
Deputetja e Partisë Demokratike italiane, Rachele Scarpa, flet për mbipopullim dhe çështje ligjore; qeveria italiane e paraqet qendrën si pjesë të strategjisë së re për riatdhesimet...
Rreth 90 migrantë ndodhen aktualisht në Qendrën e Paraburgimit për Riatdhesim (CPR) në Gjadër të Shqipërisë, sipas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike (PD) italiane, Rachele Scarpa, pas një vizite inspektuese në strukturë. Ajo bëri të ditur se 65 prej tyre janë transferuar gjatë javës së fundit dhe se kapaciteti i seksionit të përdorur aktualisht arrin në 96 vende, nga 144 që parashikohen në total.
Qendra në Gjadër funksionon në kuadër të protokollit 5-vjeçar mes Italisë dhe Shqipërisë, të nënshkruar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu shqiptar Edi Rama. Marrëveshja, e vlerësuar në rreth 800 milionë euro për 5 vjet, parashikon trajtimin jashtë territorit italian të disa kategorive migrantësh, përfshirë persona nga të ashtuquajturat “vende të sigurta” dhe individë me urdhër dëbimi.
Sipas legjislacionit italian, transferimet drejt Gjadërit nga qendra të tjera CPR në Itali janë të lejuara. Megjithatë, procedurat janë shoqëruar me kontestime ligjore dhe referime në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, si dhe me vërejtje nga Gjykata e Kasacionit në Itali.
Media italiane Il manifesto dhe disa organizata që merren me çështjet e migracionit e kanë interpretuar rritjen e numrit të transferimeve si një veprim të përshpejtuar të qeverisë italiane, në pritje të hyrjes në fuqi të planit të ri evropian për migracionin dhe azilin, që pritet të zbatohet në qershor.
Plani, i mbështetur nga Italia, parashikon një listë të përbashkët evropiane të “vendeve të sigurta”, përdorimin e qendrave jashtë BE-së për shqyrtim të përshpejtuar të kërkesave për azil dhe forcimin e mekanizmave të riatdhesimit.
Sipas delegacionit parlamentar për Azilin dhe Migracionin, ku bën pjesë edhe deputetja Scarpa, qendra në Gjadër përballet me mbipopullim dhe, sipas tyre, paraqet kufizime në ushtrimin e të drejtës për mbrojtje ligjore dhe kujdes shëndetësor, veçanërisht për persona me vulnerabilitete të pretenduara psikofizike.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shumicës qeverisëse në Itali e paraqesin funksionimin e qendrës si dëshmi të zbatimit të strategjisë së re për frenimin e migracionit të parregullt dhe përshpejtimin e riatdhesimeve.
Debati mbi modelin e Gjadërit vazhdon si në planin politik ashtu edhe në atë juridik, ndërsa pritet që institucionet evropiane të japin qëndrime përfundimtare mbi disa nga çështjet e ngritura.
Lini një Përgjigje