
Legjendat e mafies amerikane, tani yje të YouTube: një rrëfim i ri për fuqinë, gjakun dhe shpëtimin...
Make-up, video lojëra, argëtim, udhëtime, muzikë, edukim: në 20 vite karrierë të nderuar, YouTube na ka dhuruar dritare drejt çdo cepi të njerëzores.
Një platformë që është kthyer në skenë për të rinj e të moshuar që dinë të bëjnë diçka, çfarëdo, që tërheq publikun. Nuk kanë mbetur pas as familjet mafioze historike amerikane, krerët e të cilave, pasi kanë “shlyer” borxhin me drejtësinë, shfaqen gjithnjë e më shpesh në YouTube për të “mësuar jetën”. Dikur betoheshin me një thumbim gishti dhe një ikonë të djegur në dorë. Sot betohen përpara një WebCam-i.
Protagonistët e kësaj historie nuk janë personazhe të ndonjë seriali në Netflix, por ish-mafiozë të vërtetë, dhe mbi të gjitha në piksel, që pas viteve me gjak dhe heshtje, kanë gjetur shpëtimin (ose biznesin) në të vetmen hapësirë ku edhe krimi kërkon like.
Michael Franzese, i mbijetuari
Michael Franzese nuk është vetëm një emër romanesk, por një nga rastet e rralla kur një bos mafioz arriti të largohej nga Cosa Nostra pa u vrarë. Djali i nënkryetarit John “Sonny” Franzese të familjes Colombo, Michael ishte i destinuar për “gjëra të mëdha”, dhe ashtu ndodhi. Në vitet ’80 organizoi një mashtrim multimilionësh me benzinën, duke vjedhur më shumë para nga IRS (agjencia amerikane e tatimeve) sesa ç’mund të ëndërronte ndonjë CEO në Silicon Valley.
Por ndryshe nga shumë kolegë që përfunduan në fund të ndonjë liqeni, Michael vendosi pas burgut të ndryshonte jetë. Nuk u bë dëshmitar bashkëpunues, por disident me mikrofon. Kështu, në vitin 2020 hapi kanalin e tij në YouTube: sot ka 1.69 milionë ndjekës, mbi 265 milionë shikime dhe një ton më shumë TED Talk sesa “Goodfellas”. Tregon anekdota mafioze, komenton filma (natyrisht të mafies), dhe jep këshilla për fenë, financat dhe lidershipin. Një ish-bos që tani jep leksione shpirtërore në LinkedIn dhe YouTube. Po ashtu edhe një intervistues i zoti, aq sa ka ftuar edhe Rudy Giuliani në “salonin” e tij për batuta në stilin “na bëj me qesh”.
Nëse krimi nuk paguan, përmbajtja po. Sipas HypeAuditor, kanali i tij ka një normë angazhimi prej 4.37%, shumë mbi mesataren, me mbi 157.000 shikime mesatare për video. Një kanal aktiv 7 ditë në javë, që tërheq një publik të larmishëm: jo vetëm nostalgjikë të botës gangster, por edhe sipërmarrës të rinj, kinemadashës dhe besimtarë në kërkim të udhërrëfimit. Në Irlandë dhe Britani, me turneun “Remade Man”, ka tërhequr shpirtërisht burra të rinj, kryesisht meshkuj, të interesuar për “lidership, fe dhe figura atërore”. Publiku është pra ndërkombëtar, dhe kërkon jo gjak e pushtet, por shpëtim dhe një model suksesi alternativ.
Sammy Gravano, prototipi i anti-heroit amerikan
Sammy Gravano nuk është vetëm një ish-mafioz: është një makineri lufte që sot i mjafton një karrige, një mikrofon dhe një Wi-Fi për të ngjallur më shumë frikë se një pistoletë e mbushur. Ish-nënkryetar i Familjes Gambino dhe autor i deklaruar i 19 vrasjeve, Sammy është njeriu që orkestroi vrasjen e Paul Castellano-s, duke hapur rrugën për pushtetin e John Gotti-t. Por kur Gotti filloi ta hidhte poshtë (fjalë për fjalë në përgjime), Gravano kaloi në anën tjetër: në 1991 u bë bashkëpunëtori më i njohur i drejtësisë në historinë e mafies amerikane.
Pas burgut, në 2020, mbërrin në YouTube. Kanali i tij ka mbi 657.000 ndjekës, 132 milionë shikime dhe qindra video. Të folurit është i drejtpërdrejtë, i ftohtë, pa zbukurime: Sammy rrëfen vrasje, intriga, hakmarrje dhe pendesa me qetësinë e një punonjësi që shpjegon Excel-in. Por jo vetëm: si Franzese, edhe ai shpjegon politikën e jashtme amerikane.
Kulturisht, është kthyer në një lloj anti-heroi amerikan. Një burrë që thotë të vërtetën, ose versionin e tij, përballë kamerës. Një përzierje mes rrëfimi dhe kronike të zezë në kohë reale.
Analizat sugjerojnë se, përveç publikut “true crime” të etur për krime e tradhti, në mesin e ndjekësve të tij ka edhe agjentë të FBI-së, që përdorin podcast-et e tij si mjet investigimi për të kuptuar mentalitetin mafioz. Pra, publiku i tij është i përzier: nga studentë dhe pasionantë të krimit, deri te analistë, juristë dhe forca të rendit. Gravano flet me ton të qetë por të pamëshirshëm, gjë që krijon një atmosferë të errët: një dokumentar interaktiv ku tmerri dëgjohet në kohë reale dhe dëshmia e një vrasësi kthehet në burim primar.
