
Në orën 9:05 të mëngjesit, në portin e Halifaksit në provincën kanadeze Skocia e Re, ndodh shpërthimi më shkatërrues i shkaktuar nga njeriu në epokën para-bërthamore
6 Dhjetor 1917 - Mbi 1800 njerëz humbin jetën nga një shpërthim në portin e Halifaksit në Kanada
Në orën 9:05 të mëngjesit, në portin e Halifaksit në provincën kanadeze Skocia e Re, ndodh shpërthimi më shkatërrues i shkaktuar nga njeriu në epokën para-bërthamore, kur “Mont Blanc”, një anije franceze e ngarkuar me municione, shpërtheu 20 minuta pasi u përplas me një anije tjetër.
Më shumë se 1.800 njerëz vdiqën dhe mijëra të tjerë u plagosën. Ndërsa Lufta e Parë Botërore ishte në kulmin e saj në Evropë, qyteti portual i Halifaksit ishte plot me anije që transportonin trupa, furnizime me ndihma dhe municione përtej Oqeanit Atlantik.
Mëngjesin e 6 dhjetorit, anija norvegjeze “Imo” e la vendqëndrimin e saj në portin e Halifaksit për t’u nisur drejt Nju Jorkut. Në të njëjtën kohë, anija franceze e mallrave “Mont Blanc”, me ngarkesën e saj të mbushur me municione shumë shpërthyese - 2.300 ton acid pikrik, 200 ton tritol dhe 35 ton benzinë me nivel të lartë oktani - po kalonte nëpër ngushticat e portit për t’u bashkuar me një karvan ushtarak që do ta shoqëronte atë përtej Atlantikut.
Rreth orës 8:45 të mëngjesit, dy anijet u përplasën, duke i vënë flakën acidit pikrik. “Mont Blanc” u shty drejt bregut nga përplasja e tij me “Imo”-n, dhe ekuipazhi e braktisi me shpejtësi anijen, duke u përpjekur pa sukses të njoftonte portin për rrezikun që kanosej.
Spektatorët u mblodhën përgjatë bregut të detit për të parë spektaklin e anijes që po digjej, dhe disa minuta më vonë ajo kaloi pranë një skele në port. Departamenti i Zjarrfikësve të Halifaksit reagoi shpejt dhe po e poziciononte motorin e saj pranë hidrantit më të afërt kur “Mont Blanc” shpërtheu në orën 9:05 të mëngjesit në një shkëndijë të bardhë verbuese.
Shpërthimi masiv vrau menjëherë më shumë se 1.800 njerëz, plagosi 9.000 të tjerë - përfshirë verbimin e 200 të tjerëve - dhe shkatërroi pothuajse të gjithë skajin verior të qytetit ose më shumë se 1.600 shtëpi. Vala goditëse theu dritaret deri 80 km larg, dhe zhurma e shpërthimit u dëgjua qindra kilometra larg.
Ngjarje të tjera të rëndësishme:
6 Dhjetor 1865 - Në SHBA, miratohet Amendamenti i Trembëdhjetë i Kushtetutës, duke shfuqizuar zyrtarisht skllavërinë dhe robërimin e pavullnetshëm, përveçse rasteve kur ishte dënim për një krim të caktuar.
6 Dhjetor 1897 - Londra bëhet qyteti i parë në botë që liçenson taksitë e përdorura për transportin publik.
6 Dhjetor 1907 - Në Monongah të Virxhinias Perëndimore, ndodh katastrofa më e rëndë e minierave në historinë e SHBA-së. Rreth orës 10.00 të mëngjesit një shpërthim i fortë tronditi 2 galeri. 362 burra dhe djem humbën jetën, duke lënë pas 250 vejusha dhe mbi 1000 fëmijë jetimë.
6 Dhjetor 1922 - Shteti i Lirë Irlandez, i përbërë nga katër të pestat e Irlandës, shpall pavarësinë duke i dhënë fund luftës 6-vjeçare për pavarësi nga Britania e Madhe. Ashtu si vendet e tjera autonome të ish-Perandorisë Britanike, Irlanda do të duhej të mbetej pjesë e Komonuelthit Britanik, në mënyrë simbolike një zotërim i mbretit.
Por më vonë ajo i ndërpreu lidhjet me Britaninë, dhe u riemërtua si Eire, dhe sot quhet Republika e Irlandës. Gjithsesi, konfliktet vazhduan mbi Irlandën e Veriut, dhe IRA e nxjerrë jashtë ligjit në jug, u përpoq të rimerrte kontrollin e rajoneve veriore që qeveriseshin ende nga Britania.
Dhuna midis protestantëve dhe katolikëve në Irlandën e Veriut u përshkallëzua në fillim të viteve 1970, dhe deri më sot ajo ka shkaktuar mbi 3.000 të vrarë.
6 Dhjetor 1933 - Gjykatësi federal amerikan, Xhon M.Uslej vendos që romani tejet i debatueshëm i Xhejms Xhojsit “Uliksi” nuk është i pahijshëm për publikun, ndaj ai mund të vazhdonte të qarkullonte në libraritë amerikane.
6 Dhjetor 1987- Në prag të vizitës së udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov në Shtetet e Bashkuara, për një takim të nivelit të lartë me presidentin amerikan Ronald Regan, më shumë se 200.000 protestues në Uashington dhe një numër shumë më i vogël në Moskë, protestuan në të njëjtën ditë ndaj politikave të ashpra sovjetike mbi hebrenjtë rusë.
6 Dhjetor 1989 - Mark Lepin, një anti-feminist i deklaruar, hyn i armatosur në Shkollën Politeknike të Montrealit në Kanada dhe vret 14 vajza të reja.
6 Dhjetor 1991 - Në Kroaci, forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), bombardojnë qytetin kroat të Dubrovnikut pas një rrethimi 7-mujor.
6 Dhjetor 1997 - Një avion rus “Antonov An-124”, rrëzohet mbi një kompleks apartamentesh pranë qytetit Irkutsk në Siberi, duke shkaktuar vdekjen e 67 personave.
6 Dhjetor 2005 - Një avion transporti bie mbi një godinë banimi në Teheran, duke vrarë të 84 personat që gjendeshin në bord, dhe 44 të tjerë në tokë./ Përshtati "Pamfleti"
Lini një Përgjigje