TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shkurt 2026, 19:29

Nga kopshtet e shkollat te vendet publike, çdo gjë nën mbikqyrje/ Si regjistrohen e përgjohen qytetarët?

Shkruar nga Pamfleti
Nga kopshtet e shkollat te vendet publike, çdo gjë nën
Ilustruese

Mbi një mijë pajisje për video dhe audio-mbikëqyrje janë instaluar në institucione publike në të gjithë vendin; ekspertët paralajmërojnë për rreziqe ndaj privatësisë

Mbi një mijë pajisje për video dhe audio-mbikëqyrje janë instaluar në institucione publike në të gjithë Serbinë, përfshirë shkolla, spitale, stacione hekurudhore dhe infrastrukturë urbane.

Sipas një hulumtimi shumëvjeçar të realizuar nga rrjeti investigativ BIRN, gjatë 5 viteve të fundit qindra institucione publike kanë blerë pajisje mbikëqyrjeje, nga kamera me funksione për njohjen e fytyrës, identifikimin e targave dhe analizën e sjelljes, deri te kamera që regjistrojnë dhe analizojnë zërin, si dhe dronë me zmadhim të shumëfishtë dhe kamera termike.

Në artikull thuhet se të dhënat janë mbledhur nga dokumentacioni publik i prokurimeve, me ndihmën e një mjeti të brendshëm të quajtur TenderSpy, i zhvilluar për ndjekjen sistematike të tenderëve publikë. Rezultati është një hartë interaktive që tregon se ku përdoren kamera me njohje fytyre dhe targash, ku regjistrohet edhe zëri, kush zotëron softuer për analizë të sjelljes dhe si po zgjerohet rrjeti i pajisjeve që mundësojnë ndjekjen e lëvizjes së njerëzve dhe automjeteve.

Sipas BIRN-it, numri real i pajisjeve është më i lartë, pasi Ministria e Brendshme, ushtria e Serbisë, agjencitë ushtarake të sigurisë (VBA dhe VOA) dhe Agjencia për Siguri dhe Informim (BIA) i blejnë këto pajisje përmes procedurave të veçanta.

Ekspertët që folën për BIRN-in theksojnë se këto teknologji kanë funksion sigurie, por mbartin rrezik për abuzim, sidomos në raport me privatësinë e qytetarëve.

Avokati Milos Stojkoviç deklaroi se e drejta për privatësi është kategori kushtetuese dhe se ndërhyrja në privatësi kërkon bazë të qartë ligjore.  Ai shtoi se zhvillimi i teknologjisë ka ecur më shpejt se legjislacioni, i cili shpesh reagon vetëm pasi problemet grumbullohen.

Mbikëqyrja nuk prek vetëm punonjësit e institucioneve, por edhe qytetarët që i frekuentojnë ato apo kalojnë pranë tyre. Në rastin e qyteteve që vendosin kamera në hapësira publike, kontrolli shtrihet mbi një numër të madh njerëzish dhe hap debat për balancën mes sigurisë dhe privatësisë.

Mbikëqyrja digjitale dhe mungesa e rregullimit të posaçëm

BIRN e zhvilloi këtë hulumtim pasi, gjatë dy viteve të fundit, dokumentoi raste të mbikëqyrjes së paligjshme digjitale ndaj aktivistëve dhe gazetarëve, përfshirë zhbllokimin e telefonave me pajisje forenzike të kompanisë Cellebrite dhe përdorimin e softuerëve spiunë si NoviSpy dhe Pegasus.

Serbia nuk ka një ligj të veçantë që rregullon mbikëqyrjen biometrike. Përpjekjet për të vendosur bazë ligjore për njohjen masive të fytyrës u tërhoqën pas presionit publik. Në këtë kontekst, blerja e vazhdueshme e sistemeve të avancuara të video-analitikës dhe njohjes së fytyrës merr peshë shtesë, pasi zhvillohet pa mekanizma të qartë dhe të pavarur kontrolli mbi përdorimin e tyre.

Profesori David Lyon nga Universiteti Queen’s në Kingston, Kanada, deklaroi për BIRN-in se këto sisteme mund të çojnë në “klasifikim social” të popullsisë, duke mundësuar trajtim të ndryshëm të individëve në bazë të të dhënave të mbledhura, shpesh pa dijeninë e publikut.

Mund të regjistrohet edhe zëri

Një rast i raportuar nga mediat për instalimin e audio-mbikëqyrjes në autobusët e transportit publik të Beogradit në dy linja, që nga maji i vitit të kaluar, nxiti reagimin e Komisionerit për Informacionin me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sekretariati për Transportin Publik urdhëroi tërheqjen nga qarkullimi të autobusëve ku ishin vendosur pajisje për mbikëqyrje audio.

Megjithatë, sipas BIRN-it, pothuajse të gjitha kamerat në autobusët e GSP Beograd dhe të JGSP Novi Sad kanë mikrofon të integruar. Prokurimi i fundit për autobusët e qytetit të Nishit në vitin 2017 parashihte mundësinë e regjistrimit audio në 16 automjete.

Organizata joqeveritare Partneri Srbija, e cituar nga BIRN, thekson se përfshirja e mikrofonit ndryshon natyrën e mbikëqyrjes, pasi kalon nga vëzhgimi vizual në regjistrimin e përmbajtjes së komunikimit verbal. Sipas saj, Serbia nuk ka ligj të posaçëm që rregullon audio-video-mbikëqyrjen në institucionet publike jashtë sistemit policor.

Duke analizuar specifikimet teknike të tenderëve me terma si “audio duplex” dhe “mikrofon i integruar”, BIRN identifikoi kamera me mundësi regjistrimi zëri në stacionet hekurudhore në Zajeçar dhe Lapovë, në Institutin e Onkologjisë dhe Radiologjisë në Beograd, në disa shkolla dhe kopshte, në parqe publike në Beograd, në institucione korrektuese në Beograd dhe Sremska Mitrovicë, si dhe në disa institucione të mbrojtjes sociale.

Pajisje të tilla kanë blerë edhe njësi të vetëqeverisjes lokale si Kula, Lazarevac, Kuçevo, Valjevo dhe Luçani, si dhe institucione të shumta publike dhe ndërmarrje shtetërore, përfshirë Transportgas, Infostan, Kuvendin Popullor, Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, EPS dhe “Putevi Srbije”.

Çështja e audio-mbikëqyrjes në vendet e punës mbetet veçanërisht e ndjeshme. Sipas portalit 021, punonjësit e sektorit të pagesës së tarifave rrugore në kuadër të “Putevi Srbije” kanë ngritur shqetësime për presione politike dhe për faktin se punojnë nën audio-mbikëqyrje. Përfaqësuesit e ndërmarrjes deklaruan për BIRN-in se regjistrimet audio dëgjohen vetëm në rast dyshimesh për abuzim ose ankesash që nuk mund të verifikohen vetëm përmes pamjeve video.

BIRN saktëson se hulumtimi nuk përfshin sistemet private të mbikëqyrjes, regjistrimet e të cilave mund të merren nga organet e rendit në kushte të caktuara. /Përshtatur nga Pamfleti/

 

 

 

kamera pergjime qytetare serbi

Lini një Përgjigje