TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Dhjetor 2025, 08:00

Nga shtyrja në shtyrje, kështu ndërtohet Europa e Bashkuar?

Shkruar nga Pamfleti
Nga shtyrja në shtyrje, kështu ndërtohet Europa e Bashkuar?
Liderët e BE duke diskutur mbi astete ruse

Nëse gjithçka është për faj të Trump-it, atëherë pse liderët europianë janë kaq të dobët?

Po e mbyllim vitin 2025 me dy teste kyçe për të ashtuquajturin “model europian”: Ukraina dhe marrëveshja tregtare me Mercosur. Dhe për momentin, Bashkimi Europian nuk po del aspak i lavdishëm as nga njëri dhe as nga tjetri.

Në rastin e Ukrainës, masa më domethënëse që BE-ja mund të merrte ishte konfiskimi përfundimtar i rezervave ruse të ngrira në bankat e eurozonës. Por kjo nuk ndodhi. Fillimisht për shkak të presionit të vendeve si Belgjika dhe Hungaria, e më pas përmes një rezistence burokratike e proceduriale që fshihet pas arsyetimit “legalist” se pronësia është e shenjtë dhe nuk mund të preket, madje as në emër të dëmshpërblimeve për një shtet të sulmuar si Ukraina.

Për momentin, vendimi është shtyrë. Nga shtyrja në shtyrje, kështu ndërtohet Europa e Bashkuar? Ndërkohë, nga ky proces ka lindur, edhe një herë, një “miush nga mali”: një hua për Ukrainën, e mirëpritur në Kiev, por që nuk prek aspak pasurinë e Putinit.

Po fitojnë dy forca: nga njëra anë, putinistët e hapur, që janë pak por këmbëngulës, dhe nga ana tjetër, partia burokratike që sundon realisht Europën, ata që e vënë “procedurën” mbi çdo parim. Është i njëjti mendim juridik që do të ndalonte shtetin italian të sekuestronte pasuritë e mafias, nëse do të merrnim seriozisht idenë se “pronësia është e shenjtë”. Pra, sipas kësaj logjike, do të ishte triumf i shtetit ligjor t’i kthenim mafias gjithçka që i është sekuestruar.

Në gjithë këtë, nuk mungojnë ata që nxitojnë të fajësojnë Trump-in, “Satana i Madh” që shërben si alibi për çdo gjë. Nëse mungon vendosmëria për t’u përballur me Rusinë, atëherë “me siguri është faj i Trump-it”, thonë ata. Por kjo narrativë bie në kundërshtim me faktet: debati për përdorimin e rezervave ruse ka nisur që në kohën e administratës Biden, kur BE-ja sërish nuk tregoi aspak guxim.

Putinizmi nuk u forcua nga Trump-i, por nga vite të tëra sjelljesh të buta, oportuniste dhe frikacake nga liderët europianë, që nga reagimi i vakët i Bushit ndaj pushtimit të Gjeorgjisë në 2008, deri te pasiviteti i Obamës ndaj aneksimit të Krimesë në 2014. Në fakt, në 2008 ishte pikërisht Bush që e futi në axhendë zgjerimin e NATO-s drejt Ukrainës dhe Gjeorgjisë – dhe ishin Franca e Sarkozy-t dhe Gjermania e Merkel-it që vendosën veton. “Koluzionet” me Rusinë që sot u atribuohen lidhjeve Trump–Putin, kanë qenë pjesë e politikës së jashtme gjermane që nga Willy Brandt te Gerhard Schröder, deri te Olaf Scholz – dhe janë përqafuar nga të dy krahët politikë, përfshirë Kohl-in dhe Merkel-in.

Kalojmë te testi tjetër, më pak dramatik, por jo pa rëndësi: marrëveshja tregtare me Mercosur-in. Deri dje, proteksionizmi ishte armëpushimi i keq i Trump-it, ndërsa BE-ja pretendohej si bastion i tregtisë së lirë. Të gjithë dëgjuam predikimet për turpin e tarifave të Trump-it dhe thirrjet për një aleancë të madhe BE–Jugu Global për të mbrojtur tregtinë e lirë.

Por në provën e parë serioze, BE-ja heq dorë, tërhiqet dhe shtyn vendimet. Përse? Sepse është peng i lobit të bujqësisë, po aq i fuqishëm sa në kohët e para të Komunitetit Europian. E vërteta është se kontinenti plak kurrë nuk ka besuar realisht te tregu i lirë, është gjithmonë i ndikuar nga interesa proteksioniste të ngjyrosura politikisht.

Dhe pastaj del fajtor sërish Trump, sepse është më lehtë të fajësosh “armikun e madh” sesa të përballesh me hipokrizinë e brendshme. Në fund, ndër shumë dëmet që Trump mund t’i ketë sjellë botës, duhet t’i shtojmë edhe një tjetër: u ka dhënë një alibi të përkryer të gjithë kundërshtarëve të tij, duke i vënë në gjumë intelektualisht. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”

rusi be ukraine trump

Lini një Përgjigje