TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Dhjetor 2025, 14:01

Perëndimi në udhëkryq: Fundi i një aleance 80-vjeçare?

Shkruar nga David Luhnow & Marcus Walker
Perëndimi në udhëkryq: Fundi i një aleance
Liderèt e BE dhe Trump

Ndërsa hendeku midis Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane zgjerohet, aleatët e dikurshëm të palëkundur pyesin veten nëse besimi transatlantik është thyer tashmë në mënyrë të pakthyeshme...

Aleanca perëndimore midis SHBA-së dhe partnerëve të saj evropianë, ka qenë shtylla e rendit global që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. E bashkuar nga besimi i përbashkët te liria dhe demokracia, kjo aleancë parandaloi konflikte të mëdha globale, mposhti komunizmin dhe udhëhoqi rritjen e zhvillimit botëror.

Tani, udhëheqësit evropianë po pyesin nëse ajo ka marrë fund. “Ai që dikur e quanim ‘Perëndimi normativ’ nuk ekziston më”- tha së fundmi kancelari gjerman Friedrich Merz, udhëheqësi i vendit më të populluar të Evropës, gjatë një takimi me liderë biznesi në Berlin.

Disa ditë më vonë, konservatori dhe atlanticisti i përjetshëm u bëri thirrje me dëshpërim gjermanëve që të linin mënjanë nostalgjinë për Amerikën që e kishin njohur dhe dashur për dekada. “Tani amerikanët tani po ndjekin interesat e tyre në një mënyrë shumë agresive. Edhe Gjermania duhet të bëjë të njëjtën gjë”- tha ai.

Një “erë e ftohtë dimri”, ka përfshirë marrëdhëniet transatlantike dhe shumë njerëz kanë frikë se ato mund të mos rikuperohen kurrë, të paktën jo plotësisht. Merz dhe homologët e tij evropianë po ndërgjegjësohen për një realitet të ashpër: SHBA-ja, të paktën nën administratën aktuale, nuk e sheh më Evropën si partneren e saj thelbësore në çështjet botërore.

Shtëpia e Bardhë po shfaqet gjithnjë e më armiqësore ndaj kontinentit, duke përdorur rregullisht gjuhë më të ashpër ndaj demokracive evropiane sesa ndaj kundërshtarëve tradicionalë si Rusia apo Kina.

Përplasja e vlerave

Një pjesë e këtij ndryshimi nxitet nga një mosmarrëveshje themelore mbi atë se çfarë përfaqëson Perëndimi. Shumë zyrtarë në administratën Trump, mendojnë se Evropa po e tradhton qytetërimin perëndimor duke lejuar që migracioni të zbehtë rrënjët e saj historike si një rajon kryesisht i bardhë dhe i krishterë.

Po ashtu, ata pretendojnë se elitat evropiane po nxisin një axhendë diversiteti duke kufizuar lirinë e fjalës dhe liritë politike. Udhëheqësit evropianë e kundërshtojnë këtë, duke theksuar se vendet e tyre renditen rregullisht më lart se SHBA-të në treguesit e demokracisë.

Ata argumentojnë se vlerat universale duhet të peshojnë më shumë sesa raca apo feja. Gjithashtu, ata shqetësohen se është pikërisht Uashingtoni, ai që po braktis vlerat perëndimore duke u afruar me autokratët dhe duke shfaqur pretendime territoriale ndaj aleatëve si Kanadaja dhe Danimarka.

Nga retorika në veprime

Nuk janë vetëm fjalët ato që kanë tronditur Evropën, por faktet. Uashingtoni po kërkon me ngulm një marrëveshje gjeopolitike me Moskën, pjesërisht për interesa biznesi. Të dërguarit e presidentit Trump po i bëjnë presion Ukrainës që të pranojë lëshime territoriale.

Në kryeqytetet evropiane, zyrtarët e lartë kanë frikë se kjo do të destabilizojë rajonin dhe do të inkurajojë Rusinë. “SHBA-ja po heq dorë nga aleanca me Evropën dhe mbështet Rusinë agresore, ndërsa kjo e fundit po na kërcënon me luftë. Kjo qasje përfaqëson një shkëputje themelore nga e kaluara”- thotë Norbert Röttgen, një ligjvënës gjerman.

Ndërkaq, politikani francez Claude Malhuret është edhe më i drejtpërdrejtë: “Sot, në rastin më të mirë, Evropa është vetëm. Në rastin më të keq, ajo përballet me dy armiq: Rusinë dhe Trumpizmin.”

“Divorci” zyrtar dhe Siguria Kombëtare

Sulmet nisën që në shkurt me kritikat e ashpra të zëvendës/presidentit J.D.Vance, të ndjekura nga tarifat tregtare. Por tensioni arriti kulmin me botimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (NSS) të SHBA-së në dhjetor. Për shumë evropianë, ky dokument u lexua si një kërkesë për divorc.

Ai e kritikonte ashpër kontinentin për politikat e migracionit, duke vënë në dyshim nëse vende të tilla mund të mbeten “aleate të besueshëm”. NSS e shpall hapur Bashkimin Evropian si një “armik të sovranitetit kombëtar” dhe zotohet të mbështesë partitë anti-migrim në Evropë. “Kjo ngjan si një deklaratë lufte politike kundër BE-së”- thotë historiani britanik Timothy Garton Ash.

Historia dhe e ardhmja e një ideje

Koncepti i asaj që kuptohet me “Perëndim” ka ndryshuar ndër shekuj. Gjatë Luftës së Ftohtë, ai ishte sinonim i “botës së lirë”. Sot, ky koncept po përdoret si mjet në luftërat kulturore. Siç shprehet mendimtari bullgar Ivan Krastev: “Amerika ishte dikur Bota e Re që ikte nga shoqëritë e mbyllura të Botës së Vjetër. Tani ajo ndihet e tradhtuar sepse Bota e Vjetër po bëhet më shumë si Amerika (multikulturore)”.

Megjithatë, edhe brenda Evropës ka zëra që pajtohen me kritikat për rritjen e ngadaltë ekonomike dhe varësinë e tepërt nga SHBA-ja për sigurinë. “Nëse mbetemi të varur nga teknologjia dhe tregjet amerikane, do të kthehemi në vasalë”- paralajmëron ish-diplomati francez Jérémie Gallon.

Drejt një aleance transaksionale?

Besimi tek Neni 5 i NATO-s (mbrojtja e ndërsjellë midis vendeve anëtare të aleancës) po zbehet. Një oficer i lartë britanik e pranon se nuk i beson më verbërisht SHBA-së nëse Rusia do të mësynte në vendet baltike.

Historiani Andrew Roberts paralajmëron se kjo qasje e re “transaksionale” - që sheh koston e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje - rrezikon të shkatërrojë avantazhin më të madh të Amerikës: rrjetin e saj të aleatëve. Në fund, kjo përçarje i shërben vetëm Moskës dhe Pekinit.

Siç e thekson në fund Roberts: “Amerika mund të jetë e lodhur nga roli i policit global, por Kina do të ishte më se e lumtur të bëhej polici sekret i botës...”./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Wall Street Journal”

donald trump bahskimi europian ne udhekryq

Lini një Përgjigje