
Me adoleshentët e sprovuar nga droga dhe alkooli, zënka më e vogël mund të kthehet në vdekjeprurëse.
Goditja ndodhi në mes të qytetit, në një rrugë të populluar, pak metra larg një prej atraksioneve kryesore turistike të Napolit: Muzeu Kombëtar i Arkeologjisë, një depo e madhe thesaresh nga qytetet e lashta romake të Pompeit dhe Herculaneum.
Dy persona me një motoçikletë u afruan pranë makinës që drejtohej nga Emanuele Durante në Via Santa Teresa degli Scalzi, e qëlluan nga afër me një pistoletë dhe më pas u larguan me shpejtësi.
E dashura e 20-vjeçarit, e tmerruar mundi të bërtiste për ndihmë dhe të mbante pranë Emanuele Durante, ndërsa gjaku i dilte nga plagët. Por, fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital.
Vrasja ishte e fundit në një varg vrasjesh në Napoli që kanë dy faktorë kyç të përbashkët: të gjithë përfshinin të rinj, disa prej tyre në adoleshencë të hershme dhe të gjithë përdornin armë zjarri.
Ekspertët thonë se rritja e krimit me armë është rezultat i një kombinimi toksik faktorësh: rritja e përdorimit të drogës mes të rinjve të pakënaqur, gjetja e lehtë e armëve të zjarrit në botën e errët, efektet sociale të pandemisë Covid, ndikimi gërryes i mafies Camorra të qytetit dhe shfaqja e një kulture popullore që magjeps botën e krimit.
Të shtënat me armë mes qytetit nxorrën zbuluar një anë brutale të një qyteti që vitet e fundit ka pësuar një bum turistik.
Ka pasur një numër të lartë rezervimesh të apartamenteve me qira. Palazzi i shekullit të 18-të i rrënuar i qytetit port, lagjet mesjetare të ngjashme me kasbah, arti i rrugës dhe muralet e mëdha kushtuar heronjve vendas Sophia Loren dhe Diego Maradona janë reklamuar në rrjetin social Instagram.
Por problemet që e kanë zhytur prej kohësh qytetin mbeten: varfëria, papunësia, neglizhenca nga shteti dhe përjashtimi social.
'I vrarë me gjakftohtësi'
Efektivët e policisë kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi ku u vra Emanuele Durante dhe kanë nisur një hetim. Mendohet se vrasja mund të ketë qenë e lidhur me një hakmarrje mes bandave rivale të të rinjve.
Në një intervistë javën e kaluar, e përlotur nëna e tij kërkoi që vrasësit e djalit të saj të gjenden dhe të dalin para drejtësisë.
"Djali im u vra me gjakftohtësi. Gjithçka që kërkoj është drejtësi për të. Ai nuk duhej të vdiste kështu. Sot më ndodhi mua. Nesër mund t’iu ndodhë ju. Djali im nuk duhet të harrohet. Dua drejtësi", tha Valeria Brancaccio.
Vrasja e tij vjen vetëm pak muaj pas gjakderdhjes në Napoli.
Gjaë sherrit, tre adoleshentë mbetën të vrarë. Viktima më i ri ishte 15-vjeçari Emanuele Tufano, i cili u qëllua për vdekje në tetor gjatë një lufte mes bandave rivale në lagjen Mercato të Napolit.
Në një tjetër incident, 18-vjeçari Arcangelo Correra u qëllua për vdekje, dyshohet se u vra nga një 19-vjeçar Renato Caiafa. Autori i dyshuar tha se pistoleta u shkrep aksidentalisht, duke goditur Correra-n. Ai deklaroi për policinë se ndihmoi ta çonte të plagosurin në spitalin më të afërt dhe tha se ishte "i shkatërruar" nga ajo që ndodhi.
Vëllai i Caiafa, Luigi, u qëllua për vdekje në moshën 17-vjeçare nga një oficer policie gjatë një tentative grabitjeje në vitin 2020.
Qendra historike, territor pjellor për “adoleshentët kriminelë”
Të shtëna me armë u dëgjuan në një lagje të quajtur Sanità, pjesë e qendrës historike të Napolit. Sanità është një territor pjellor për bandat kriminale që nisin që nisin ‘aktivitetin’ e tyre që në moshë të vogël.
"Grupe të rinjsh të armatosur me thika ose armë zjarri, duke shpërndarë drogë dhe duke luftuar njëri-tjetrin për kontroll territorial. Djemtë rreth 13 vjeç mbajnë thika në mënyrë rutinore", thonë ekspertët.
Armët e zjarrit janë bërë të lehta për t'u blerë vitet e fundit: në rrjetin e botës së errët apo edhe në mediat sociale. Përveç kësaj, armët e zjarrit të ligjshme si pistoleta bosh blihen dhe më pas modifikohen për të qëlluar me plumba të vërtetë.
Është një trend që po prek jo vetëm Napolin dhe rajonin përreth të Kampanisë, por edhe pjesë të tjera të Italisë.
Përgjigjet rrëqethëse të fëmijëve
Maria Luisa Iavarone, eksperte dhe autore e një libri për dhunën e të rinjve në Napoli, ka përvojë të dorës së parë të dhunës në rrugë.
