Më shumë se një duzinë të shtënash me armë zjarri u dëgjuan në Senatin e Filipineve, ndërsa policia dhe marinsat ndërhynë për të arrestuar senatorin Ronald dela Rosa, i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për akuza që lidhen me krime kundër njerëzimit.
Gazetarja e Al Jazeera, Jamela Alindogan, raportoi se gazetarët u detyruan të largoheshin dhe të kërkonin strehim pasi të shtënat shpërthyen të mërkurën në mbrëmje, vetëm pak minuta pasi ushtarë të armatosur me pushkë dhe pajisje mbrojtëse hynë në shkallët e ndërtesës së Senatit.
“U dëgjuan rreth 15 të shtëna dhe ne u detyruam të tërhiqeshim”, tha Alindogan, duke shtuar se forcat e sigurisë urdhëruan më pas evakuimin e ndërtesës.
Deri tani nuk është bërë e qartë se kush i ka qëlluar të shtënat.
Më herët gjatë ditës, senatori filipinas Ronald dela Rosa deklaroi se priste arrestimin e tij dhe u bëri thirrje mbështetësve të mblidheshin pranë parlamentit për të penguar ndalimin dhe dërgimin e tij në Hagë.
“Po ju bëj thirrje. Shpresoj të më ndihmoni. Mos lejoni që një tjetër filipinas të dërgohet në Hagë”, tha dela Rosa në një video të publikuar në Facebook.
Pas publikimit të mesazhit të tij, autoritetet filipinase të zbatimit të ligjit nisën të grumbulloheshin jashtë ndërtesës së Senatit, konfirmoi edhe zyrtari përgjegjës për sigurinë parlamentare, Mao Aplasca.
Ish-shefi i policisë filipinase, i njohur ndryshe me nofkën “Bato”, që në gjuhën filipinase do të thotë “shkëmb”, i kërkoi presidentit Ferdinand Marcos Jr të mos e dorëzojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Ai deklaroi se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë në Filipine dhe jo jashtë vendit.
I mbyllur në zyrën e tij parlamentare nga frika e arrestimit, dela Rosa tha se i kishte shërbyer vendit me besnikëri.
“Shpresoj që si ati i kombit të kujdeseni për të gjithë filipinasit. Ky është roli i qeverisë, të kujdeset për popullin e saj”, u tha ai gazetarëve, ndërsa iu drejtua presidentit Marcos.
“Bëra gjithçka për vendin. Nuk u pasurova. Punova me besnikëri”, deklaroi ai me lot në sy.
“Zoti President, një ditë edhe ju mund të përballeni me një situatë si kjo. Edhe ju mund të përjetoni probleme dhe atëherë do ta kuptoni se çfarë po ndiej tani.”
Gjykata Penale Ndërkombëtare publikoi të hënën urdhrin e arrestit ndaj dela Rosës, dokument që mban datën e nëntorit, ku ai dyshohet për krime kundër njerëzimit.
Ai akuzohet për të njëjtat vepra penale për të cilat përballet me drejtësinë edhe ish-presidenti Rodrigo Duterte, 81 vjeç, i cili ndodhet në Hagë në pritje të procesit gjyqësor pas arrestimit të tij vitin e kaluar.
Dela Rosa konsiderohej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Dutertes dhe ishte figura kryesore që drejtoi luftën e ashpër kundër drogës gjatë presidencës së tij.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, më shumë se 6 mijë persona të dyshuar si trafikantë apo përdorues droge u vranë gjatë operacioneve policore.
Megjithatë, organizatat e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra persona të tjerë humbën jetën në vrasje jashtëgjyqësore në lagje të varfra, sulme që shpesh iu atribuuan vigilentëve ose përplasjeve mes grupeve kriminale.
Policia filipinase ka mohuar akuzat për ekzekutime sistematike dhe mbulim të vrasjeve, duke deklaruar se personat e vrarë kishin rezistuar ndaj arrestimit gjatë operacioneve.
Sipas korrespondentes së Al Jazeera, aleatët e Dutertes besojnë se nuk duhet të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë ndërkombëtare dhe nuk e njohin autoritetin e ICC-së.
Ajo shtoi se megjithëse incidentet e dhunshme nuk janë të pazakonta në Manila, përplasjet brenda institucioneve shtetërore dhe sallave të drejtësisë konsiderohen të rralla dhe shqetësuese.
“Lufta kundër drogës” ishte premtimi kryesor elektoral që e solli Rodrigo Duterten në pushtet në vitin 2016. Gjatë fushatës dhe mandateve të tij, Duterte premtoi publikisht se do të vriste mijëra trafikantë droge dhe sfidoi vazhdimisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare që të hetonte veprimet e tij.
Ekipi mbrojtës i ish-presidentit Duterte ka deklaruar se ai është i pafajshëm dhe se retorika e tij e ashpër kishte si qëllim të frikësonte kriminelët dhe jo të nxiste vrasje jashtëligjore.
Lini një Përgjigje