
Në një nga transmetimet e fundit në kanalin shtetëror Rossiya-1, figurat më të njohura të propagandës ruse, përfshirë Vladimir Solovyov, i njohur ndryshe si “zëri i Kremlinit”, janë angazhuar në një sulm të hapur mediatik dhe satirik ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Dikur i përshkruar si “pala e arsyeshme e Perëndimit”, sot Trump trajtohet si një figurë qesharake që "e telefonon Putinin për të kërkuar leje për të dërguar raketa në Ukrainë".
Në një segment të shfaqur drejtpërdrejt, Solovyov imitoi Trump-in, duke e përqeshur publikisht për hezitimin në vendimin për dërgimin e raketave Tomahawk, duke thënë: “Kur thua që po mendon t’i dërgosh Ukrainës Tomahawk, por pastaj shton që ‘së pari duhet të flas me Putinin’, nuk e forcon pozicionin tënd”. Studioja qeshi me të madhe. Një tjetër i ftuar u hodh në sulm: “Zoti Trump, ju jeni një budalla… por një budalla i jashtëzakonshëm!”
Kjo valë ironie nuk është spontane. Ajo vjen pas dështimit të samitit të planifikuar Trump–Putin në Budapest dhe është sinjal i qartë se Moska po rishikon strategjinë e saj komunikative. Nga imazhi i “liderit perëndimor që mund të negociojmë”, Trump tani paraqitet si figurë e dobët dhe e manipuluar.
Vetëm dy muaj më parë, takimi në Alaska midis Trump dhe Putinit u përshkrua në Rusi si një sukses diplomatik i presidentit rus, një “kapolavor i Putinit”. Por në Budapest, gjithçka u shemb: me vetëm një “non paper” të dërguar në Uashington, ku Rusia përsëriti kërkesat maksimale për kontrollin e Donbasit, Kremlini hodhi poshtë propozimet e Trump dhe i dha fund çdo ideje për bisedime të afërta.
Ndërkohë, në Ukrainë, Presidenti Zelensky ka bërë përgjegjëse pikërisht këtë vonesë në furnizimin me Tomahawk për rënien e interesit rus për diplomaci. Sipas tij, “kapacitetet me rreze të gjatë janë çelësi i paqes”. Vetëm diskutimi për këto raketa, sipas tij, ishte “një investim diplomatik”, sepse Rusia u bë menjëherë më e tërhequr sapo SHBA e shtyu vendimin.
Nëse dikur Rusia shihte tek Trump një mundësi për të ndalur përplasjen me Perëndimin, tani ai është shndërruar në një instrument propagandistik për të delegjitimuar Amerikën në sytë e opinionit rus. Ironitë në orarin kryesor televiziv ndaj një presidenti të huaj janë të rralla në një vend si Rusia, ku kultura politike bazohet mbi respektin për autoritetin. Por talljet me Trump janë bërë tani pjesë e normës – dhe kjo mund të jetë një tjetër mënyrë e Putinit për të treguar se, në fund, çdo lëshim ndaj paqes do të jetë meritë e tij, jo e asnjë presioni nga jashtë.
Në këtë klimë, nuk ka dyshim se paqa është ende larg, dhe ajo, siç duket, do të vijë vetëm kur Moska ta shohë si fitore personale, jo si rezultat i presionit amerikan. Edhe nëse për këtë duhet të përdorë pak humor televiziv në kurriz të një “miku të vjetër” si Trump.
Lini një Përgjigje