
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir Abdollahian, paralajmëroi sot Izraelin se lufta në Lindjen e Mesme do të përshkallëzohet nëse armëpushimi në Gaza nuk zgjatet.
“Nëse armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit nuk zgjatet, lufta do të përhapet në Lindjen e Mesme”, tha Abdollahian në një deklaratë për kanalin televiziv libanez Al Mayadeen.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për të vazhduar me një armëpushim për të paktën katër ditë, në mënyrë që gjatë kësaj kohe të mund të dërgohej ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe në të njëjtën kohë ata të lironin 50 nga pengjet e mbajtura nga organizata palestineze, në këmbim të tyre do të lirohen 150 palestinezë, kryesisht gra dhe të mitur, nga burgjet izraelite.
Armëpushimi në Gaza sjell lehtësim, por pak shpresë për paqe të qëndrueshme, komenton Guardian.
Shumë njerëz, në Izrael, në territoret e pushtuara, në Lindjen e Mesme dhe shumë më gjerë, do të ndiejnë lehtësim të jashtëzakonshëm me lajmin e një armëpushimi dhe marrëveshjes së pengjeve.
Por natyra e përkohshme e pauzës në ofensivën izraelite në Gaza, e kombinuar me numrin e të burgosurve të mbetur në duart e Hamasit, do të thotë se fatkeqësisht ka pak shpresë për një fund të armiqësisë në rajon.
Lini një Përgjigje