
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po përshkallëzohen ndjeshëm, ndërsa sulmet ushtarake, kërcënimet dhe përplasjet në Ngushticën e Hormuzit po e shtyjnë rajonin drejt një konflikti më të gjerë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se forcat amerikane kanë goditur dhe shkatërruar 10 anije iraniane që sipas tij po përpiqeshin të vendosnin mina detare në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump njoftoi se operacioni është zhvilluar gjatë orëve të fundit dhe paralajmëroi se sulme të tjera mund të pasojnë.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se brenda orëve të fundit kemi goditur dhe shkatërruar plotësisht 10 varka dhe/ose anije joaktive që vendosnin mina, dhe do të ketë edhe të tjera”, shkroi ai.
Më herët, lidhur me situatën në Ngushticën e Hormuzit, Trump deklaroi se SHBA do të përdorë forcë kundër çdo anijeje që përpiqet të minojë korridorin strategjik detar.
Sipas tij, ushtria amerikane po përdor të njëjtën teknologji dhe kapacitete raketore që janë përdorur në operacionet kundër trafikantëve të drogës për të shkatërruar anijet që përpiqen të vendosin mina në këtë zonë.
"Nëse Irani kishte vendosur mina në rrugën ujore vendimtare, ato duhej të zhvendoseshin menjëherë përndryshe Irani do të përballej me pasoja ushtarake në një nivel të paparë më parë. Ata do të trajtohen shpejt dhe me dhunë. Kujdes!”, paralajmëroi ai.
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ka zhvilluar operacione të ngjashme kundër anijeve që dyshohen se transportojnë narkotikë në Karaibe dhe në Paqësorin lindor. Sipas raportimeve, në këto operacione janë vrarë më shumë se 100 persona, ndërsa disa ekspertë ligjorë kanë ngritur shqetësime se sulmet mund të bien ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje