TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Dhjetor 2025, 14:17

BE përgatit kundërpërgjigjen ndaj SHBA-së; rregulla më të ashpra për kompanitë teknologjike

Shkruar nga Claudio Tito

BE përgatit kundërpërgjigjen ndaj SHBA-së; rregulla më

SHBA-të kanë nisur një sulm të ri ndaj BE-së dhe po përpiqet ta ndajnë Unionin. Refuzimi i vizës së hyrjes në Shtetet e Bashkuara për pesë evropianë, mes tyre ish-komisioneri francez Thierry Breton, “babai” i masave digjitale të padëshiruara nga “Big Tech” (kompanitë e mëdha të teknologjisë), konsiderohet nga Brukseli si një intimidim i vërtetë.

Ekzekutivi evropian është gati të përgjigjet, por mënyra se si do të bëhet kjo është ende në diskutim me një rezultat të paparashikueshëm.

Në tavolinë për momentin janë tre opsione. Një reagim i barabartë me ndalimin e hyrjes në BE për disa funksionarë amerikanë, përdorimi i instrumentit anti-shtrëngim dhe përshpejtimi i publikimit të udhëzimeve antitrust për të konfirmuar dhe forcuar rregullat ndaj “kolosëve” digjitalë si Google, X, Microsoft dhe Apple, kompani të mbrojtura nga presidenca amerikane e Trump. Opsioni i parë duket tepër i butë, ndërsa i dyti tepër armiqësor.

Nga konsultimet e shpejta me disa kryeqytete evropiane ka dalë se një kundërpërgjigje është gjithsesi e domosdoshme. Për dy arsye: sepse bëhet fjalë për një kërcënim të hapur ndaj Komisionit dhe DSA-së (Digital Service Act që rregullon platformat online) dhe për të treguar se funksionarët evropianë që merren me këtë fushë do të mbrohen në çdo rrethanë.

Por mënyra se si do të bëhet kjo kundërpërgjigje nuk është aspak e qartë. Jo të gjitha 27 vendet anëtare janë të bindura për përdorimin e masave të forta: mjafton të kujtojmë se ditët e fundit Franca, Gjermania dhe Spanja reaguan me ashpërsi, ndërsa Italia mbeti në heshtje. Pa llogaritur frikën e presidencës së Komisionit se një përplasje e drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë do të rrezikonte pjesëmarrjen evropiane në procesin e mundshëm të paqes në Ukrainë, apo do t’i jepte Trump-it pretekstin për t’ia atribuar BE-së fajin e një dështimi të negociatave me Rusinë.

Hipoteza e parë e marrë në konsideratë është asistenca ligjore për ata që do të ankimojnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe aplikimi i një mase reciproke. Por ndaj kujt? Sekretarit të Shtetit Marco Rubio? Shefit të kabinetit të tij? E pamundur. Do të përfundonte me refuzimin e vizës për një funksionar të panjohur amerikan, një masë e padobishme.

Arma më e përshtatshme do të ishte instrumenti anti-shtrëngim. “Këto masa, tha ditët e fundit presidenti francez Emmanuel Macron, janë të barasvlershme me intimidim dhe shtrëngim të synuar për të minuar sovranitetin digjital evropian”. Nëse kjo është premisa, “arma e fundit” në dispozicion të BE-së do të ishte pikërisht kjo. Për më tepër, neni 8 i Rregullores që e themelon duket se i referohet rasteve të tilla: “Masa që zbatohen ndaj personave fizikë ose juridikë” dhe që janë “të lidhura me qeverinë e një vendi të tretë”. Një masë që do të zbatohej veçanërisht për blerjen e shërbimeve, pra pikërisht atyre digjitalë të “Big Tech”. Një ndërhyrje që po studiohet, por që tashmë është vlerësuar si tepër e rëndë politikisht dhe në lidhje me marrëveshjen e sapo nënshkruar mbi tarifat doganore.

Opsioni i tretë është ai që po merret në konsideratë me më shumë kujdes. Përshpejtimi i rishikimit të udhëzimeve antitrust për vitin e ardhshëm. Në to do të ashpërsoheshin rregullat mbi përqendrimet dhe implikimet në digjitalizim. Dhe gjithashtu mbi një aspekt tjetër: mënyra se si faktorët e interesit publik mund të merren në konsideratë në vlerësimin e përqendrimeve. Kjo zgjidhje do të kishte avantazhin e fokusimit mbi çështjen që ka sjellë kërcënimin amerikan, por duke shtyrë efektet në kohë./ La Repubblica

be i kunderpergjigjet shba

Lini një Përgjigje