Siç ndodh shpesh në samitet e mëdha ndërkombëtare, jo gjithçka mund të parashikohet. Dhe nëse samiti i Pekinit përfundoi me rëndësi historike në planin diplomatik, një moment i veçantë arriti ta rrëmbente djali gjashtëvjeçar i Elon Musk, Lil X, emri i plotë i të cilit është X Æ A-Xii.
Vogëlushi u shfaq në takimet zyrtare në korridoret e Pallatit të Popullit krah të atit, i cili e mban shpesh pranë në daljet publike. Ai kishte veshur një jelek mëndafshi bojëqielli, të qëndisur me motive të frymëzuara nga dinastia Tang, të përshtatura në stil modern. Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte çanta e vogël e krahut në formë koke tigri, e punuar me dorë. Reagimi në Kinë ishte i menjëhershëm: rrjetet sociale “u çmendën” pas tij.
Publiku kinez u afeksionua me vogëlushin energjik dhe vlerësoi mënyrën sesi Elon Musk kishte respektuar elementë të kulturës tradicionale kineze. Pamjet u bënë virale brenda pak orësh. Ndërkohë, në një moment jo fort të lehtë për marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, prodhuesit e jelekut dhe çantës artizanale u përballën me një kërkesë të jashtëzakonshme. Të dy produktet u shitën plotësisht në kohë rekord.
Çanta prodhohet nga “Yastee”, një markë artizanale kineze e themeluar 19 vite më parë në rajonin autonom Guangxi, në jug të Kinës pranë kufirit me Vietnamin. Modeli tradicional quhet “Hǔtóu”, që në përkthim do të thotë “kokë tigri”, një simbol i njohur i artit popullor kinez, i risjellë sot me elementë modernë sipas trendit “Guochao”, ose “moda kombëtare”.
Zgjedhja e Musk për djalin e tij nuk duket rastësore. Në kulturën kineze, e mbushur me simbole dhe besëtytni, veshjet me motive të kokës së tigrit u vishen fëmijëve për t’i mbrojtur nga shpirtrat e këqij, sëmundjet dhe për t’u sjellë fat, forcë dhe shëndet.
Pikërisht për këtë arsye, platformat online që kishin ende stok të çantës u “sulmuan” nga blerësit deri në shterimin e plotë të produktit. Menjëherë më pas hynë në lojë edhe koleksionistët, të cilët pushtuan tregjet e rishitjes online. Çanta kushtonte rreth 39 euro, por shumë persona kërkonin pikërisht serinë e përdorur nga Lil X dhe ishin të gatshëm të paguanin deri në dhjetë herë më shumë.
Vetë vogëlushi u shfaq krejtësisht i qetë mes gjithë vëmendjes, ndoshta edhe falë emrit të tij tepër të pazakontë, i mbushur me simbole që kanë ngjallur interes të madh te publiku kinez, gjithmonë i apasionuar pas kuptimeve të fshehura.
Emri i tij përmbledh referenca ndaj matematikës, inteligjencës artificiale dhe industrisë hapësinore, fusha ku Elon Musk po përqendron gjithnjë e më shumë aktivitetin e tij. “X” përfaqëson të panjohurën në matematikë; “Æ” lidhet me inteligjencën artificiale; ndërsa “A-Xii” është referencë për avionin futurist të zbulimit Lockheed A-12, të ndërtuar për CIA-n në vitin 1967, i aftë të fluturonte me shpejtësi Mach 3, ose rreth 3.540 kilometra në orë.
Megjithatë, ligji i Kalifornisë nuk lejon regjistrimin e emrave me numra, ndaj “12” u zëvendësua me “Xii”, si një homazh ndaj numrave romakë dhe latinishtes.
E vetmja pikëpyetje për supersticionin kinez lidhet me pjesën e emrit që i referohet inteligjencës artificiale: a ka sjellë ajo më shumë ters sesa fat? Për shumëkënd, përgjigjja mund të jetë po.
Në frontin e inteligjencës artificiale, Elon Musk deri tani është përballur me më shumë polemika sesa suksese, si në biznes ashtu edhe në aspektin e imazhit publik. Miliarderi u largua nga OpenAI, kompania ku kishte investuar dhe që sot njihet për ChatGPT, për të ndërtuar projektin e tij rival. Ai nuk e priti mirë faktin që Sam Altman, një nga bashkëthemeluesit e OpenAI, e transformoi organizatën nga “jo fitimprurëse” në një strukturë fitimprurëse.
Në stilin e tij të drejtpërdrejtë, Musk e paditi menjëherë Altmanin. Gjatë javëve të fundit, në sallën e gjyqit janë dëgjuar dëshmi nga figura të njohura të teknologjisë amerikane, përfshirë edhe CEO-n e Microsoft, Satya Nadella.
Musk e ka cilësuar Altmanin si “gënjeshtar patologjik”, por një nga episodet që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë procesit ishte rrëfimi mbi marrëdhënien e tij me Shivon Zilis, partneren aktuale dhe nënën e disa prej fëmijëve të tij.
“E njoha në bordin drejtues të OpenAI,” dëshmoi Musk. “Meqë nuk kishte fëmijë, i ofrova spermën time që të mund të bëhej nënë. Kështu ndodhi dhe më pas lindën katër fëmijë.”
Konflikti mes Musk dhe Altman krijoi edhe një problem interesi për Zilis, e cila u detyrua të largohej nga bordi drejtues i OpenAI.
Juria ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe pritet që verdikti të jepet së shpejti.
Një tjetër element që ka zgjuar kureshtjen e publikut kinez është fakti se nëna biologjike e Lil X nuk është Shivon Zilis, por këngëtarja dhe artistja kanadeze Grimes.
Dhe ka edhe një detaj interesant: si Grimes, ashtu edhe Zilis, janë kanadeze.
Edhe për këtë “rastësi”, rrjetet sociale në Kinë vazhdojnë debatet dhe teoritë e tyre. Deri tani, as aty nuk ka një verdikt përfundimtar./Marrë nga "Corriere della Serra
Prit kur te thote ndonje dite ky karabushi qe djalin e ka me nje alikene e do beje super mrekullira per planetin.