TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2025, 12:44

Nga MAGA tek MEGA: Musk do të jetë “Sorosi” i të djathtës, ja çfarë synon të arrijë në Evropë

Shkruar nga Giulio Ucciero

 

Nga MAGA tek MEGA: Musk do të jetë “Sorosi” i të
Elon Musk /

“Qytetarë të Evropës, bashkohuni me lëvizjen MEGA! Bëjeni Evropën sërish Madhështore!”- shkroi miliarderi, tashmë anëtar i administratës Trump...

“Ka shumë entuziazëm, dhe po organizojmë shumë aktivitete. Musk do të jetë Sorosi i të djathtës”. Pas Uashingtonit, ku pa nga afër inaugurimin e Trump II, Francesco Giubilei shkoi në Bruksel për të dëshmuar fillimin e lëvizjes MEGA, Make Europe Great Agains (Ta bëjmë Evropën sërish Madhështore), e lindur në vazhdën e asaj Trumpiane në SHBA.

Drejtues i Future Nation dhe drejtor shkencor i Fondacionit Alleanza Nazionale në Itali, Gubilei i njeh mirë republikanët amerikanë, dhe shpjegon për HuffPost se çfarë fshihet pas postimit në X me të cilin Elon Musk iu kërkoi evropianëve që t’i bashkohen projektit të ri: Qytetarë të Evropës, bashkohuni me lëvizjen MEGA! Bëjeni Evropën sërish Madhështore!”- shkroi miliarderi, tashmë anëtar i administratës Trump.

Gati 100 milion lexime, dhe një hutim i madh në politikën evropiane. Cili është synimi i Musk me lëvizjen MEGA?

Ai do që disa forca politike, të cilat ekzistojnë tashmë në Evropë, ta dinë se kanë mbështetje politike edhe në anën tjetër të Atlantikut, pra në SHBA. Musk u ofron një njohje politike, dhe kjo nuk është gjë e vogël.

Sepse parti si Alternative fur Deutschland në Gjermani, të cilat janë viktima të së ashtuquajturit “kordon sanitar” legjitimohen falë lidhjes direkte me Shtetet e Bashkuara. Musk i bën këto forca të pranueshme, madje edhe për të moderuarit.

Pra po ofron një shteg për ndërkombëtaren e të djathtës evropiane. Si do të mund t’i bëjë bashkë?

Duke i legjitimuar ato, Musk përpiqet që t’i bëjë më të dukshme për publikun. Ai dëshiron të krijojë një bazë të përbashkëta, dhe do të ofrojë jo vetëm ndihmë politike por edhe ekonomike. Duke përjashtuar rastet në Itali dhe Hungari, ku Viktor Orban ka krijuar strukturën e tij me shumë fondacione, gjetkë këto parti që nuk janë në qeveri, nuk kanë nga pas investitorë të mëdhenj.

Pra përveç afërsisë politike, Musk do të investojë edhe shumë para për promovimin e tyre?

Po. Në Itali ka shumë teori konspirative mbi këtë çështje. Por kur shkoj në Ballkan apo Evropën Qendrore, e kuptoj se ekziston vërtet “problemi Soros” (miliarderi hungarez që mbështet partitë liberale, dhe që shpesh përfundon nën shënjestrën e të djathtës). Musk mund të veprojë si një “Soros” i krahut të djathtë, duke financuar partitë e këtij spektri, dhe duke u garantuar atyre mbështetje ekonomike.

Cila është axhenda e MEGA-s?

Nuk ka një axhendë të veçantë, por një bazë të përbashkët. Dhe këto janë çështjet për të cilat shkruan Musk në X: kundër korrektësisë politike, lëvizjes majtiste Woke dhe teorisë gjinore; pro mbrojtjes së lirisë së shprehjes; mosbesim ndaj entiteteve mbikombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian; nevoja për të arritur një zgjidhje dhe dhënë fund luftës në Ukrainë; vëmendje dhe mbrojtje e botës pro-izraelite; marrëdhënie të ngushta me administratën Trump; një qasje absolute pro jetës; urrejtje totale ndaj marrëveshjes së gjelbër, dhe kundërshtim ndaj të gjitha politikave evropiane aktuale mbi emigracionin.

Meqë përmendët migrimin, e djathta radikale po i bën shumë jehonë dëbimeve masive edhe të atyre që kanë vite që jetojnë në një vend, sidomos nga AfD në Gjermani. A do të jetë pjesë e axhendës së MEGA?

Në lidhje me sovranitetin kombëtar ka një kërkesë: rivendosja në qendër e kombeve, sepse interesi italian është i ndryshëm nga ai francez, ashtu si dhe gjerman nga ai belg, e kështu me radhë. Emigracioni është një aspekt qendror, i cili megjithatë rrezikon të jetë kontradiktor.

