TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Prill 2026, 12:55

Ngushtica e Hormuzit në prag bllokimi, dy cisterna të lidhura me Iranin largohen nga Gjiri

Shkruar nga Pamfleti
Ngushtica e Hormuzit në prag bllokimi, dy cisterna të lidhura me
Cisternë nafte në Hormuz

Dy tankerë të lidhur me Iranin dolën nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit përpara një bllokade të planifikuar amerikane të porteve dhe zonave bregdetare iraniane .

Reuters raportoi se cisterna Auroura është e ngarkuar me produkte nafte iraniane, ndërsa cisterna New Future po transporton naftë të ngarkuar nga porti i Hamriyah në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi të dielën përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Truth Social një plan për vendosjen e një bllokade në Ngushticën e Hormuzit.

Në deklaratën e tij, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të “fillojnë procesin e bllokimit të çdo anijeje që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit”, duke shtuar se në këtë operacion do të përfshihen edhe vende të tjera.

Ai theksoi gjithashtu se forcat amerikane do të ndalojnë çdo mjet lundrues në ujërat ndërkombëtare që ka paguar tarifa ndaj Iranit. “Askush që paguan një tarifë të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur,” shkroi Trump, duke paralajmëruar se çdo sulm nga ana iraniane ndaj forcave amerikane ose anijeve civile do të përballet me përgjigje të ashpër.

Më pas, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) sqaroi se bllokada do të zbatohet vetëm për anijet që udhëtojnë drejt ose nga Irani, përfshirë portet iraniane në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit.

Sipas këtij institucioni, forcat amerikane nuk do të pengojnë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt porteve jo-iraniane. CENTCOM njoftoi se detaje të tjera do të publikohen në vijim.

Në orët e para të së hënës, Trump publikoi një tjetër mesazh në rrjetet sociale lidhur me këtë çështje, pa dhënë menjëherë detaje shtesë.

Sipas analizave, nëse strategjia e propozuar nga Donald Trump do të kishte sukses, ajo do t’i hiqte Iranit mjetin kryesor të presionit në negociatat me SHBA-në dhe do të siguronte sërish kalimin e lirë në ngushticë për tregtinë globale, duke ndikuar potencialisht në uljen e çmimeve të naftës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se një bllokadë detare konsiderohet akt lufte dhe kërkon angazhim të konsiderueshëm dhe të zgjatur të anijeve luftarake.

“Trump kërkon një zgjidhje të shpejtë. Në realitet, ky mision është i vështirë për t’u zbatuar vetëm dhe ka gjasa të jetë i paqëndrueshëm në afat mesëm dhe afatgjatë”, deklaroi Dana Stroul, ish-zyrtare e lartë e Pentagonit gjatë administratës Biden, aktualisht në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.

Ushtria amerikane nuk ka dhënë ende detaje bazë mbi këtë plan, përfshirë numrin e anijeve që do të angazhohen, përdorimin e mundshëm të avionëve luftarakë apo pjesëmarrjen e aleatëve të Gjirit. Komanda Qendrore e SHBA-së nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Ekspertët vlerësojnë se me një numër të mjaftueshëm anijesh, Marina amerikane mund të vendosë një bllokadë që do të dekurajonte shumë cisterna tregtare nga transportimi i naftës iraniane.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të ndalonin dhe sekuestronin, apo edhe të dëmtonin apo fundosnin, anijet që përpiqen të thyejnë bllokadën.

 

 

 

hormuzi irani cisterna

Lini një Përgjigje