Lideri i partisë britanike Reform UK, Nigel Farage, po përballet me një hetim nga Komisioneri Parlamentar për Standardet lidhur me një dhuratë prej 6.7 milionë dollarësh, ose rreth 5 milionë paundësh, të marrë nga një donator i partisë së tij.
Hetimi vjen vetëm pak ditë pasi Reform UK doli si fituesja më e madhe në zgjedhjet lokale dhe rajonale në Britaninë e Madhe, duke forcuar më tej pozitat e saj në skenën politike britanike.
Një zëdhënës i Reform UK mohoi çdo shkelje, duke deklaruar për agjencinë Reuters se Farage “ka qenë gjithmonë i qartë se bëhej fjalë për një dhuratë personale dhe pa kushte, ndërsa asnjë rregull nuk është shkelur”.
“Presim që kjo çështje të mbyllet njëherë e përgjithmonë”, shtoi zëdhënësi.
Farage ka deklaruar se fondet i kishte marrë nga miliarderi me bazë në Tajlandë dhe investitori në kriptomonedha Christopher Harborne, për të financuar sigurinë e tij personale përpara se të shpallte kandidaturën në zgjedhjet kombëtare të vitit 2024, të cilat i siguruan atij një vend në Parlament.
Sipas Farage, pagesa nuk përbënte donacion politik. Megjithatë, partitë rivale e akuzuan në prill se kishte shkelur rregullat parlamentare, të cilat kërkojnë që deputetët të deklarojnë donacionet e marra gjatë vitit para zgjedhjeve brenda një muaji nga marrja e mandatit.
Reform UK ka kryesuar sondazhet kombëtare që prej fillimit të vitit të kaluar, çka ka sjellë edhe vëmendje më të madhe mbi burimet e financimit të partisë.
Javën e kaluar, zgjedhjet për rreth 5 mijë vende në 136 këshilla lokale në Angli, si dhe në parlamentet rajonale të Skocisë dhe Uellsit, shënuan një përparim të rëndësishëm për Reform UK, përfshirë zona që tradicionalisht konsideroheshin bastione të Partisë Laburiste.
Nëse hetimi arrin në përfundimin se Farage ka kryer shkelje serioze të rregullave të deklarimit parlamentar, ai mund të pezullohet përkohësisht nga Dhoma e Komunëve.
Një pezullim prej 10 ditësh ose më shumë mund të aktivizojë një procedurë për mbledhjen e firmave nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale, gjë që mund ta detyrojë të përballet me zgjedhje të parakohshme për mandatin e deputetit.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor britanik, rreth dy të tretat e financimit të Reform UK gjatë vitit të kaluar erdhën nga Christopher Harborne.
Kundërshtarët politikë argumentojnë se financimi nga një miliarder me bazë jashtë vendit bie ndesh me imazhin që Farage përpiqet të krijojë si një politikan anti-establishment dhe “njeri i zakonshëm” që përfaqëson interesat e qytetarëve të thjeshtë.
Nënkryetari i Reform UK, Richard Tice, deklaroi gjatë fundjavës se votuesit ishin në dijeni të dhuratës dhe megjithatë mbështetën masivisht partinë në zgjedhjet e fundit.
Më herët këtë vit, Farage kërkoi falje pasi autoritetet parlamentare britanike konstatuan se ai kishte kryer pa dashje 17 shkelje të rregullave për deklarimin e interesave financiare.
Mes tyre përfshiheshin pagesa të marra nga Google dhe kompania X Corp e Elon Musk.
Komisioneri Parlamentar për Standardet arriti në përfundimin se shkeljet nuk kishin qenë të qëllimshme dhe se ato lidheshin me probleme administrative dhe mungesë stafi.
Lini një Përgjigje