Për shembull, Hungaria dhe Polonia janë kundër rishpërndarjes së emigrantëve, e cila është në fakt një zgjidhje e nevojshme për Italinë dhe Spanjën. Linja e përbashkët midis këtyre partive dhe lëvizjes MEGA, është që të ndalojë largimet e paligjshme që në vendin e origjinës. Një çështje tjetër janë dëbimet, të cilat duhen shtuar. Nga ky këndvështrim, modeli që synohet të kopjohet është ai i Trump.

Pra do të ketë një kurs euroskeptik apo një lëvizje brenda Bashkimit Evropian?

Dallim ka edhe në këtë pikë. Sot ka dy grupime: njëri është pjesë e PPE, konservatorët evropianë që mendojnë më shumë për ta ndryshuar Evropën nga brenda. Kjo është linja e Giorgia Melonit. Në anën tjetër, qëndrojnë ata që janë më kërkues dhe shumë euroskeptikë, por që megjithatë nuk synojnë më largimin e vendeve të tyre nga BE si 10 vjet më parë.

Këtu e kam fjalën për grupimin Patriotët Evropianë (ku bën pjesë edhe Lega e Matteo Salvinit). Ai vuan pasojat e “kordonit sanitar”, dhe nëse vazhdon të mos kenë asnjë  zë në vendimmarrje, kjo do të prodhojë një antievropianizëm edhe më të fortë. Në çdo rast, Musk ka një vizion shumë amerikan, dhe kjo nuk i pëlqen dhe aq partive të djathta në Bashkimin Evropian.

Tek cilët mund të mbështetet Musk në Evropë?

Le të bëjmë dallimin mes partive dhe realiteteve kulturore. Në mesin e liderëve politikë, përfshihen Giorgia Meloni dhe Viktor Orban. Në Britani, Musk nuk  mbështet më Nigel Farage por Tommy Robinson (ekstremist i djathtë i dënuar disa herë). Në Gjermani ai është me AfD.

Në përgjithësi e vlerëson grupimin Patriotët. Por në aspektin kulturor, ka disa figura që sillen rreth tij:Stefan Tompson, themelues i faqes Visegrad24, një polak shumë aktiv në raport me SHBA, pro-izraelit dhe afër pozicioneve të së djathtës evropiane. Pastaj është një influencues i zgjedhur në Parlamentin Evropian, qiprioti Fidias Panayiotou apo analistja holandeze Eva Vlaardingerbroek, shumë aktive në X.

Dhe si i zgjedh ata?

Bazuar dhe tek simpatia personale. Metoda është e ngjashme me atë të Steven Bannon (ish-filozofi i Trumpizmit). Musk e sheh tubimin zgjedhor, dhe flet për të duke e ditur se do të ketë një peshë t madhe. Kështu bëri me Gjermaninë, duke përzgjedhur AfD. E njëjta gjë mund të ndodhë në Spanjë me Vox, apo në Francë me Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen

Po në Itali si është situata?

Përveç raportit të afërt me Melonin, ekziston edhe çështja Starlink dhe Space X. Andrea Stroppa (informaticien dhe njeriu i Musk në Itali), vepron si ndërlidhës midis SHBA-së dhe Italisë. Musk i beson shumë atij, dhe Stroppa merr gjithmonë pjesë në takimet institucionale.

Musk komunikon shpesh me qeverinë italine. Aq sa edhe vëllai i tij, Kimball Musk ka financuar me 3 milionë euro një fondacion mbi Romën e lashtë. Në përgjithësi, Musk e di se Italia mund të jetë pika e kontaktit midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Pjesërisht sepse ne peshojmë më shumë se sa Hungaria, dhe pjesërisht sepse ai është i magjepsur pas Romës së lashtë. Edhe gjesti i tij përshëndetës që shkaktoi shumë diskutime, ishte një referencë për Romën e lashtë.

Por a jemi të sigurt që MAGA është në harmoni MEGA? Le të kujtojmë pak tarifat dhe luftën tregtare në horizont...

Amerikanët duan të krijojnë një bazë në Evropë, për të dobësuar ata që janë kundër Trump. Ndaj janë në kërkim të aleatëve. Nëse Emmanuel Macron kundërpërgjigjet ndaj tarifave të Trump me tarifat e tij, politikisht do të pozicionohej kundër Amerikës. Në lidhje me tarifat, e djathta në Evropë po pret të shohë se çfarë do të ndodhë. Por problemi kryesor sot janë politikat e BE-së, nga ato të gjelbra tek korrektësia politike. Pra problemin e vërtetë, ne e kemi në shtëpi./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

maga mega sorosi i së djathtës elon musk evropa

Lini një Përgjigje