TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shkurt 2025, 17:32

Një Plan Marshall II për Lindjen e Mesme, përndryshe rajoni do mbetet burim kaosi dhe destabiliteti

Shkruar nga Maha Yahya

Një Plan Marshall II për Lindjen e Mesme, përndryshe rajoni do

Uashingtoni synon të kontribuojë në rindërtimin e Gazës, por thotë se fondet duhet të vijnë kryesisht nga vendet arabe...

Gjatë 15 viteve të fundit, Lindja e Mesme është përfshirë nga lufta, shkatërrimi dhe zhvendosjet masive të njerëzve. Qindra mijëra njerëz kanë vdekur nga luftimet ndezur në Gaza, Liban, Libi, Sudan, Siri dhe Jemen. Miliona të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Dhuna ka dëmtuar jashtëzakonisht sektorët më jetikë si arsimi dhe shëndetësia por edhe të ardhurat, ndërsa ka shndërruar në gërmadha shtëpi, shkolla, spitale, rrugë, hekurudha dhe rrjete elektrike. Lufta e fundit e ka rikthyer Gazën në nivelet socio-ekonomike të vitit 1955.

Banka Botërore dhe organizatat e OKB-së, vlerësojnë se rindërtimi i Lindjes së Mesme dhe ofrimi i ndihmës së mjaftueshme humanitare, do të kushtojë midis 350 dhe 650 miliardë dollarëve. Programi i OKB-së për Zhvillim, thotë se do të duhen të paktën 40-50 miliardë dollarë vetëm për rindërtimin e Gazës.

Ofrimi i ndihmës humanitare dhe monetare për këto shoqëri të shkatërruara, është jetik për mbijetesën e miliona njerëzve, veçanërisht në periudhën afatshkurtër. Ndaj është shumë shqetësuese që shumë qeveri perëndimore, përfshirë Uashingtonin, po e kufizojnë ndihmën e huaj dhe ndihmën humanitare.

Megjithatë, pengesa kryesore për rindërtimin e botës arabe nuk do të jetë mungesa e fondeve por mosmarrëveshje dhe ankesat politike. Rajoni është i mbushur me shtete të dështuara. Atje gjenden fuqi konkurruese, të cilat po punojnë për të shfrytëzuar këtë kaos në avantazhin e tyre gjeopolitik.

Dhe së bashku, këto probleme e bëjnë të pamundur paqen e përhershme në rajon. Për të arritur një stabilitet afatgjatë, Lindja e Mesme e shkatërruar nga lufta duhet të ndryshojë kurs. Fuqitë e saj duhet të ndalojnë së paku përçarjet rajonale dhe lokale dhe të angazhohen në misionin e vështirë për t’i adresuar ato.

Ata duhet të ndihmojnë në bashkimin e shoqërive të tyre të përçara. Duhet të krijojnë institucione politike të përgjegjshme dhe të promovojnë sisteme të drejtësisë tranzicionale. Ata duhet të mbështesin një rindërtim, që është pjesë e një axhende më të gjerë për ndërtimin e paqes.

Në këtë kuadër, duhet të krijojnë një kornizë politike që e njeh të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje. Dhe duhet të kuptojnë se si t’i zgjidhin, ose të paktën të menaxhojnë më mirë, dallimet midis tyre. Përndryshe, nuk ka rëndësi se sa shpenzon bota për rindërtimin. Rajoni do të mbetet në kaos.

Në vitin 1945, Evropa ishte në gërmadha. Në 6 vite luftë qenë vrarë dhjetëra miliona njerëz. Miliona të tjerë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Shumë nga qytetet më të begata të kontinentit ishin shkatërruar nga bombat dhe artileria. Monedhat kombëtare ishin zhvlerësuar tërësisht.

Në kundërpërgjigje, administrata e presidentit Truman i bëri thirrje Uashingtonit që t’i përkushtohej rindërtimit të kontinentit. Duke ndjekur këshillën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, George Marshall, Kongresi filloi miratimin e paketave masive të ndihmës për popujt dhe komunitetet e Evropës, duke shpenzuar 13.3 miliardë dollarë (mbi 170 miliardë dollarë në dollarët e sotëm) për rajonin.

Por ato para u dhanë me disa kushte. Përfituesit duhej të hiqnin shumicën e barrierave për tregtinë me shtetet e tjera evropiane. Po ashtu, duhej të adoptonin politika që rrisnin eksportet e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe të blinin më shumë mallra amerikane. Qëllimi nuk ishte thjesht rindërtimi i shtëpive, rrugëve dhe urave të Evropës.

Por përfshirja e kontinentit në rendin liberal të udhëhequr nga SHBA-ja. Strategjia funksionoi. Përfituesit e fondeve të Planit Marshall iu bashkuan NATO-s së udhëhequr nga SHBA, duke u angazhuar për mbrojtjen kolektive. Ata i forcuan ekonomitë e tyre, duke i hapur rrugën Bashkimit Evropian.

Falë këtyre vendimeve, Evropa jo vetëm e mori veten ekonomikisht nga shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore, por pas shekuj luftimesh, u bë një nga rajonet më paqësore dhe më të begata në botë. Shkalla e shkatërrimit në mbarë Lindjen e Mesme, i ngjan asaj të Evropës në vitin 1945.

Gati 20 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë të drejtpërdrejtë humanitare. Keq-menaxhimi ekonomik dhe praktikat grabitqare kanë kontribuar më tej në rënien ekonomike, veçanërisht në Egjipt, Irak dhe Liban. Ndërkohë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të sjellin paqe duke anashkaluar palestinezët.

Lindja e Mesme ka nevojë urgjente për një plan Marshall. Por ndryshe nga Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore, në këtë rajon asnjë vend nuk po përparon siç duhet. Pra s’ka një model shembullor dhe as konsensus se si ta nxjerrim këtë zonë nga moçalishtja ku gjendet.

Përkundrazi, Lindja e Mesme është e rrënuar nga përçarja dhe rivaliteti. Dhe e vetmja gjë që kanë të përbashkët propozimet e ndryshme amerikane, iraniane, izraelite, turke dhe të vendeve të Gjirit është se ato neglizhojnë sfidat themelore.

Për shembull, amerikanët besojnë se themelet e një Lindje të Mesme më të mirë përfshijnë dobësimin e Iranit, rivalit kryesor rajonal të Shteteve të Bashkuara, dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, me shpresën e zhbllokimit të investimeve të reja.

Uashingtoni synon të kontribuojë në rindërtimin e Gazës, por thotë se fondet duhet të vijnë kryesisht nga vendet arabe. Por plani amerikan kërkon që rindërtimi të bëhet pa asnjë plan në horizont për një zgjidhje politike për palestinezët. Edhe izraelitët kanë të njëjtën qasje, por disa prej tyre duan të jenë edhe më agresivë ndaj Teheranit dhe palestinezëve.

Por më realist nuk është as vizioni i Iranit, që mbështetet tek milicitë e ndryshme. Teherani e njeh të drejtën për vetëvendosjen e palestinezëve. Por vendet arabe duan një fund të anarkisë rajonale, dhe jo vetëm një fund të konfliktit izraelito-palestinez.

Pastaj është edhe vizioni i paraqitur nga shtetet Arabe të Gjirit, Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai përfshin thellimin e integrimit të tyre ekonomik, krijimin e mekanizmave të përbashkët të mbrojtjes dhe zgjidhjen disi të konfliktit izraelito-palestinez përmes një skeme tashmë praktikisht të pamundur me krijimin e 2 shteteve. Lindje e Mesme po zien. Por pa një zgjidhje politike, rindërtimi do të sjellë shumë pak ndryshime në perspektivë./Pamfleti nga “Foreign Affairs”

plan marshall lindja e mesme

Lini një Përgjigje