TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Dhjetor 2025, 11:07

Nga zhdukja e lisë tek fillimi i sundimit të Millosheviçit, ngjarjet kryesore të datës 9 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti

Nga zhdukja e lisë tek fillimi i sundimit të Millosheviçit,

9 Dhjetor 1979 - Sëmundja e lisë shpallet zyrtarisht e zhdukur

Një komision ndërkombëtar shkencëtarësh, shpalli zhdukjen e formave epidemikë të sëmundjes së lisë. Kjo sëmundje e kishte shfarosur njerëzimin për mijëra vjet, me përshkrimin më të hershëm të njohur që shfaqet në rrëfimet indiane nga shekulli II Para Krishtit.

Por besohet se faraoni egjiptian Ramsesi V vdiq nga lija në vitin 1145 Para Krishtit. Gjithsesi, hulumtimet e fundit tregojnë se virusi i vërtetë i lisë mund të ketë evoluar në vitin 1580. Një lloj vaksinimi - injektimi në trup i një sasie të vogël të virusit në mënyrë, që të shkaktonte një sëmurje të lehtë dhe sjell imunitet - ishte i përhapur në Kinë që në shekullin XVI-të.

Nuk ka të dhëna për një sëmundje të ngjashme me linë në Amerikë përpara kontaktit me evropianët, dhe fakti që evropianët e çuan linë atje, ishte një faktor kryesor në pushtimin dhe zhdukjen pothuajse të plotë të shumë popujve indigjenë të Amerikës Veriore, Jugore dhe Qendrore.
Lija ishte shkaku kryesor i vdekjes në Evropën e shekullit XVIII-të, duke çuar në shumë eksperimente me vaksinimin. Në vitin 1796, shkencëtari anglez Eduard Xhener zbuloi një vaksinë. Ndryshe nga llojet e tjera të vaksinimit, vaksina e tij, ishte  prodhuar nga virusi i një sëmundjeje që prekte lopët, dhe nuk kishte asnjë rrezik transmetimi.

Shumë vende evropiane dhe shtete amerikane, e bënë të detyrueshëm vaksinimin e foshnjave, dhe rastet me këtë sëmundje ranë gjatë ndjeshëm shekullit XIX-të dhe fillimit të shekullit XX-të.

Krahasuar me sëmundje të tjera epidemike, të tilla si poliomeliti ose malaria, zhdukja e lisë ishte relativisht e thjeshtë, sepse sëmundja jeton vetëm tek njerëzit, duke e bërë vaksinimin e njerëzve shumë efektiv në ndalimin e përhapjes së saj.

Po ashtu, simptomat e saj shfaqen shpejt, duke e bërë të lehtë identifikimin dhe izolimin e valëve epidemike. Duke filluar nga viti 1967, Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërmori një përpjekje mbarëbotërore për të identifikuar dhe zhdukur shpërthimet e fundit epidemike të sëmundjes.

Deri në mesin e viteve 1970, lija ishte e pranishme vetëm në Bririn e Afrikës dhe në pjesë të nënkontinentit Indian. Rasti i fundit që ndodhte natyrshëm, u diagnostikua në Somali në vitin 1977. Dy vjet më vonë, mjekët shpallën zhdukjen e saj. Eliminimi i lisë, është një nga sukseset e mëdha në historinë e shkencës dhe mjekësisë.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

9 Dhjetor 536 - Ushtria e Perandorisë Bizantine, e udhëhequr nga gjenerali Belizari, e merr Romën nga sundimtarët ostrogotë.

9 Dhjetor 1905: Parlamenti anglez miraton Ligjin për Ndihmën e Të Varfërve, një hap i rëndësishëm në themelimin e shtetit të mirëqenies sociale.

9 Dhjetor 1917 - Trupat turke largohen nga Jerusalemi pas vetëm një dite luftimesh, dhe zyrtarët e Qytetit të Shenjtë ua dorëzojnë çelësat e qytetit trupave britanike që po hynin.

9 Dhjetor 1931 - Spanja e shpall vetën republikë (Republika e Dytë Spanjolle) pas zgjedhjeve komunale, duke çuar në arratisjen e mbretit Alfonso XIII.

9 Dhjetor 1987 - Në Gaza dhe Bregun Perëndimor, nis Intifada e Parë palestineze kundër pushtimit izraelit.

9 Dhjetor 1990 - Sllobodan Millosheviç zgjidhet president i Serbisë në zgjedhjet e para shumëpartiake të republikës që nga Lufta e Dytë Botërore. Zgjedhjet pasuan një kushtetutë të re serbe të miratuar në shtator 1990, e cila krijoi zyrtarisht një sistem shumëpartiak, por që krijoi njëherazi një presidencë të fortë për autokratin e ri të Beogradit.

Millosheviç fitoi me 65 për qind të votave që në raundin e parë. Po ashtu, partia e

tij siguroi një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, duke fituar 194 nga 250 vende. Fitorja e konsolidoi pushtetin e Millosheviçit dhe e rrënjosi platformën e tij nacionaliste, e cila i dha përparësi interesave serbe mbi decentralizimin e kërkuar nga republikat e tjera si Sllovenia dhe Kroacia, duke përshpejtuar kështu shpërbërjen e Jugosllavisë.

Ai u akuzua më vonë për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Pasi u rrëzua nga pushteti në tetor 2000, u arrestua në fillim të vitit 2001 dhe iu dorëzua Gjykatës së Hagës. Gjykimi filloi në shkurt të vitit 2002, por pati vonesa të shumta për shkak të problemeve shëndetësore të Millosheviçit.

Më 11 mars 2006, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij.

9 Dhjetor 2016 - Agjencia Botërore Antidoping, zbulon një “konspiracion të gjerë institucional”, që përfshin zyrtarë dhe më shumë se 1.000 atletë rusë në një përdorim sistematik të stimulantëve në garat e mëdha atletike, përfshirë Lojërat Olimpike./Pamfleti

zhdukja e lisë sundimi i millosheviçit 9 dhjetor

1 Komente

  1. T
    Tony

    Me gjithe mend date e shenuar per njerezimin o mjerane zhgarravites.

    Lini një Përgjigje