me të”, u shpreh ajo, duke hedhur poshtë çdo insinuatë për përfshirje në rrethin e Epstein.
Ajo mohoi kategorikisht edhe pretendimet se Epstein ka luajtur rol në njohjen e saj me Donald Trump. “Epstein nuk më prezantoi me Donald Trump. Unë e takova bashkëshortin tim rastësisht”, tha ajo, duke shtuar se detajet janë përshkruar edhe në librin e saj.
Melania Trump theksoi gjithashtu se nuk ka pasur dijeni për viktimat e Epstein dhe nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë. “Kurrë nuk kam pasur dijeni për viktimat e tij. Nuk kam qenë e përfshirë në asnjë mënyrë. Nuk kam qenë pjesë, nuk kam udhëtuar kurrë me avionin e tij dhe nuk kam vizituar kurrë ishullin e tij privat”, deklaroi ajo.
Në të njëjtën kohë, ajo i bëri thirrje Kongresit amerikan që të organizojë një seancë dëgjimore publike të fokusuar te viktimat e Epstein, në mënyrë që dëshmitë e tyre të regjistrohen zyrtarisht.
Jeffrey Epstein u arrestua në vitin 2019 për akuza federale që lidhen me shfrytëzim seksual të të miturve. Po atë vit ai u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg në Manhattan, ndërsa autoritetet amerikane konkluduan se bëhej fjalë për vetëvrasje.
Lini një Përgjigje