
Një shtetas britanik, i cili pretendon se i ka mbijetuar rrëzimit në Ahmedabad, ka përshkruar momentin kur avioni u rrëzua.
Sipas rrjetit të Sky News, , komisioneri i policisë së Ahmedabadit tha se një pasagjer i mbijetoi aksidentit. Autoritetet e identifikuan atë si britaniko-indianin Vishwash Kumar Ramesh.
Duke folur për gazetën Hindustan Times, Ramesh tha se dëgjoi një “zhurmë të lartë” rreth 30 sekonda pas ngritjes, përpara se aeroplani të rrëzohej.
"Gjithçka ndodhi kaq shpejt", tha ai, duke shtuar se kishte marrë "lëndime nga goditja" në gjoks, sy dhe këmbë.
"Kur u ngrita, kishte trupa përreth meje. U frikësova. U ngrita dhe ika. Kishte copa të aeroplanit përreth meje. Dikush më kapi, më futi në një ambulancë dhe më çoi në spital", tha ai.
I mbijetuari shtoi se kishte jetuar në Londër për 20 vjet dhe se vëllai i tij Ajay ishte ulur në një rresht tjetër në aeroplan.
Veçmas, pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan një burrë duke u larguar me hapa të çaluar nga vendi i rrëzimit dhe duke u çuar drejt shërbimeve të emergjencës.
Lini një Përgjigje