Një kafe me Frank Cullotta
Frank Cullotta ishte mafiozi me theks nga Chicago dhe zemër në Las Vegas. Ish-anëtar i “Chicago Outfit” dhe krahu i djathtë i Tony “The Ant” Spilotro, ai drejtonte të ashtuquajturën “Hole in the Wall Gang”, një bandë hajdutësh të specializuar në vjedhje të dhunshme e të heshtura, shpesh duke hyrë përmes mureve.
Cullotta u përfshi në vrasje, grabitje, shantazhe, dhe pastaj, si shpesh ndodh, dikush u përpoq ta eliminonte. Atëherë u parapriu: në 1982 u bë dëshmitar i FBI-së, ndihmoi në shkatërrimin e Outfit-it dhe më vonë bashkëpunoi me Martin Scorsese-n për filmin “Casino”, frymëzuar nga historia e tij.
Në 2020, tashmë 70-vjeçar dhe i lodhur nga heshtja, hapi kanalin “Coffee with Cullotta”. Më shumë se kanal, një dhomë kujtimesh kriminale. Regjistroi rreth 80 video ku rrëfente Las Vegas-in e vërtetë mafioz.
Edhe pse publiku i tij ishte i ngushtë, ndikimi i tij ishte dokumentar: një vrasës i vjetër i kthyer në arkiv të gjallë të një qyteti të ndërtuar mbi para të pista dhe frikë. Vdiq në gusht 2020, duke lënë kanalin e tij si një kapsulë kohe.
Nuk ka të dhëna të sakta për ndjekësit apo shikimet, por kanali përmban rreth 80 video, të gjitha për Las Vegas-in dhe krimet historike. Publiku i “Coffee with Cullotta” është i specializuar: historianë, akademikë, pasionantë të krimit të organizuar para vitit 1980. Universitete, gazetarë, arkiva digjitale dhe dokumentaristë i referohen për përmbajtje autentike, më shumë arkiv mafioz sesa argëtim viral. Cullotta është një dëshmi historike, jo një yll.
Çfarë nuk thotë qeveria, e di John Alite
Por parada e mafi-star nuk mund të harrojë John Alite: jo një “njeri i bërë”, dhe ai e thekson këtë. Jo nga modesti, por sepse nuk mund të ishte: ishte me origjinë shqiptare, dhe rregullat e Cosa Nostra-s janë mjaft konservatore për sa i përket gjakut.
Megjithatë, ai ishte një nga ekzekutorët më të besuar të Familjes Gambino, bashkëpunëtor i ngushtë i John Gotti Jr., dhe autor, sipas vetë tij, i të shtëna me armë, shantazhe dhe trafik droge në shkallë të gjerë. Arrestuar në Brazil, ekstraduar dhe gjykuar, Alite zgjodhi edhe ai rrugën e bashkëpunimit me drejtësinë. Por me një vullnet të veçantë për skenën.
Kanali i tij “Mafia Truths” ka sot mbi 92.000 ndjekës dhe më shumë se 15 milionë shikime. Alite bën podcaste, intervista dhe shpërthime javore ku shemb mite mafioze, hedh akuza (edhe ndaj Sammy Gravano-s), dhe paraqitet si ndërgjegje kritike e mafies 2.0. I veshur me bluzë me shqiponjë, kapele MAGA dhe tituj “nuk na e tregojnë”, duket më pak i rafinuar se Franzese dhe më pak i ftohtë se Gravano.
Alite është një provokator natyral. Herë ngjan si luftëtar talk show-esh, herë si moralist i penduar. Publiku i tij është më i vogël por tepër i përfshirë. Dhe nëse mafia ka qenë gjithmonë teatër, Alite duket se ka kuptuar plotësisht skenarin, dhe e luan atë në transmetim të drejtpërdrejtë.
Përmbajtjet e tij tërheqin një publik të polarizuar: të rinj, provokatorë, shpesh të interesuar për rrëfime anti-mitologjike dhe rrëfime të dhunshme. Bazuar në studimet për “manosphere” dhe diskurset ekstremiste, tendencat populiste dhe forumet virale ndërveprojnë me përmbajtje të forta e mizogjene, një hapësirë ku Alite futet me fjalime të drejtpërdrejta, agresive dhe herë pas here kontroverse. Është një figurë që ngjall reagime të forta: i dashur për sinqeritetin dhe i kritikuar për retorikën sensacionaliste.
Ish-bosët po ripërkufizojnë imazhin e krimit në botën digjitale
Amerikanët janë të magjepsur nga këta anti-heronj sepse ata mishërojnë një nga mitet themelore të kulturës amerikane: shpëtimi përmes mëkatit. Në një vend ku suksesi shpesh vlen më shumë se rruga e ndjekur dhe ku “vetë-bërë burri” mund të jetë edhe një vrasës i dikurshëm në kostum të dyfishtë, këta burra ofrojnë një rrëfim të parezistueshëm, krimineli që mbijeton, ndryshon, por mbetet legjendë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje