Pamjet e filmuara me telefon tregojnë momentin kur disa qytetarë imobilizuan burrin që pak më parë kishte përplasur këmbësorët.
Kamerat e kontrollit rrugor kanë filmuar nga pas mbërritjen e makinës në via Emilia. Automjeti u pa duke lëvizur zigzag dhe duke u ngjitur në trotuar, ku goditi këmbësorët në zonën me trafik të kufizuar.
Një tjetër kamerë e regjistroi ngjarjen nga përpara, duke treguar më qartë veprimin që, sipas hetimeve të deritanishme, duket i qëllimshëm.
Makina hyri me shpejtësi në rrugë, përshpejtoi dhe goditi këmbësorët, para se të ndalej te vitrina e një dyqani.
Më pas, një grup kalimtarësh ndoqi drejtuesin e mjetit gjatë arratisjes. Në pamje shihet Luca Signorelli, një prej dëshmitarëve që nuk u godit nga automjeti, teksa e kap nga pas. Ai e ndalon dhe e rrëzon, por Samir El Koudiri arrin ta mposhtë dhe e shtrin në tokë. Në atë moment shfaqet thika.
Sipas mediave italiane, El Koudiri tentoi ta godiste disa herë në gjoks dhe në kokë. Tehu e preku Signorellin, duke i shkaktuar plagë jo të thella. Ai arriti ta kapte agresorin nga kyçi i dorës ku mbante thikën dhe i bllokoi lëvizjen.

Ndërkohë, dy persona të tjerë i erdhën në ndihmë. Të tre arritën ta ndalonin dhe ta imobilizonin agresorin deri në mbërritjen e Policisë së Shtetit italiane. Sipas raportimeve, ndërhyrja zgjati gjithsej 11 sekonda.
Kryebashkiaku i Modenas, Massimo Mezzetti, tha në Instagram se presidenti italian Sergio Mattarella e kishte telefonuar për të shprehur afërsinë me të plagosurit dhe për të falënderuar qytetarët që ndërhynë.

Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi ngjarjen “shumë të rëndë” dhe falënderoi qytetarët dhe forcat e rendit për ndërhyrjen.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, e quajti Luca Signorellin “hero”, duke thënë se ai ndërhyri për të ndalur dhunën dhe për të mbrojtur njerëzit e pranishëm.
@tg1rai L'auto sulla folla a #Modena: ecco come alcuni passanti sono riusciti a bloccare Salim El Koudri. Uno di loro è stato ferito con un coltello dal 31enne che ha falcidiato un gruppo di pedoni nel centro della città. #Tg1 ♬ audio originale - Tg1Rai
Lini një Përgjigje