Teherani kërkon të vendosë tarifa për kabllot nënujore të internetit që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa media pranë regjimit paralajmëron për pasoja të mundshme ndaj trafikut global të të dhënave.
I inkurajuar nga bllokada e suksesshme gjatë luftës në Ngushticën e Hormuzit, Irani po i drejtohet një prej arterieve më të fshehta të ekonomisë globale: kabllove nënujore që kalojnë nën këtë rrugë detare dhe që transportojnë sasi të mëdha trafiku interneti dhe financiar mes Europës, Azisë dhe Gjirit Persik.
Republika Islamike synon t’u vendosë tarifa kompanive më të mëdha teknologjike në botë për përdorimin e kabllove nënujore të internetit të shtrira nën Ngushticën e Hormuzit. Media të lidhura me shtetin iranian kanë lëshuar paralajmërime të paqarta se trafiku mund të ndërpritet nëse kompanitë nuk paguajnë. Javën e kaluar, ligjvënësit në Teheran diskutuan një plan që mund të prekë kabllot nënujore që lidhin vendet arabe me Europën dhe Azinë.
“Do të vendosim tarifa mbi kabllot e internetit,” deklaroi javën e kaluar në platformën X zëdhënësi ushtarak iranian, Ebrahim Zolfaghari.
Media të lidhura me Gardën Revolucionare thanë se plani i Teheranit për të nxjerrë të ardhura nga ngushtica do t’i detyronte kompani si Google, Microsoft, Meta dhe Amazon të respektonin ligjin iranian, ndërsa kompanitë e kabllove nënujore do të duhej të paguanin tarifa licencimi për kalimin e tyre. Sipas raportimeve, të drejtat për riparimin dhe mirëmbajtjen e kabllove do t’u jepeshin ekskluzivisht kompanive iraniane.
Disa prej këtyre kompanive kanë investuar në kabllot që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe Gjirit Persik, por mbetet e paqartë nëse këto kabllo kalojnë në ujërat territoriale iraniane.
Po ashtu, nuk është e qartë se si regjimi iranian mund t’i detyrojë gjigantët teknologjikë të zbatojnë këto kërkesa, pasi ata ndalohen të bëjnë pagesa ndaj Iranit për shkak të sanksioneve të rrepta amerikane. Për këtë arsye, vetë kompanitë mund t’i konsiderojnë deklaratat iraniane më shumë si presion politik sesa si politikë konkrete.
Megjithatë, media pranë shtetit iranian kanë lëshuar paralajmërime të tërthorta për dëmtime të mundshme të kabllove, të cilat mund të prekin triliona dollarë në transmetimin global të të dhënave dhe të ndikojnë në lidhjen internetore në mbarë botën.
CNN ka kontaktuar kompanitë e përmendura në raportet iraniane.
Ndërsa shtohen frikërat për një rifillim të luftës pas rikthimit të presidentit amerikan Donald Trump nga Kina, Irani po sinjalizon gjithnjë e më shumë se zotëron mjete të fuqishme presioni përtej forcës ushtarake. Kjo lëvizje nxjerr në pah rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit jo vetëm për eksportet energjetike, por edhe si një instrument afatgjatë ekonomik dhe strategjik për Teheranin.
Kabllot nënujore përbëjnë bazën e lidhjes globale, duke transportuar pjesën dërrmuese të trafikut të internetit dhe të dhënave në botë. Çdo goditje ndaj tyre do të ndikonte shumë më tepër sesa shpejtësia e internetit, duke rrezikuar sistemet bankare, komunikimet ushtarake, infrastrukturën cloud të inteligjencës artificiale, punën në distancë, lojërat online dhe shërbimet e transmetimit.
Sipas Dina Esfandiary, drejtuese për Lindjen e Mesme në Bloomberg Economics, kërcënimet iraniane janë pjesë e një strategjie për të treguar ndikimin e Teheranit mbi Ngushticën e Hormuzit dhe për të garantuar mbijetesën e regjimit, objektiv kyç për Republikën Islamike gjatë luftës.
“Ai synon të imponojë një kosto kaq të madhe mbi ekonominë globale, sa askush të mos guxojë ta sulmojë më Iranin,” tha ajo.
“Katastrofë dixhitale zinxhir”
Disa prej kabllove më të rëndësishme ndërkontinentale kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Për shkak të rreziqeve të vazhdueshme të sigurisë që lidhen me Iranin, operatorët ndërkombëtarë kanë shmangur me vetëdije ujërat iraniane, duke përqendruar shumicën e kabllove në një korridor të ngushtë pranë brigjeve të Omanit, tha Mostafa Ahmed, studiues në Qendrën Kërkimore Habtoor me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ahmed ka publikuar një studim mbi pasojat e një sulmi të gjerë ndaj infrastrukturës së komunikimit nënujore në Gjirin Persik.
Megjithatë, dy prej këtyre kabllove Falcon dhe Gulf Bridge International (GBI) kalojnë nëpër ujërat territoriale iraniane, sipas Alan Mauldin, drejtor kërkimesh në TeleGeography, kompani kërkimore në fushën e telekomunikacionit.
Irani nuk ka deklaruar drejtpërdrejt se do të sabotojë kabllot, por përmes zyrtarëve, ligjvënësve dhe mediave pranë shtetit ka përsëritur synimin për të ndëshkuar aleatët e Uashingtonit në rajon. Kjo duket si teknika më e fundit e luftës asimetrike që regjimi mund të përdorë kundër fqinjëve të tij.
Sipas Ahmedit, Garda Revolucionare Islamike iraniane përbën rrezik për kabllot nënujore përmes përdorimit të zhytësve luftarakë, mini-nëndetëseve dhe dronëve nënujorë. Ai paralajmëron se çdo sulm mund të shkaktojë një “katastrofë dixhitale” me efekt zinxhir në disa kontinente.
Fqinjët e Iranit në anën tjetër të Gjirit Persik mund të përballen me ndërprerje të rënda të internetit, duke prekur eksportet jetike të naftës dhe gazit, si edhe sistemet bankare. Përtej rajonit, India mund të shohë një pjesë të konsiderueshme të trafikut të saj të internetit të preket, duke rrezikuar industrinë e saj të outsourcing-ut me humbje prej miliarda dollarësh, sipas Ahmedit.
Ngushtica shërben si korridor kyç dixhital mes qendrave aziatike të të dhënave, si Singapori, dhe pikave të lidhjes së kabllove në Europë. Çdo ndërprerje mund të ngadalësojë tregtinë financiare dhe transaksionet ndërkufitare mes Europës dhe Azisë, ndërsa pjesë të Afrikës Lindore mund të përballen me ndërprerje të internetit.
Nëse grupet aleate të Iranit do të përdornin taktika të ngjashme edhe në Detin e Kuq, dëmet mund të ishin edhe më të mëdha.
Në vitin 2024, tre kabllo nënujore u dëmtuan pasi një anije e goditur nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen tërhoqi spirancën përgjatë shtratit të detit gjatë fundosjes, duke ndërprerë afro 25% të trafikut të internetit në rajon, sipas kompanisë HGC Global Communications me bazë në Hong Kong.
Megjithatë, TeleGeography thekson se kabllot që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit përbëjnë më pak se 1% të kapacitetit global ndërkombëtar të transmetimit të të dhënave në vitin 2025.
Lufta e kabllove nuk është fenomen i ri
Telegrami i parë transatlantik u dërgua përmes një kablli nënujore në vitin 1858, duke transmetuar një mesazh urimi prej 98 fjalësh nga Mbretëresha Victoria e Britanisë për presidentin amerikan James Buchanan. Mesazhi mbërriti pas më shumë se 16 orësh.
Që atëherë, rëndësia e kabllove nënujore është rritur në mënyrë eksponenciale. Sot, një fibër optike e vetme në kabllot moderne mund të transmetojë të dhëna të barasvlershme me rreth 150 milionë telefonata të njëkohshme me shpejtësinë e dritës, sipas Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Kabllove.
Praktika e ndërprerjes së kabllove të komunikimit nënujore daton që nga shekulli XIX, kur u vendos kablli i parë telegrafik në Kanalin Anglez në vitin 1850. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, Britania ndërpreu kabllot kryesore telegrafike të Gjermanisë, duke i shkëputur komunikimet me forcat e saj.
Sot, shumica e dëmtimeve të kabllove shkaktojnë ndërprerje minimale, pasi operatorët ridrejtojnë shpejt trafikun përmes rrjeteve alternative globale. Megjithatë, çdo dëmtim në shkallë të gjerë do të kishte pasoja shumë më të rënda sesa në epokën e telegrafit, për shkak të varësisë pothuajse absolute të botës nga flukset e të dhënave.
Ekspertët paralajmërojnë se konflikti aktual me Iranin mund të komplikojë ndjeshëm përpjekjet për riparimin e kabllove, pasi anijet e mirëmbajtjes duhet të qëndrojnë të palëvizshme për periudha të gjata gjatë riparimeve. Sipas Mauldin, nga pesë anije mirëmbajtjeje që zakonisht operojnë në rajon, vetëm një ndodhet aktualisht brenda Gjirit Persik.
Irani kërkon të ndjekë modelin e Kanalit të Suezit
Media iraniane e kanë paraqitur propozimin për tarifimin e kabllove nënujore që kalojnë në ujërat iraniane si të përputhshëm me ligjin ndërkombëtar, duke iu referuar Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (UNCLOS), e cila përfshin dispozita për kabllot nënujore.
Megjithëse Irani e ka nënshkruar, por jo ratifikuar konventën, komuniteti juridik ndërkombëtar e konsideron atë pjesë të së drejtës zakonore ndërkombëtare. Neni 79 i UNCLOS parashikon se shtetet bregdetare kanë të drejtë të vendosin kushte për kabllot ose tubacionet që hyjnë në territorin ose ujërat e tyre territoriale.
Media iraniane kanë përmendur Egjiptin si precedent. Kajro ka shfrytëzuar pozicionin strategjik të Kanalit të Suezit për të pritur shumë kabllo nënujore që lidhin Europën me Azinë, duke gjeneruar qindra miliona dollarë çdo vit nga tarifat e tranzitit dhe licencimit.
Megjithatë, Kanali i Suezit është një rrugë ujore artificiale e ndërtuar në territorin egjiptian, ndërsa Ngushtica e Hormuzit është një ngushticë natyrore që i nënshtrohet një kuadri tjetër ligjor, sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare.
“Për kabllot ekzistuese, Irani duhet të respektojë kontratat që janë bërë në kohën kur ato janë vendosur,” tha për CNN profesorja e së drejtës ndërkombëtare në universitetin SOAS të Londrës, Irini Papanicolopulu. “Por për kabllot e reja, çdo shtet, përfshirë Iranin, mund të vendosë nëse dhe në çfarë kushtesh ato mund të kalojnë në ujërat e tij territoriale.”
Sipas Esfandiary nga Bloomberg Economics, Irani “teorikisht e dinte” se kishte ndikim mbi Ngushticën e Hormuzit, por nuk ishte i sigurt sa i madh do të ishte efekti nëse do t’i vinte në zbatim këto kërcënime.
“Tani, Teherani e ka kuptuar ndikimin që ka.”, shtoi ajo./Përshtati "Pamfleti", nga "CNN"
Lini një Përgjigje