Duke supozuar se Trump është kandidati republikan në nëntor dhe Biden demokrat, republikanët anti-Trump duhet të zgjedhin midis braktisjes së partisë së tyre ose abstenimit.
Një nga përshtypjet më befasuese nga java e kaluar, ka qenë shkalla në të cilën tani duket se pranohet në të dy anët e Atlantikut: Donald Trump do të jetë me siguri kandidati i republikanëve për president, dhe pothuajse po aq e sigurt se do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë këtë herë vitin e ardhshëm.
Është e vërtetë se deri më tani Trump ka pasur rrugëtimin më të qetë drejt një nominimi presidencial, në krahasim me çdo sfidant tjetër në historinë e kohëve të fundit. Nikki Haley, rivalja e tij e vetme pas zgjedhjeve parlamentare në Iowa, fitoi vetëm dy gara, në Vermont dhe Uashington përpara se të tërhiqej nga gara.
Madje ajo humbi edhe në shtetin e saj, Karolinën e Jugut, ku kishte qenë guvernatore, gjë që nuk ishte një zhvillim premtues për një nominim të suksesshëm. Tani ajo e ka lënë Trumpin në skenë si kandidati i vetëm i Partisë Republikane për president.
Fushata e Trump mori gjithashtu një hov të papritur - nga koha dhe jo nga përmbajtja - kur Gjykata e Lartë miratoi ankesën e tij kundër përjashtimit nga garat kryesore në disa shtete. Vendimi, që u shpall një ditë përpara të ashtuquajturës Super e Martë, me zgjedhjet paraprake në 15 shtete dhe një territor, ishte unanim.
Shteti specifik në këtë rast ishte Kolorado, por edhe Maine kishte bërë të njëjtin veprim, dhe shtetet e tjera pritej ta ndiqnin këtë shembull. Gjykata vendosi se vetëm Kongresi mund të vendoste për çështjen e zgjedhjeve federale dhe 3 gjyqtarët liberalë, të cilët ndoshta mund të kishin kërkuar arsye për të mos e mbështetur Trumpin, e shpjeguan dakordësinë e tyre duke argumentuar me të drejtë se efekti i votës kundër mund të sillte një sërë pasojash kaotike nga shteti në shtet, gjë që do të ishte në kundërshtim “me parimet e federalizmit të kombit tonë”. Tani po bëhen lëvizje për të siguruar shqyrtimin e çështjes nga Kongresi. Por çdo masë do të duket e pamundur që të miratohet, duke pasur parasysh bilancin e votave në Kongres dhe afërsinë e zgjedhjeve. Aty ku ka paralajmërime në lidhje me shanset e Trump për të fituar nominimin ose presidencën, këto vijnë kryesisht nga njohësit e politikës.
Disa vërejtje të veçanta priren gjithashtu të jenë përsëritje e atyre që janë dëgjuar në fushatat e kaluara. Para zgjedhjeve të viteve 2016 dhe 2020, paralajmërimi ishte për llogaritjet e gabuara të anketuesve, sepse të paktën disa mbështetës të Trump mund të kishin frikë të shprehnin besnikërinë e tyre në publik.
Këtë herë, paralajmërimet kanë të bëjnë me nënvlerësimin e numrit të “republikanëve të heshtur” ose “jo-republikanëve të fshehtë të Trump”, të cilët tani duhet të zgjedhin se ku të shkojnë dhe nëse në nëntor do ketë vërtet një revansh Trump- Biden. Ata mund të kenë votuar për Haley në zgjedhjet paraprake, ose mund të kenë qëndruar në shtëpi.
Është vërejtur se në disa shtete, përfshirë Iowa-n, Teksasin dhe Karolinën e Veriut, pjesëmarrja ose votimi për Trump ishte më i ulët se sa pritej, dhe hendeku me Haley-n jo aq i madh. A është kjo një pararojë e asaj që mund të vijë? Një pengesë mund të zhvillohet nga aludimet se ka një reagim të qetë republikan kundër Trump, se është më i madh dhe më i përhapur nga sa duket aktualisht dhe se mund të rritet.
Duke supozuar se Trump është kandidati republikan në nëntor dhe Biden demokrat, republikanët anti-Trump duhet të zgjedhin midis braktisjes së partisë së tyre ose abstenimit. Sa është numri i tyre, çfarë mund t'i bindë ata të votojnë për opozitën dhe sa mund të mos votojnë fare, këto do të jenë pyetjet e mëdha për anketuesit dhe ekipet e fushatës në muajt në vijim.
Por kjo nuk do të thotë se nuk ka asgjë për të ndaluar kandidaturën presidenciale të Trump para se të shkojë aq larg. Por ndoshta Gjykata e Lartë nuk do të jetë institucioni që do ta bëjë këtë. Vendimi i gjykatës kundër shteteve që përjashtojnë një kandidat nga fleta e votimit në primare, është parë gjerësisht si një aluzion i fortë se ajo do të vendosë sërish në favor të Trump në çështjen e imunitetit presidencial.
Kryengritja është e vetmja shkelje, për të cilën dikush mund të arrestohet sipas Kushtetutës Amerikane, prandaj kundërshtarët e Trump janë kaq të prirur që trazirat e 6 janarit 2021 të shpallen si të tilla dhe ta shohin Trumpin të ndiqet penalisht për këtë. Por Trump këmbëngul se ai ishte ende president në atë kohë, dhe për këtë arsye gëzonte imunitet nga ndjekja penale.
Nëse Gjykata e Lartë bie dakord me këtë interpretim, atëherë fushata e tij për presidencën do të vazhdojë. Edhe koha është kundër argumentit të imunitetit që ndalon rrugëtimin e Trump drejt Shtëpisë së Bardhë. Gjykata e Lartë do të nisë seancat dëgjimore më 25 prill, gjë që e bën të pamundur, që ndonjë nga çështjet e tjera në pritje kundër Trump të mund të marrë zgjidhje shumë përpara konventës së partisë në verë apo vetë zgjedhjeve më 5 nëntor.
Siç bëri kur ishte president, Trump po teston limitet e Kushtetutës së SHBA. Edhe nëse disa nga çështjet gjyqësore me të cilat përballet Trump do të përfundonin përpara zgjedhjeve, nuk ka asgjë kushtetuese, që do ta pengonte atë të zgjidhej apo ta ushtronte detyrën nga burgu.
Të paktën kjo është teoria, sado i madh mund të jetë mosbesimi për një perspektivë të tillë në këtë anë të Atlantikut. Për më tepër, mbështetësit e Trump duken të patrazuar nga perspektiva e votimit për një kriminel të dënuar. Në fakt, ata i konsiderojnë akuzat kundër tij dhe mundësinë e burgimit si dëshmi të mëtejshme të asaj që ata tashmë mendojnë se dinë: se sistemi është organizuar kundër njerëzve si ata dhe Trump, një besim që vetëm forcon mbështetjen e tyre.
Nëse Trump nuk do të ndalet nga gjykatat, a ka ende ndonjë gjë që mund ta bllokojë rrugën e tij drejt zgjedhjeve, dhe përfundimisht drejt presidencës? Një pengesë mund të krijohet nga aludimet, ende të vogla, se ka një reagim të republikanëve kundër tij, se është më i madh dhe më i përhapur nga sa duket aktualisht, dhe mund të rritet më tej.
Një analizë e “republikanëve anti-Trump”, e publikuar së fundmi nga The Wall Street Journal, vë në dukje se ky grupim priret të jetë më shumë i arsimuar, më mirë ekonomikisht, më armiqësor ndaj idesë së shkeljes së ligjit, dhe më shumë kritik mbi trazirat në Capitol Hill sesa mbështetësit e Trump.
Nëse ky grupim nënvlerësohet, apo nëse nxitet nga paditë e shumta gjyqësore kundër Trump, atëherë kjo mund të përshpejtojë ndoshta një ndarje të hapur në Partinë Republikane, e cila mund të paraqesë një tjetër bllok, ose të paktën ta ndërlikojë kandidimin presidencial të Trump.
Ka ende pak shenja të një përçarjeje të tillë, por duhen edhe 6 muaj deri në mbajtjen e konventave, dhe deri atëherë mund të ndodhin shumë gjera. Një pengesë e tretë e mundshme, mund të quhet “faktori Biden”, që mund të marrë disa forma. Po sikur Biden të bindet apo të detyrohet të braktisë fushatën e tij për t’u rizgjedhur? Si do të përballej Trump me një demokrat tjetër? Apo nëse Biden bën një fushatë më të fortë sesa duket e mundshme, atëherë Trump do të duhet gjithashtu të forcojë lojën e tij.
Ai tashmë e ka sfiduar Biden për një debat publik, duke supozuar faktin që është fizikisht më i fortë, por edhe kjo mund të ndryshojë. Votuesit amerikanë mund të kenë njëfarë ideje për këto shanse nga fjalimi i Biden mbi Gjendjen e Unionit. Deklaratat e tij të fundit sugjerojnë se ai
nuk ka ndërmend të dalë nga skenari. Dhe ai e mundi Trumpin në vitin 2020. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Independent”
Lini një Përgjigje