Media gjermane Handelsblatt vlerëson se lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit po hyn në një fazë pa rezultate të qarta strategjike, duke e cilësuar situatën si rrezik për t’u kthyer në një “dështim epik”. Analiza thekson dilemat e Uashingtonit mes presionit ushtarak ndaj Iranit, rreziqeve për tregjet globale të energjisë dhe kostove politike që konflikti mund të ketë për administratën Trump brenda SHBA-së...
Revista gjermane Handelsblatt i ka kushtuar një analizë kritike luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, e cila ka hyrë në javën e tretë pa një rezultat të qartë. Në kopertinën e saj, media përdor shprehjen “Epic Failure”, duke e vënë në kontrast me operacionin e quajtur “Epic Fury”.
Sipas analizës, ky formulim mund të përfaqësojë një vlerësim të ashpër për një konflikt që po rezulton gjithnjë e më i kushtueshëm për Uashingtonin. Në debat është përmendur edhe interpretimi i gazetarit Max Blumenthal, i cili ka sugjeruar se përshkallëzimi i konfliktit mund të ketë shërbyer edhe për të zhvendosur vëmendjen nga diskutimet politike në SHBA, përfshirë çështjen e të ashtuquajturave “Epstein Files”.
Në këtë kontekst, analiza thekson rëndësinë e sulmeve ndaj ishullit Kharg, një nyje kryesore e eksportit të naftës iraniane. Goditja e infrastrukturës ushtarake në këtë zonë synon të shtyjë kufijtë e presionit ndaj Iranit, veçanërisht pasi SHBA, sipas vlerësimeve, nuk kanë arritur ende të ndikojnë në kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, e cila mbetet nën një formë frenimi strategjik nga ana e Iranit.
Operacioni ajror i kryer midis 13 dhe 14 marsit, në të cilin u raportua se u goditën rreth 90 objektiva iraniane, interpretohet si pjesë e një strategjie që disa analistë e lidhin me qasjen e politikës së jashtme të administratës Trump. Gazeta amerikane New York Times e ka përshkruar këtë qasje si “destroy and deal”, goditje ushtarake me synimin për të detyruar kundërshtarin të hyjë në negociata.
Sulmet ndaj Khargut mund të kenë edhe një dimension më të gjerë gjeopolitik, pasi infrastruktura energjetike iraniane lidhet me furnizimin e tregjeve ndërkombëtare, përfshirë Kinën, një nga importueset kryesore të naftës iraniane.
Objektiva të ndryshëm mes SHBA dhe Izraelit
Analiza vëren gjithashtu se SHBA dhe Izraeli duket se kanë objektiva të ndryshëm strategjikë. Izraeli ka deklaruar hapur se synon dobësimin maksimal të Iranit dhe ndryshime politike në Teheran, ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me kufizime më të mëdha strategjike dhe ekonomike.
Në Uashington janë shfaqur gjithashtu debate politike mbi konfliktin. Senatori demokrat Chris Murphy ka deklaruar se administrata amerikane nuk ka përcaktuar qartë objektivat e saj përfundimtare në këtë luftë, duke përmendur se nuk është sqaruar nëse synimi është eliminimi i programit bërthamor iranian apo ndryshimi i regjimit.
Sipas Murphy, administrata nuk ka paraqitur as një plan konkret për të garantuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.
Presione politike dhe ekonomike në SHBA
Analiza thekson se konflikti mund të krijojë edhe presione të brendshme politike për Donald Trump. Brenda lëvizjes MAGA janë shfaqur kritika nga figura si Tucker Carlson, të cilët e shohin përfshirjen në një luftë të re si devijim nga retorika izolacioniste e fushatës.
Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve të energjisë dhe rreziku i inflacionit mund të ndikojnë në mbështetjen politike për administratën. Një sondazh i CNN tregon se miratimi për politikën ekonomike të Trump ka rënë ndjeshëm, nga një diferencë pozitive në një vlerësim negativ.
Analistë si Sanam Vakil nga Chatham House kanë paralajmëruar në Financial Times se edhe në rast të suksesit ushtarak, është e pamundur të garantohet një ndryshim politik në Iran, duke theksuar se regjimet e mbështetura në struktura të forta sigurie kanë treguar shpesh aftësi të lartë rezistence.
Në këtë kuadër, sulmet ndaj sektorit energjetik iranian, veçanërisht në Kharg, paraqesin një dilemë strategjike për SHBA. Goditja e eksportit të naftës iraniane mund të dobësojë Teheranin dhe të ndikojë në furnizimet drejt Kinës, por njëkohësisht rrezikon të destabilizojë tregjet globale të energjisë dhe të rrisë presionin inflacionist në Shtetet e Bashkuara. /Pamfleti
Edhe sorosi me enver hoxhen do ju kishin zili. Kaq te semure jeni bere pas ketij njeriu. Lexoni nganjehere edhe ndonje media te pavarur, nuk po them konservatore se ju ben alergji, jo vetem te majta ekstreme per te sajuar ndonje lajm.