
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk e sheh të mundur një samit paqeje me përfaqësues të Rusisë, të propozuar nga homologu turk Recep Tayip Erdogan.
Erdogan priti presidentin e Ukrainës në një takim në Stamboll, për të diskutuar për një samit paqeje ose një dialog dypalësh Ukrainë-Rusi të moderuar nga Ankaraja.
Zelensky tha se nuk mund të ftojmë në diskutim njerëz që shkatërrojnë dhe vrasin gjithçka. Ai thekson se duhet të shohin rezultate konkrete për paqen në vend. Presidenti ukrainas shton se vetëm pasi të hartohet një plan i detajuar, atëherë mund të përfshihen përfaqësues të Rusisë.
“Nuk e kuptoj se si mund të ftojmë njerëz që bllokojnë, shkatërrojnë dhe vrasin gjithçka. Ne duam të shohim rezultate konkrete për paqen në Ukrainë. Ndaj, së pari, janë vendet e civilizuara të botës që do hartojnë një plan të detajuar përmes të cilit do të ketë rezultate dhe vetëm atëherë do mund të përfshihen përfaqësues të Rusisë”, tha Zelensky.
Dy presidentët nënshkruan edhe disa akorde, përfshirë ato për lehtësimin e tregtisë dypalëshe dhe bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve. Zelensky vizitoi edhe një kantier ku po ndërtohet një luftanije për marinën ukrainase.
Lini një Përgjigje