TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Shkurt 2025, 15:56

Marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë, mund ta intensifikojë luftën guerile të ukrainasve në rajonet e aneksuara

Shkruar nga Bethany Elliott

Marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë, mund ta intensifikojë

Një armëpushim mund të intensifikojë luftën në hije, pra atë guerile, një betejë kundër Moskës që nuk duhet të zhvillohet nga ushtari por nga diversanti...

Në dhjetorin e vitit 2023, 24 ushtarë rusë në Krime vdiqën papritur, teksa 11 të tjerë u shtruan në spital. Shkaku i vdekjes? Vodka dhe salçiçe. Burrat kishin pranuar një pako me ushqime dhe alkool nga disa gra vendase shumë simpatike, të cilat iu afruan rusëve për t’i falënderuar për “mbrojtjen” e tokave që në fakt po i pushtonin.

Në fakt, ato ishin partizane ukrainase, dhe dhuratat ishin të mbushura me helmet e fuqishme arsenik dhe strikninë. Helmimi ka qenë një metodë e zakonshme për femrat sabotatore në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia. Por është gjithashtu një mjet që bart shumë rreziqe, sepse ato që kapen detyrohen të shkojnë në shtrat me gjeneralët rusë.

Ato janë vetëm disa nga ukrainasit e shumtë që rrezikojnë torturën dhe ekzekutimin, për të zhvilluar luftën e tyre kundër pushtuesve. Kjo luftë në hije, ka të ngjarë vetëm sa të zgjerohet nëse luftimet shënojnë një fund diplomatik dhe ripërcaktohen linjat territoriale.

Volodymyr Zelensky deklaroi së fundmi se vendi i tij nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje paqeje të arritur nga Amerika dhe Rusia, pa përfshirjen e Kievit. Përpara Konferencës së Sigurisë së Mynihut fundjavës së kaluar, presidenti ukrainas propozoi një shkëmbim territoresh me Moskën.

Sipas këtij plani, Ukraina do të kthente rajonin e Kurskut për një nga pesë territoret e aneksuara nga Rusia - Krimenë, Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia. Ndërsa mund të përfundojnë luftimet e drejtpërdrejta, çfarë do të thotë kjo për ukrainasit që do të jetojnë nën sundimin e Moskës?

Aktet e sabotimit ka të ngjarë që të shtohen. Disa në lëvizjen e rezistencës, punojnë në bashkëpunim me Kievin në grupe të organizuara; ndërsa të tjerët luftojnë vetëm. Rezistenca mund të variojë nga shfaqja e propagandës pro-ukrainase apo e ngjyrave kombëtare, deri tek organizimi i atentateve, transmetimi i vendndodhjeve të forcave ruse dhe dëmtimi i linjave hekurudhore që transportojnë në front trupat dhe armët e Moskës.

Madje të tjerët kanë shkuar aq larg sa të sulmojnë ushtrinë ruse nga brenda: militantët ukrainas kanë hyrë në mënyrë të përsëritur në kazermat e armikut për të goditur me thikë për vdekje ushtarët. Ndërkohë diversantët janë bashkuar me forcat e Moskës për të nxjerrë informacione, për të shkatërruar operacionet dhe për të çaktivizuar pajisjet.

Intervistat me ta zbulojnë një gamë të gjerë motivimesh. Përkushtimi ndaj sovranitetit të Ukrainës dhe dëshira për t’u çliruar nga jeta shtypëse nën rusët janë dy më të zakonshmet, siç është dhe ndjenja e veprimeve të tyre si korrigjim i gabimeve historike të kryera nga Moska kundër Kievit.

Të tjerë rebelohen për shkak të inateve personale, duke kërkuar hakmarrje për humbjen e pasurisë, dëmtimin personal ose dhunën seksuale të pësuar nën regjimin e ri të pushtuesve. Ndërsa natyra klandestine e aktiviteteve të tyre e bën të vështirë përcaktimin e numrit të saktë të incidenteve, ata nuk po tregojnë aktualisht shenja të tërheqjes nga lufta e tyre. Sulmet e makinave me bomba kohët e fundit, kanë vrarë figura të larta ushtarake ruse, një gjyqtar që bashkëpunoi me autoritetet e reja pushtuese, dhe ish-kreun e kolonisë famëkeqe penale Olenivka ku u masakruan të burgosurit e luftës ukrainas në vitin 2022.

Ndërkohë, anëtarët e grupit partizan ”Atesh” kanë diskutuar planet e tyre për të shkatërruar Urën e Kerçit në Krime dhe vrarë zyrtarë të lartë rusë, duke pretenduar se kanë njerëzit e tyre në Moskë dhe Shën Petersburg. Këtë muaj në Krime, postera pro-ukrainas dhe mbishkrime të shumta shpallën se vendasit “po presin Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

Vështirësia është se mund t’u duhet të presin edhe pak. Edhe Zelensky e ka pranuar se aktualisht është e pamundur që ushtria e tij të dëbojë me forcë forcat ruse nga territoret e pushtuara. Në vend të kësaj, ai ka sugjeruar që ato zona të kthehen në një moment të paspecifikuar të ardhshëm me mjete diplomatike.

Kjo ngre pikëpyetjen se çfarë do të bëjnë partizanët nëse territoret e tyre do t’i jepen zyrtarisht Rusisë në ndonjë marrëveshje të ardhshme paqeje. A do të nxiten ata të luftojnë më fort, apo do ta pranojnë se lufta e tyre ka mbaruar?

Jade McGlynn, studiuese në Kolegjin Mbretëror të Londrës, që është marrë me analizimin e aktiviteteve të rezistencës, më thotë se një marrëveshje mund të inkurajojë aktivitetin gueril si e vetmja mënyrë e mbetur për ta goditur Moskën.

“Pakti mund të demoralizojë një pjesë të rezistencës. Por meqë Ukraina nuk do t’i njohë kurrë si ruse territoret e saj të pushtuara nga Moska, mund të sjellë mundësi të shtuara për rezistencën ukrainase, e cila do të jetë shumë më tepër në qendër të vëmendjes, edhe pa u mbështetur tek një vijë fronti aktive.

Zelensky e ka miratuar edhe më parë rebelimin në zonat e pushtuara, dhe qeveria e Kievit po synon t’i trajnojë civilët për t’i rezistuar agresionit rus. Ndaj edhe pas një marrëveshje, shërbimet ukrainase të sigurisë ka të ngjarë të vazhdojnë të ofrojnë burime dhe informacione të fshehta për ata partizanë që luftojnë kundër pushtimit rus.

Kjo edhe me shpresën e mbajtjes gjallë nacionalizmin ukrainas dhe popullatës të përgatitur, në rast se Kievi do jetë ndonjëherë në pozicionin për t’i rimarrë ato territore. Formalisht sa duket, negociatat do të sillnin paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.

Por në realitet, një armëpushim mund të intensifikojë luftën në hije,  pra atë guerile, një betejë kundër Moskës që nuk duhet të zhvillohet nga ushtari por nga diversanti./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”

marrëveshja e paqes rusi ukrainë lufta guerile

Lini një Përgjigje