TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Dhjetor 2025, 17:37

“Nuk do të ndalemi”/ Zemërimi i Brezit Z, do diktojë zhvillimet politike edhe në 2026-ën

Shkruar nga Barbara Gabel

“Nuk do të ndalemi”/ Zemërimi i Brezit Z, do diktojë

Nga Katmanduja në Lima, Brezi Z doli në rrugë në vitin 2025 për të denoncuar pabarazinë, korrupsionin dhe përjashtimin politik. Të rinjtë i shndërruan protestat e shpërndara lokale në një moment të përbashkët mobilizimi. Sipas të gjitha shenjave, kjo lëvizje do të mbetet në qendër të vëmendjes edhe për vitin që po vjen...

Në të gjithë kontinentet dhe kulturat, të rinjtë u përballën me realitete të përditshme shumë të ndryshme, nga përjetimi i pasigurisë në Limë deri tek jetesa me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike në Antananarivo. Megjithatë, në vitin 2025 ata i bëri bashkë një përvojë: protestat.

Brezi Z, i lindur midis fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2010, ndau zhgënjimin dhe zemërimin ndaj elitave që shiheshin si të shkëputura nga realiteti, si dhe një vendosmëri për t'u dëgjuar.

Nëpër vende të ndara nga mijëra kilometra, u zhvilluan skena të ngjashme, me turma të reja, pankarta të pikturuara me dorë, slogane virale të lindura në platforma si TikTok ose Discord.

“Ky është një brez që nuk po vepron vetëm për veten e tij, por që të gjithë të kenë qasje në arsim, kujdes shëndetësor dhe strehim, si dhe për t’i dhënë fund korrupsionit në pushtet”- thotë sociologu Mishel Vieviorka, drejtor i studimeve në Shkollën për Studime të Avancuara në Shkencat Sociale (EHESS).

“Është një valë proteste e nxitur nga vlerat universale”- shton ai.

Efekti ngjitës

Lëvizja filloi në Indonezi në fund të verës. Në Xhakarta, njoftimi për pagesat e strehimit për deputetët, gati 10 herë më të larta sesa paga minimale, shërbeu si një shkas, duke i nxitur studentët të dilnin në rrugë.

Një simbol doli shumë shpejt nga marshimet: flamuri pirat nga manga më e shitur në botë, “One Piece”, i cili u bë emblema e revoltës së Brezit Z.

Në shtator, lëvizja fitoi një vrull dramatik në Nepal. Videot virale në Instagram dhe TikTok ekspozuan stilin e jetesës luksoze të “nepo-fëmijëve” (fëmijëve të elitës), ndërsa qeveria bllokoi rreth 20 platforma dixhitale.

Zemërimi i madh shpërtheu në Katmandu, ku parlamentit iu vu flaka.

Për dy ditë, vendi u përfshi nga trazira të dhunshme. Vala tronditëse arriti në më pas Afrikë. Në kryeqytetin e Madagaskarit, Antananarivo, protestat e udhëhequra nga të rinjtë nuk denoncuan më vetëm ndërprerjet e ujit dhe të energjisë elektrike, por kërkuan edhe dorëheqjen e presidentit.

“Ne nuk po kërkojmë luks, por vetëm mjetet për të jetuar me dinjitet!”- brohoritën demonstruesit, shumë prej të cilëve studentë ose punëtorë të rinj në kushte të pasigurta.

Në Marok, mobilizimi mori një formë të ndryshme. Grupimi i Brezit Z, 212, një referencë për kodin telefonik të vendit, u organizua në platformën Discord, duke koordinuar thirrjet për të demonstruar dhe për të shtyrë përpara prioritetet e tij, duke përfshirë reformën në arsim, qasjen në kujdesin shëndetësor dhe drejtësinë sociale

Në kontinentin amerikan, të rinjtë peruanë u mobilizuan nga Lima në Kusko kundër paqëndrueshmërisë politike, korrupsionit dhe niveleve rekord të pasigurisë. Ndërsa kërkesat ndryshonin, konteksti më i gjerë ishte i ngjashëm.

“Këto janë vende ku edhe nëse ekziston, demokracia mbetet jo liberale ose pak liberale. Ato janë gjithashtu pak a shumë regjime autoritare, ku pushteti përgjigjet me shtypje, duke nxitur një spirale dhune” - thotë sociologu.

Bilanci i viktimave ishte i madh: 12 njerëz u vranë në Indonezi, të paktën 3 në Marok dhe 5 në Madagaskar Në Nepal, sipas policisë vdiqën të paktën 76 persona dhe u plagosën më shumë se 2.000 të tjerë.

Fitore dhe zhgënjime

Pavarësisht represionit, Brezi Z pati përparime. Kështu Në Nepal, lëvizja protestuese çoi në rrëzimin e qeverisë.

Në një veprim të paprecedentë, një kryeministre e përkohshme, ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Sushila Karki u emërua pas një votimi të organizuar në Discord.

Një komision hetimor u ngarkua me detyrën për të hedhur dritë mbi vdekjet e protestuesve. Për të rinjtë e Nepalit, kjo ishte një fitore: për herë të parë, një mobilizim i lindur në internet dhe në rrugë, nxiti një tranzicion politik të prekshëm.

Në Madagaskar, rezultati la një shije të hidhur. Pas disa javësh demonstratash, presidenti Andri Rajoelina u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak. Megjithatë, qeveria që pasoi mbeti në duart e një aktori të njohur në jetën politike të vendit: ushtrisë.

Në Marok, protesta nuk e tronditi monarkinë, por i detyroi autoritetet të reagojnë. Kabineti mbretëror njoftoi masa modernizimi dhe investime në spitale dhe shkolla, duke pranuar në mënyrë të nënkuptuar legjitimitetin e kërkesave Megjithatë, represioni e zbuti vrullin e lëvizjes. Sipas shifrave zyrtare, 1.473 të rinj u arrestuan, përfshirë 330 të mitur.

Një vrull i qëndrueshëm apo një valë e shkurtër?

Në Nepal, mobilizimi nuk është pakësuar. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë planifikuar për në mars të vitit 2026.

“Jemi në fazën e dytë të lëvizjes”- tha protestuesi Jujan Rajhandari për AFP-në. Vëmendja është zhvendosur te regjistrimi i votuesve dhe lufta kundër korrupsionit

“Kjo lëvizje mund të zgjasë dhe të prodhojë efekte afatgjata, ose përkundrazi do të zhduket si një e tërë. Nuk ka rregulla”- thotë Vieviorka. Historia e kohëve të fundit na nxit të tregojmë kujdes.

Nga Pranvera Arabe tek lëvizja “indignados” (të indinjuarit) në Spanjë, nga “Occupy Wall Street” tek debutimi i “Nuit” në Francë, lëvizjet kanë dalë në pah, e kanë humbur vrullin dhe ndonjëherë kanë lënë gjurmë të qëndrueshme dhe ndonjëherë jo

“Lëvizjet shoqërore nuk janë të përjetshme”- shprehet Vieviorka. Megjithatë, një tipar e dallon Brezin Z: aftësia e tij për t’u organizuar, për të imponuar kauzat e saj dhe për të përfituar lëshime pa kërkuar të marrë menjëherë pushtetin.

“Ata nuk kanë një platformë politike plotësisht të formuar. Por ata kanë një horizont të qartë: atë të ndryshimit të thellë”- thekson sociologu./ Marrë nga “France 24”, përshtati “Pamfleti”

brezit z bota

Lini një Përgjigje