Ambasada e Ukrainës në Vatikan i është përgjigjur ashpër deklaratave të Papa Françeskut, i cili në një intervistë theksoi urgjencën e një negociate dhe sugjeroi që vendi “të ngrejë një flamur të bardhë”.
Në përgjigje të saj, Ambasada e Ukrainës deklaroi se që të arrihet paqja është njësoj si të bëhej negociatë me Hitlerin. Në reagim thuhet gjithashtu se "nëse duam që lufta të përfundojë, duhet të vrasin Dragoin (Putinin).
“Është shumë e rëndësishme të silleni me konsistencë. Kur i referohemi Luftës së Tretë Botërore, që po jetojmë tani, duhet të na jepet një mësim: në atë kohë, a kishte dikush që fliste për negociata paqeje me Adolf Hitlerin dhe një flamur të bardhë për ta kënaqur atë? Mësimi është vetëm një: nëse duam që lufta të përfundojë, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të vrarë Dragoin!”, shkruan Ambasada e Ukrainës në Vatikan.
Papa kërkoi që Kievi të ngrejë flamurin e bardhë, teksa atë që po ndodh në Gaza e cilëson si një luftë që po bëhet nga të papërgjegjshmit. Po ashtu ai ka denoncuar edhe një herë tmerrin e luftës "pas së cilës fshihet industria e armëve".
“Mendoj se më i forti është ai që e sheh situatën, mendon për popullin e tij dhe ka guximin të ngrejë flamurin e bardhë dhe të negociojë. Fjala negocim është guximtare. Kur sheh që je mundur, që gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guximin të negociosh. Mund të kesh turp të negociosh, por sa të vdekur do të numërojë kjo luftë? Duhet të negociosh në kohë, të gjesh një shtet që mund të bëhet ndërmjetës", tha Papa gjatë një interviste dhënë televizionit italozviceran (RSI) të regjistruar në shkurt, por që do të transmetohet më 20 mars.
Në fakt, një ndërmjetës është vetofruar për të ulur palët në tryezë dhe ai është Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Por ende nuk ka një përgjigje përfundimtare nëse palët do të pranojnë këtë ofertë.
Muajin e kaluar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se në luftë kishin rënë 31 mijë ushtarë. Megjithatë ai duket larg ngritjes së flamurit të bardhë, pasi gjatë vizitës së tij në Tiranë kërkoi më shumë armatime dhe ndihmë nga shtetet aleate si dhe propozoi bashkëprodhimin e municioneve me vendet e Ballkanit, edhe me Shqipërinë.
Lini një Përgjigje