Pak vite më parë, djali i saj, Arturo, në atë kohë 17 vjeç, u godit me thikë 14 herë nga një bandë të rinjsh që donin t'i vidhnin celularin. Ai ishte me fat që mbijetoi, pasi u godit në qafë dhe zemër.
"Në dy vitet e fundit kemi parë një rritje prej 30 për qind të krimeve me armë që përfshijnë të mitur. Ka shumë armë në qarkullim. Jo vetëm thika, por edhe armë zjarri. Klanet e Camorra i përdorin këta fëmijë si korrierë droge dhe si roje në qoshet e rrugëve", tha ajo.
"Në Napoli mund të marrësh me qira një pistoletë. Paguash 150 euro për ta marrë atë për një ditë. Kjo është për një armë zjarri 'të pistë', e cila është përdorur në krimet e mëparshme. Nëse doni një armë 'të pastër', duhet të paguani shumë më tepër”, shtoi ajo.
Rreziku që paraqesin të rinjtë që përdorin armë përkeqësohet nga fakti se shumë prej tyre përdorin drogë – jo vetëm kokainë dhe kanabis, por droga me recetë si diazepam, si dhe një ardhje e re në treg – një përzierje e ketaminës dhe MDMA që njihet si “tusi” ose “kokainë rozë” për ngjyrën e saj të veçantë.
Me adoleshentët e sprovuar nga droga dhe alkooli, zënka më e vogël mund të kthehet në vdekjeprurëse. Një studim i kohëve të fundit tregoi se 40 për qind e nxënësve të shkollave në Napoli midis moshës 14 dhe 16 vjeç kishin frikë se mos sulmoheshin kur dilnin jashtë.
Kur një shkollë e mesme në lagjen spanjolle, një zonë e brendshme e qytetit të Napolit, u kërkoi nxënësve të shkruanin se si ndiheshin për sigurinë e tyre, përgjigjet ishin rrëqethëse.
“Kam frikë se mos më godasin me thikë apo qëllojnë. Nëse shkelni aksidentalisht këpucët e dikujt, mund të mos mbijetoni deri nesër”, shkroi një djalë adoleshent.
Sjellja kriminale e të rinjve është rritur edhe si pasojë e pandemisë, thonë ekspertët. Shumë adoleshentë ‘luftuan’ me mësimin në distancë, ata që vijnë nga familjet më të varfra nuk mund kishin kompjuter për të zhvilluar mësimin online, madje as wifi në shtëpi.
“Covid ishte vërtet i ashpër me shumë nga këta fëmijë. Shumë fëmijë braktisën shkollën në këtë periudhë”, tha Sorrentino, gjyqtare.
“Ka pasur një rritje të madhe të numrit të të rinjve me probleme të shëndetit mendor, të cilët mbylleshin në dhomat e tyre – e ashtuquajtura sindroma hikikomori – ose tërheqje e rëndë sociale”, shtoi ajo.
Fëmijët shkojnë drejt krimit... për pak para
Me nivele të ulëta arsimore, shumë adoleshentë në Napoli shohin se kanë mundësi të kufizuara. Bumi i turizmit ka krijuar shumë vende pune në bare, restorante dhe piceri, por pagat janë jashtëzakonisht të ulëta.
"Nëse jeni mbi 18 vjeç, atëherë mund të prisni të fitoni rreth 130 euro në javë. Është një shaka. Nëse jeni nën 18 vjeç, ata do t’iu paguajnë me 60 ose 80 euro në javë. Nuk është çudi që fëmijët të shkojnë drejt krimit. Ata po kërkojnë para të shpejta”, tha Giovanni, 21 vjeç, një kamerier në një bar në qendër të qytetit.
"Sigurisht, kriminaliteti është një problem. Por gjërat kanë ndryshuar shumë në 30 vitet e fundit", tha Antonio, një shofer taksie që transporton turistët nëpër qytet.
"Nëse je turist, nuk je një objektiv. Sigurisht brenda kufijve - nëse ecën me një orë 10,000 euro në kyçin e dorës, ata do t'ua rrëmbejnë. E vetmja mënyrë për të trajtuar këtë matricë komplekse problemesh është përmes ndërhyrjes së hershme”, thonë ekspertët.
Por qeveritë e njëpasnjëshme italiane të të gjitha shtresave politike kanë dështuar të investojnë mjaftueshëm në shkollat dhe shërbimet sociale të Napolit. Është një problem kronik. Asnjëherë nuk është trajtuar në mënyrë adekuate, as nga e djathta dhe as nga e majta.
"Ne i dimë saktësisht zonat e Napolit ku fëmijët do të rriten për t’u bërë kriminelë. Fëmijët që nuk kanë lindur ende janë të destinuar për një jetë krimi. Do të ishte shumë më mirë të ndërhynim herët, në një mënyrë inteligjente, të synuar", tha një autor libri mbi krimin e të rinjve, Ragazzi Che Sparano - Fëmijët që gjuajnë.
Investimi në parandalimin e të gjitha këtyre problemeve nuk është problem i politikanëve, sepse duhen 15 deri në 20 vjet për të parë efektet. Ata nuk e kanë atë vizion afatgjatë. Dhe si rezultat, nuk kanë arritur të thyejnë këtë cikël kriminaliteti./Përshtati "Pamfleti" nga "The Telegraph".
Lini një Përgjigje